Përgjigje për Edi Ramën dhe “Modelin Meta”

0
27

Nga Mero Baze, 4 Prill 2013

Kryeministri i ardhshëm i vendit është përfshirë në një debat virtual me opinionin publik të shqetësuar nga marrëveshja e tij me LSI. Ka dy ditë që me komente dhe deklarata tenton të polemizojë dhe të agresojë “nxitësit” e kësaj furtune në gotë bosh, siç e quan. Ka shpikur si arsye të kësaj furtune 21 Janarin dhe ka gjetur si armik median pro dhe kundër 21 Janarit si nxitëse të kësaj vale shqetësimi.

Nuk kisha ndërmend të shkruaja më rreth kësaj teme, por meqë ndjehem i përfshirë në këtë polemikë, dua të jap konsideratën time të plotë për çfarë quaj negative dhe çfarë ka pozitive në këtë histori.

Në komentin e zotit Rama e gjej veten tek fjalia ku thotë se: “Ky manipulim nis me kundërshtarë fanatikë të bashkimit tonë me LSI, të cilët në 21 janar ishin në krahun e protestuesve…”. Unë jam një nga gazetarët që pushteti më përfshiu në listën e “puçistëve” dhe isha gjithë ditën ballë për ballë me zyrën e kryeministrit bashkë me kolegë të tjerë, shumica reporterë të rinj. Por unë nuk ndjehem i fyer nga Ilir Meta më 21 janar, por para dhe pas 21 janarit nga fenomenet që ai ka instaluar në politikën shqiptare gjatë këtij mandati katërvjeçar- pa 80 ditë- në pushtet.

Përpjekja për ta lidhur kapitullimin pa kushte para LSI vetëm me 21 Janarin, është një e pavërtetë e madhe. 21 Janari është një histori e zezë e pushtetit politik të Sali Berishës, që nuk ka për t’iu ndarë gjithë jetën, por nuk është një vepër e LSI. Videoja e Ilir Metës ishte shkak i revoltës popullore të 21 janarit, por Sali Berisha nuk vrau për të mbrojtur Ilir Metën, por karrigen e tij.

Për këtë arsye zoti Rama na detyron kot të polemizojmë me të, duke na deformuar thelbin e skepticizmit që ekziston ndaj aleancës së re. Ajo është shumë më e gjerë se kaq.

Fenomeni i parë negativ që instaloi Ilir Meta në politikën shqiptare me aleancën e tij me Sali Berishën, është devijimi i votës së shqiptarëve. Ilir Meta u kërkoi votën shqiptarëve për rotacion politik në vitin 2009, dhe i përdori ato vota për të mbajtur në pushtet Sali Berishën. Ky është një amoralitet i madh, i cili tani është kthyer në standard. Falë këtij standardi, nga vitit 2009 deri më sot, Edi Rama ka humbur dhe pesë mandate të tjera deputetësh socialistë, të cilët nën shembullin e pafytyrësisë së Ilir Metës u votuan si socialistë dhe përfunduan si demokratë. Po ja kujtoj emrat: Shpëtim Idrizi, Vangjel Tavo, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani. Këta janë një LSI më e madhe dhe se vetë LSI e Ilir Metës dhe janë një bilanc i rëndë për një opozitë. Edi Rama ka këtu jo gjithë përgjegjësinë, por natyrisht një pjesë të madhe të saj.

Fenomeni i dytë negativ që Ilir Meta instaloi në politikën shqiptare, është identifikimi i pushtetit me vende pune, poste fitimprurëse dhe motivimi i njerëzve për t’u marrë me politikë për të bërë para. Ministria e Ekonomisë, ajo e Jashtme dhe e Shëndetësisë, sot nuk janë institucione publike të shtetit shqiptar, por celula karkalecash të LSI, që grijnë çdo gjë që u del përpara. Arroganca e tyre për të rrjepur dhe vjedhur çdo gjë në pushtet është kthyer sot në simbol zilie për gjithë shoqërinë e deformuar shqiptare, që ëndërron të gjejë pasurimin tek politika. Të vetmit njerëz të sprovuar për militantizëm politik në Shqipëri sot nuk janë as anëtarë të PD-së, as anëtarë të PS-së, por njerëz me tesera të LSI, të cilët kanë të qartë sa do paguajnë, sa do punojnë e sa do marrin nga pushteti. Ky është modeli më primitiv që ndonjë pushtet ka krijuar në Shqipëri.

