E PAIMAGJINUESHMJA, TË VRASËSH DHE TË RRISH NË PUSHTET

1
54

Andrea Stefani, 14.02.2012

Do të shohim nëse gënjeshtra e pushtetit, e ngritur në podiumet e propagandës, do të jetë në gjendje të imponojë si të pranueshme më të papranueshmen, vrasjen e qytetarëve të pafajshëm në demokraci. Përpjekja po bëhet. Altoparlantët e qeverisë janë ngritur në maksimum. Fabrika e akuzave dhe mashtrimeve po punon me intensitet të plotë. Dhe çfarë llomotit, në thelb, propaganda e Kryeministrit, por edhe ai vetë? Thonë: Bëmë mirë që i vramë! Thonë se vrasjet më 21 janar ishin të përligjura ngaqë godina e Kryeministrisë u sulmua. Pretendime të gënjeshtërta që nuk bindin njeri. Veç masës së fanatikëve të regjimit, që do të jenë të tillë edhe sikur të kish vrarë e plagosur edhe më shumë protestues.

Edhe sikur nesër të vrasë të tjerë. Gjuha e pushtetit berishist është ajo e vdekjes dhe e përligjjes së vrasjes. Por ndërkaq, Europa po flet me një gjuhë krejt tjetër, po flet me gjuhën e jetës. Dhe jo vetëm me anë të përfaqësuesve të saj. Europa po tregon me vepra, si për shembull në Athinë, sesi përballen protestat e dhunshme, pa derdhur gjak qytetar, në një shtet që ka për detyrë mbrojtjen e jetës së qytetarëve edhe kur ata janë të zemëruar me qeverinë dhe kërkojnë largimin e saj.

* * *

I pari që, menjëherë pas masakrës së 21 janarit, formuloi shumë qartë dallimin mes shtetit diktatorial, të prirur të vrasë qytetarët dhe atij demokratik, ku vrasja e protestuesve përbën krimin më të rëndë, ishte Presidenti francez Sarkozi. Në demokraci është e ndaluar të përdoren fishekë luftarakë kundër protestuesve, edhe pse protestat mund të ndodhë të jenë të dhunshme – kish deklaruar Sarkozi, i pyetur për vrasjet në Tiranë. Qe koha kur Perëndimi po denonconte vrasjet e protestuesve në vendet arabe nga Gedafët dhe Ben Alinjtë.

Dhe pyetja shtrohej: Mos jeta e 4 qytetarëve shqiptarë ishte më pak e shtrenjtë se ajo e atyre arabë? Sarkozi reagoi prerë: Jetët e qytetarëve janë njësoj të çmuara kudo. Por propaganda e regjimit në Tiranë nuk u ndal. Pasi dështoi në fabrikimin e gënjeshtrës për vrasjen e protestuesve nga vetë opozita, pasi dështoi në mashtrimin për “puç”-in e organizuar nga opozita, regjimi vazhdon t’i fryjë borive për sulmin e egër të bërë nga protestuesit mbi forcat e policisë, për shishet me benzinë apo gurët e shumtë të hedhur mbi policinë.

Qëllimi i kësaj propagande është të bindë njerëzit se vrasjet e protestuesve kanë qenë të përligjura për “të mirën e demokracisë”, për “të mirën e popullit”. Një propagandë tipike për një regjim diktatorial, si ai i dikurshmi i Enver Hoxhës. Një propagandë tipike për regjime si ato të sapo rrëzuara të Gedafit apo si ai i Asadit, që ende mbahet në këmbë, duke qëlluar me artileri qytetarët. Madje deputetë të regjimit nuk kanë ngurruar të kërcënojnë se do t’i varin deputetët e opozitës, nëse këta do të guxojnë të organizojnë përsëri protesta para Kryeministrisë! Paralajmërime dhe gërmushje të egra tiranësh, që nuk kanë asgjë të përbashkët me një qeverisje demokratike.

