Foli prapë me të vdekurit e tij!

0
64

Nga Mero Baze, 14 Shkurt 2012

Iu kujtuan dje duke folur në mbledhje të Komitetit të Emergjencave. I ulur para ministrave dhe zyrtarëve të tij, që më shumë se sa nga të ftohtët ngjajnë të ngrirë nga makthi që u krijon takimi me të, harroi përse ishin mbledhur. Nuk pati në fjalën e tij as shifra për ndihmat e çuara, as shifra për fshatrat e izoluar, as shifra për shtrirjen e fatkeqësisë dhe as ndonjë ide se si mund të shpëtohet.

Si në çdo ditë krize, kur ai përballet me pafuqinë e tij, i shfaqet përpara rreziku i ikjes së pushtetit dhe s’di pse subkoshienca e merr përdore, e nxjerr nga mbledhja e qeverisë, e shkëput nga njerëzit që ka para, e ngre lart në qiell dhe ai flet me të vdekurit e vet, me ata të cilit i rrinë me sa duket ende para syve, në momentet më të vështira të pushtetit. I pari iu shfaq Kosta Trebicka. Të ndjerin e vetvrau në një fshat të humbur përtej Voskopojës, atje ku sot ka 2 metra dëborë dhe askush nuk kalon.

E quajti kontrabandist, horr që donte t’i çonte kurva djalit tij, dhe sapo e vetvrau, e quajti njeri të mirë që nuk tha asgjë të keqe për djalin e tij. Ishte momenti kur tragjedisë së Gërdecit, ku vdiqën 26 vetë në biznesin e lobuar prej të birit, i ishte shtuar trafiku i armëve me Afganistanin. Kosta Trebicka zbuloi një pjesë të vogël të këtij mozaiku dhe historia përfundoi në gazetën më prestigjioze në botë, New York Times. Berisha ishte në ditët e tij më të këqija. Ajo vdekje e qetësoi shumë, pasi iku dëshmitari kryesor, ai që thoshte dhe nuk thoshte se ishte apo nuk ishte i biri i tij apo shoku i të birit të tij në një takim sekret në një shtëpi afër ish- shtëpisë së tij të vjetër, për të shantazhuar palën amerikane.

Të gjithë menduam se ajo vdekje e qetësoi, por qenkemi gabuar. I ka ngelur thellë në koshiencë si makth dhe i kujtohet sa herë karrigia e tij ka nevojë për vdekje të tjera për të qëndruar. S’di ç’ia kujtoi Kostën në atë sallë. Ndoshta fytyra pa gjak e Bujar Nishanit, mikut të Kosta Trebickës, me familjen e të cilit u bë ortak në një biznes universiteti me një trafikant italian dhe siguroi familjen se Kosta i ndjerë ka vdekur në aksident, ende pa e parë, ende pa e këqyrur as vendngjarjen.

Pastaj iu kujtua Aleks Nika. Prej katër të vrarëve prej Gardës së tij, ky i vrarë e mundon më shumë. Plumbi që i ka marrë jetën i ngjan paksa plumbit të Ndreas, por është dëmtuar. S’di pse ky njeri e trondit më shumë. Iu kujtua dje ndërsa fliste për dëborën, njësoj siç ju kujtua më 21 janar në orën 19:35 minuta kur fliste para gazetarëve. Aleksi i ndjerë atë çast ende nuk kish vdekur, por Berisha e kish llogaritur për të tillë dhe tha se motra e tij kishte zbuar një drejtues të opozitës nga spitali duke i ulëritur se i kish vrarë vëllain. Kjo skenë s’ka ndodhur kurrë, por Berishës i duhej. E kish vendosur që të vrarët do t’ia linte në shpinë opozitës. Sidomos Aleksin.

S’di pse e ka frikë atë vdekje. Familjarët e tij dyshojnë se ai është selektuar në gjuajtje. Dyshojnë se dikush aty brenda gardhit e ka përzgjedhur atë nga turma. Ai e di mirë kush mund ta ketë bërë atë. Mund ta ketë dhe në fis. Di dhe kode të tjera pas kësaj. Xhaxhain e tij e ka pasur komshi dikur dhe ai po kërkon drejtësi për Aleksin. Nga të katërt, vetëm ai iu shfaq dje në atë sallë. Iu duk përsëri sikur gjakun e Aleksit ia kërkojnë Edi Ramës dhe jo atij që e ka vrarë. E dashka shumë këtë gjë. E trembka shumë kjo gjë.

Pak para se të hynte në atë sallë në fakt i ishin kujtuar të katër të vrarët. Takoi një diplomat arab dhe i tha se në Siri nuk duhen vrarë protestues të pafajshëm dhe të pambrojtur. Ka një tmerr ngaqë Perëndimi po i kthehet duke e krahasuar me Presidentin sirian Bashar. Ka një makth se të vdekurit e tij i ruan bora dhe ia shkrin opozita. Ka një përhumbje në bisedat e tij që nuk është vetëm shëndetësore, nuk është vetëm politike, por mbi të gjitha psikike.

Në koshiencën e tij çdokush që është vrarë për të ruajtur pushtetin e tij, i duket sikur do bëhet aleat me opozitën dhe do hakmerren ndaj tij. I duket sikur Kosta Trebicka, Aleks Nika, katër të vrarët së bashku dhe simbole të tilla vdekjesh që shoqërojnë karrierën e tij, tashmë janë ngritur diku në qiell dhe janë bërë me opozitën. Kjo e lodh, e tremb, e fut në makth, dhe në salla të ngrohta, përballë të vetëve, ai nis e flet me ta, i qetëson, u thotë se janë të tijtë, u thotë se i ka aleatë, u thotë se nuk është e mundur të jeni me opozitën, u thotë se Edi Rama u ka përdhosur kur vdiqët, kurse ai i ka mbrojtur…

Po flet me të vdekurit e tij, me ata që i çoi në botën tjetër për pushtetin e tij, me ata që i vrau dhe vetvrau në emër të karriges së tij. Është momenti i keq kur njeriu përballet me atë që ka bërë dhe e kupton se vdekja nuk është një mënyrë për të shpëtuar nga armiqtë. Ata të ndjekin pas dhe të vdekur dhe hakmerren ndaj teje duke të bërë të flasësh me vete, të flasësh me ata që s’i ke përballë. Siç fliste dje, ndërsa miliona shqiptarë që po vdesin nën dëborë prisnin të fliste me ta. Ai fliste me të vdekurit e tij. Me krimet e tij.