Të gjithë të rrezikuar

0
62

Andi Bushati

Nga Andi Bushati

Në këtë vend janë të gjithë të pasigurt. Kur kolegu ynë i nderuar, Fatos Lubonja, lëshonte disa muaj më parë këtë alarm, në një prej shkrimeve të tij pas zhdukjes së Kosta Trebickës, shumë nga pushtetarët e këtij vendi reaguan ashpër. Por ajo që ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, kur një nga krijesat e tipit putinist në biznesin shqiptar, Rezart Taçi, goditi gazetarin më denoncues e më kritik ndaj tij, na bën të gjithëve t’i bashkohemi, ndonëse me vonesë, thirrjes alarmante të Fatos Lubonjës.

Po, në këtë vend janë të gjithë të rrezikuar. Kur në një vend goditet një gazetar, një person publik, çdokush tjetër duhet të ndihet i trembur nga ky regjim bodyguard-ësh.

Mbrëmë, teksa gjendesha pranë Mero Bazes, të shtrirë pa ndjenja, unë kam parë vetëm njerëz të frikësuar dhe të trembur. Unë kam parë klientë të trembur të një bari në qendër të Tiranës, që s’kishin fuqi të reagonin përpara njerëzve të armatosur me kostume të zinj. Dje unë pashë oficerë të devotshëm dhe profesionalë policie që ngrinin supet, sepse e dinin që për fatin e banditëve me erë nafte do vendosej, pavarësisht nga provat dhe faktet që do qëmtonin ata. Dje unë pashë kolegë të mi që solidarizoheshin me sytë përmbys dhe kokën ulur, sepse edhe këtë radhë kishin marrë këstin e radhës në emër të mbylljes së gojës. Dje unë pashë qytetarë të frikësuar, që nuk kishin fuqi veçse të thoshin: “Ruani veten o çuna”.

Për të gjitha këto arsye gjithsecili duhet ta kuptojë se ne jetojmë në një vend të pasigurt. Në një vend ku ajo që ndodhi, ashtu si çudia më e madhe, do të shuhet pas disa ditësh. Pas disa ditësh ne do të shohim se ashtu si gjithmonë, banditët me kostume të zinj do të lirohen. Rezart Taçi, që është de jure në kërkim, do të shfaqet sërish në ekranet që paguan vetë. Ai do të vazhdojë të mbushë çeqe gjoja në emër të bamirësisë për fondacionet që mbrojnë fëmijët shqiptarë. E pas të gjithë kësaj nuk do të jetë çudi që kryeministri i vendit t’i vërë kapakun të gjithës, kur “lëndimin e lehtë, sipas tij, të Mero Bazes” ta quajë jo një akt banditesk të Taçit, por një goditje me grushte të Cacit.