Fenomeni i tretë shumë negativ, që Ilir Meta instaloi në politikën shqiptare, është kapja e shtetit. Videoja e famshme e Ilir Metës dhe në një fis afrikan do të ishte ndëshkuar së paku me dy rrahje kamxhiku në trup, kurse në Shqipërinë e Sali Berishës u shpall inekzistente. Arsyeja pse u shpall ishte se Sali Berisha u detyrua të shkonte në mesnatë në shtëpinë e Ilir Metës, të hante “ngjalat” e Monikës, të pinte një ditë para gjyqit kafe publikisht në Rogner dhe kështu t’i jepte sinjal pushtetit gjyqësor se ky njeri ishte i paprekshëm. Fuqia e Ilir Metës për të detyruar pushtetin të kthehej në shërbëtor të tij është fuqi e një sistemi mafioz dhe mund të funksionojë kudo ku i pari i vendit nuk është njeri i lirë. Sali Berisha nuk kishte fuqi të ishte njeri i lirë dhe t’i tregonte qelinë e burgut Ilir Metës, pasi ishte pjesë e pazareve të tij. Për këtë arsye mosndëshkimi i Ilir Metës inkurajoi pandëshkueshmërinë në gjithë sistemin gjyqësor të vendit. Bile gjyqtarët që shërbyen për këtë shkak, u shpërblyen nga partia “antikomuniste” në pushtet, edhe pse nëse do ishte në fuqi ligji i Berishës për lustracionin, do ishin hequr nga puna si ish- sigurimsa.

Fenomeni i katërt negativ që Ilir Meta instaloi në shtetin shqiptar, është vjedhja e votave. Këtë ves të ndyrë ky njeri e ka demonstruar së pari në vitin 2001 kur ishte kryeministër dhe kur zhvilloi një nga zgjedhjet më të këqija në historinë e këtij vendi, duke kthyer 40 mandate me Gjykatë Kushtetuese dhe duke përdorur policinë brutalisht për të rrëmbyer kuti dhe kandidatë ditën e votimit. Ky ves prej banditi politik u ringjall më 8 maj në Tiranë. “Karkalecat” e Ilir Metës ishin ata që bënin kërdinë duke blerë vota dhe komisionarë në Njësinë 5 në Tiranë dhe ishin inkurajuesit kryesorë të përmbysjes së rezultatit pasi Edi Rama u shpall fitues. Ai përdori zgjedhjet e 8 majit 2011 si një mekanizëm për të gjunjëzuar opozitën shqiptare dhe për ta detyruar atë t’i binte në gjunjë, siç i ra më 1 prill, gati dy vjet më vonë. Nënshtrimi ndaj tij është hapje rruge dhe mbivlerësim i njerëzve që vjedhin votat dhe kanë aftësi të përdhunojnë votën e qytetareve në këtë vend. Ai e bëri këtë mes të tjerash për t’i bërë shantazh Partisë Socialiste si një parti, të cilën ai ëndërron ta drejtojë.

Fenomeni i pestë shumë negativ që Ilir Meta ka instaluar në politikën shqiptare janë dhe lidhjet me grupet kriminale dhe mitizimin e tyre si faktor politik. Të njëjtën gjë ka bërë dhe në vitin 2001 kundër opozitës së atëhershme të Sali Berishës. Kudo ku Berisha kandidonte policë apo “të fortë”, ai u hapte rrugë dhe u vidhte votat kandidatëve që nuk kishin lidhje me botën e krimit, për ta shtyrë shoqërinë drejt idhujve të botës së krimit. Të njëjtën gjë po bën dhe sot. Përreth Ilir Metës (përjashto bibliotekën që se kush ia ka vendosur si sfond kohën e fundit), gjen vetëm njerëz me pare dhe histori banditësh, të cilët janë fuqia e tij reale. Ai është i vetmi lider politik në Shqipëri që ka 2 mijë metra katror shtëpi në mes të Bllokut në Tiranë, të ndërtuar pa leje, të legalizuar, të papaguar tek ata që ua ka rrëmbyer dhe nuk jep llogari. Ai është një politikan që ka një vilë një mijë metra katrorë ngjitur me vajzën e Sali Berishës dhe nuk bën as kujdesin më të vogël të japë ndonjë shpjegim. Biles ka aq imunitet për këtë sa gjithë shoqëria shqiptare ia pranon këtë hajdutëri si vlerë. Ky është njeriu që ka rrotull vetes botën më të errët të krimit dhe zyrtarët më hajdutë të administratës shqiptare, dhe nëse këtë frymë e fut tek opozita e sotme, ne mund të gjendemi para një pushteti të frikshëm sa iu përket lidhjeve kriminale. Shikoj me shqetësim se rrotull opozitës ka aq shumë kandidatë me vite burgu ordiner, sa konkurrojnë çdo statistikë burgjesh në Shqipëri.