E ndërsa pushteti i Berishës përpiqet të fabrikojë “të drejtën” e vrasjes së demonstruesve më 21 janar, përsëri Europa ka folur qartë me gjuhën e jetës: Të paimagjinueshme(!) kështu i kanë cilësuar vrasjet e 21 janarit Robert Kukan dhe Hanes Svoboda, dy përfaqësuesit më të lartë të së majtës dhe së djathtës në Parlamentin Europian. Dhe kanë sqaruar se vrasjet e protestuesve janë të papranueshme, pavarësisht dhunës me gurë apo shishe me benzinë që mund të ushtrojnë ata. Sepse qeveritë demokratike nuk vrasin.

Një e vërtetë që po provohet këto ditë edhe në Athinë ku protestuesit jo vetëm kanë sulmuar policinë me gurë e bomba molotovë, por i kanë vënë zjarrin edhe disa ndërtesave, dyqaneve apo bankave. Tensioni është sot në rrugët e Athinës shumë më i lartë se ç’qe në Tiranë më 21 janar, e megjithatë nuk kemi dëgjuar për ndonjë të vrarë në Athinë. Pse? Sepse qeveria greke nuk ka për qëllim të vrasë, nuk e shikon vrasjen e protestuesve grekë si mjet për të “mbrojtur popullin” sikundër ishte optika e qeverisë “Berisha” në Tiranë.

* * *

Në fakt, demokracia është një biznes i vështirë. Është e kollajtë dhe e këndshme të merresh me turmat kur ato të duartrokasin dhe të sjellin në pushtet me hosanara. Por ndërkaq duhet të dish që nga lartësia e pushtetit, të durosh edhe egërsinë e turmës, kundërshtimin dhe dhunën e saj ndaj pushtetit tënd, etjen e saj për të të përmbysur. Duhet t’i pranosh, pa u egërsuar, si formë e demokracisë që dallon nga diktatura ku s’pipëtin asgjë kundër pushtetit. Duhet të dish ta qeverisësh zemërimin e turmës dhe jo ta urresh me sedrën e prekur të liderit të pagabueshëm e të plotfuqishëm. Rrallë mund të ketë ndodhur që një lider apo qeveri edhe në demokracitë perëndimore, të mos jenë përballur, në një moment të caktuar, me protesta të dhunshme qytetarësh. Dhe sikur të kishin vepruar si qeveria “Berisha” në Tiranë, demokracia do të ishte zhdukur me kohë nga faqja e globit si opsion qeverisjeje.

Por qeveritë kanë mbetur demokratike, të popullit, nga populli dhe për popullin, sepse kanë ditur ta përballojnë paqësisht dhunën e popullit. Pikërisht atë dhunë që sot qeveria e Berishës orvatet ta përdorë si justifikim për të përligjur me propagandë aktin më kriminal që mund të kryejë një qeveri, vrasjen e protestuesve, “vrasjen e popullit në emër të popullit”, vrasjen e demokracisë. Një propagandë dhe një gjuhë që veçse denoncon, si pa dashje, koshiencën për një krim kapital që në çdo vend demokratik, nuk mund të mos çonte në rënien e qeverisë. Por në Tiranë, një qeveri nuk bie kur vret “popullin për popullin”, sepse Shqipëria nuk është demokraci, nuk është Europë. Në Tiranë vazhdon të ndodhë ajo që për Europën është e paimagjinueshme!

1 COMMENT

  1. Shenja e limitit qe mund te arrije nje pushtet eshte kur ai vihet kunder njeriut dhe behet vrases.Nje pushtet i cili ne dukje mund te jete edhe i respektueshem,jo shurdh ndaj disa vlerave,jo i huaj ne veprime,jo i mbyllur ndaj civileve,besimtareve dhe dialogjeve,e megjithate eshte nje pushtet vrases.
    Nuk ka nevoje te kerkohet jasht njeriut ajo qe eshte brenda njeriut.- E keqja ishte Hitleri.

Comments are closed.