Arben Rrozhani, 06.03.2010
Para pak javësh, qeveria shqiptare mori angazhimin për të bërë regjistrimin e popullsisë, ku midis të tjerave, do të ketë edhe deklarimin për fenë.
Qeveria shqiptare ka dhënë garanci se kjo nuk do të cenojë aspak sovranitetin e vendit, aq shumë të rrezikuar nga precedenti i mëparshëm i marrëveshjes detare, kur në mënyrë skandaloze qeveria shqiptare i jepte pjesë të konsiderueshme të hapësirës detare dhe të shelfit continental.
Ashtu si edhe në këtë rast, qeveria ka nxjerrë alibinë e ecjes drejt afrimit me standardet e Bashkimit Europian, ku synon të aderojë edhe Shqipëria.
Por, nuk është e vështirë të dallosh frikën se pas regjistrimit me bazë besimi fetar dhe etnie, Shqipërisë do t’i nxirret një identitet i ri, që pa frikë ndoshta mund të jetë edhe grek.
INSTAT, agjencia shtetërore për statistikat në Shqipëri, në një takim të fundit me përfaqësues të organizmave të huaja në Tiranë, e katandisi regjistrimin e popullsisë, të dytin brenda 10 viteve të fundit, tek materiali që vesh ndërtimet në Tiranë dhe qytete të tjera, apo te akcesi që kanë në internet qytetarët shqiptarë.
Këto janë llogaritë e shqiptarëve, që sigurisht janë bërë, si në fjalën e popullit, “pa hanxhinë”.
Llogari të tjera bëjnë grekët dhe aty ata janë shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe njëri prej zërave kundër kësaj aventure të qeverisë shqiptare, përcolli me shqetësimin e shqiptarit dhe llogaritë e ekonomistit, disa shifra zyrtare të publikuara së fundi në Athinë. Janë llogaritë e bëra dhe të publikuara nga Shërbimi Kombëtar Statistikor i Greqisë.
Në faqen 52, paragrafi i fundit (stocks of emigrants) të cituara nga Ministria e Brendshme greke rezultonte: “Në vitin 2001, në Greqi numëroheshin rreth 675 mijë emigrantë shqiptarë.
Në 2007, ky numër u rrit në 935 mijë ose me 39 për qind. Sipas Shërbimit Kombëtar Statistikor të Greqisë, numri i emigrantëve shqiptarë nga viti 2001 në 2006 u rrit nga 438 mijë në 482 mijë”. Në vitin 2008, në territorin grek figuronin të regjistruar si emigrantë me origjinë greke që mbajnë shtetësi shqiptare 185 mijë vetë.
Duke bërë llogaritë e ekonomistit, z. Preçi thotë se nëse mbajmë parasysh se po ky burim flet për 675 mijë vetë, atëherë kemi këto përfundime bazë:
1) Mee shumee se çereku i shqiptarëve që jetojnë në shtetin helen figurojnë si “qytetarë grekë me shtetësi shqiptare”;
2) Në këtë numër nuk përfshihen qytetarët ende të palegalizuar, në vlerësimin e z. Preçi të paktën 40 për qind më shumë ose rreth 270 mijë të tjerë (burime të ndryshme flasin për më shumë se 935 mijë shqiptarë gjithsej në Greqi);
3) Z. Preçi thotë se nëse pranohet arsyetimi i tij si më sipër, atëherë duhet të llogarisim edhe rreth 70 mijë shqiptarë të tjerë që pritet t’i shtohen numrit prej 185 mijë duke arritur në 255 mijë numri i “qytetarëve grekee me shtetësi shqiptare” në territorin grek;
4) Nëse numrit të “qytetarëve grekë me shtetësi shqiptare” në territorin grek (255 mijë vetë gjithsej të legalizuar dhe jo të tillë) i shtojmë edhe numrin e banorëve të njohur nga shteti shqiptar si pakicë greke në 50 fshatrat e Himarës, del një llogari tjetër edhe më e madhe…
Sipas të dhënave zyrtare shqiptare, në vitin 1989, ky numër ishte 59 mijë vetë, ndërsa sipas Departamentit të Shtetit në vitin 1995, ky numër ishte në rreth 80 mijë vetë (të dhënat e publikuara në “Greek Helsinki Monitor” në shtator 1994).
Mjaftojnë këto të dhëna, për të shtruar një pyetje të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Sa probleme do t’i sjellë vendit regjistrimi me bazë fetare? Për z.
Preçi, duke u bazuar në llogaritë e nxjerra nga grekët, ai do të jetë shumë problematik, sepse, duke perifrazuar Vaso Pashën, ai thotë se në vend të thënies “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”, do kemi thënien e sotme “Feja e Shqiptarit është buka e gojës”.
Shkrim Intresant… urime…
Comments are closed.