Të gjitha këto janë arsye përse unë jam i shqetësuar nga aleanca me Ilir Metën dhe jo 21 Janari. 21 Janari është një histori krenare e opozitës shqiptare dhe shoqërisë, që reagoi ndaj krimit të shfaqur publikisht, dhe një histori e zezë e pushtetit që vrau nga frika. Ajo histori nuk mbyllet lehtë. Por Ilir Meta nuk është i rrezikshëm për atë që ndodhi më 21 janar. Ajo ndodhi për karrigen e Sali Berishës. Ilir Meta është i rrezikshëm në trashëgiminë e tij politike si pjesë e pushtetit të Sali Berishës, që për hir të së vërtetës, i është imponuar atij pushteti me gjithë veset e veta. Shpjegimi im se Sali Berisha është i dorëzuar para Ilir Metës, ka qenë dhe do të mbetet se Sali Berisha nuk është njeri i lirë prej 15 marsit të vitit 2008, kur biznesi i të birit të tij në rrugë informale vrau 26 vetë dhe ai kapi shtetin për të shpëtuar historinë e tij.

Shqetësimi që unë kam për kryeministrin e ri, është liria që ai ka për t’i çmontuar trashëgiminë politike të Ilir Metës nga shteti shqiptar. Nëse ai vjen në pushtet prej Ilir Metës dhe është i vendosur të rrijë me çdo kusht në pushtet, atëherë ai do të jetë i dënuar të ruajë këtë trashëgimi të ndyrë politike dhe kjo do jetë një humbje e madhe për shpresat e shqiptarëve për ndryshim. Nëse ai është i lirë ta çmontojë këtë trashëgimi politike nga pushteti, ai duhet t’ia dalë pa votat e nevojshme të Ilir Metës, ëndrrës për të qeverisur vendin. Duke e futur brenda koalicionit, ai ka shumëfishuar votat e mafies dhe ka lënë të ardhmen tonë peng në dorë të saj. Këtu fillon dhe mbaron gjithë alarmi ynë real. Ky është thelbi i shqetësimit tim për aleancën me Ilir Metën.

Unë zoti Rama nuk po ngre stuhi në një gotë bosh, por në një kupë të mbushur plot me mëkate dhe krime nga trashëgimia politike e Ilir Metës. Unë të ftoj ty, duke të pranuar si kryeministrin e ardhshëm të vendit, ta sfidosh këtë trashëgimi. Është tmerr qe kjo trashëgimi mafioze të të shpallë përfaqësues, biles ironikisht kryeministër të saj.

Dhe për ta mbyllur dua të theksoj se ky shqetësim është popullor, pikërisht pse nuk është i prodhuar nga media, por nga populli. Po të ishte produkt mediatik, nuk do të ishte serioze që Edi Rama të merrej me median, ndërkohë që ka siguruar pushtetin. Po të jetë vërtet produkt mediatik, unë e ftoj atë të na lërë ne të qajmë dhe ai vetë le të gëzojë. Por e shikoj që nuk gëzon dot, thjesht se e di të vërtetën, që nuk ia pohon dot as vetes.

Deri më 1 prill ai ishte kandidati ynë për kryeministër dhe kishte pranuar ta bënte këtë betejë bashkë me ne. Nëse vërtet dëshiron të jetë kandidati ynë për kryeministër, ai duhet të angazhohet për këtë betejë të rrezikuar të lihet në mes, dhe jo të na bëjë gjyq ne që nuk e kemi tradhtuar betejën tonë. As ne që mbrojmë opozitën, as ata që mbrojnë Berishën!