Rexhep Meidani, 06.03.2010
A ka kuptim “kërcënimi” disa herë në ditë, për muaj të tërë?! Nuk mund të mohohet në asnjë rast transparenca kur pretendohet për një sjellje demokratike. Madje, pa dyshim, i duhet besuar asaj në mënyrë të shumëfishtë. Mbi të gjitha, duhet bërë çmos që ajo të jetë pjesë përbërëse e çdo veprimi dhe procesi. Për më tepër, duhet luftuar që kjo transparencë të kthehet në një element të domosdoshëm të zhvillimeve të gjithanshme, politike-institucionale dhe social-ekonomike të vendit. E njëjta gjë mund të thuhet për proceset, zhvillimet e nismat politiko-partiake, për aksionin partiak, përfshirë protestën dhe reagimin, kompromisin dhe tolerancën. Por, ama, jo një proces virtual dhe një deklarim e kërcënim i përditshëm (apo një gjoja kërcënim!), shpesh dhe disa herë në ditë. Ky lloj “abuzimi” mbi fjalën protestë, mbi vetë përdorimin e protestës veçse e zbeh vlerën e një mekanizmi të tillë reagues e demokratik. Aq më tepër, që kjo gjuhë u përdor për disa muaj për të arritur në organizimin e një bashkimi masiv, me të vërtetë domethënës, por jo ama për të frymëzuar stocizmin e qendrimin vullnetar të pjesës partizane e militante të tij, të paktën, për të plotësuar qoftë dhe në një përqindjeje minimale kërkesën për të cilën ishte organizuar e grumbulluar…
E njëjta histori, me kërcënime të njëvlershme me “hapje kutish” apo “largim qeverie”, është përsëritur gati çdo ditë, pas grumbullimit të nëntorit. Dhe ndërkohë, ato që po mbyllen më tej, deri “in extremis”, janë kutitë e kontrollit dhe kufizimit demokratik të pushtetit ekzekutiv. Kurse në këto kërcënime, ajo që po ndryshon, nga rasti në rast, është vetëm fytyra apo goja që bën prononcim- kërcënimin e radhës. Bile, në ndonjë rast lexohet dhe ndjehet mosbesimi ndaj asaj që thuhet, ndoshta, jo vetëm të hartuar por dhe të kontrolluar më parë. Por, në fat të keq, ky lloj “virtualiteti” politik jo vetëm është bërë gati monoton, deri dhe i pabesueshëm për qytetarin neutral. Dhe, mbi të gjitha, deri frenues e apatik për atë partizan. Sidomos pas hyrjes në Kuvend, në prag të afatit 6-mujor që u “veshet” rreshtave të Kushtetutës. Parë me këtë sy, duket se mungon iniciativa dhe reagimi konkret. Ndoshta, lexohet dhe mosbesimi i rezultatit, mungon energjia e drejtimit apo nuk përgjigjet organizimi, ndjehet dobësia e përgjigjes apo njihet pamundësia e suksesit, pse jo dhe dështimi i tezës “zeusiane” të protestës, që do të provokonte rënie qeverie, pse jo dhe zhvillim zgjedhjesh të reja të parakohshme (!).
Sidoqoftë, ndryshe nga “fantazitë” individuale, vlen të kërkohet, në të gjitha rastet, një analizë kolektive e forumeve kryesore partiake për të marrë përgjegjësitë e duhura; jo për të ecur kuturi, por për të projektuar në mënyrë të hapur e transparente të gjithë rrugën që duhet të ndiqet prej opozitës, si të thuash një “exit strategy” për të dalë nga qorrsokaku i sotëm politik, jo vetëm për ta qetësuar elektoratin e majtë apo qytetarët në tërësi, por dhe për t’i sqaruar e ndërgjegjësuar ata. Në fund të fundit, në vetvete, aksioni politik nuk është një thirrje qiellore, nuk është një teatër, por një betejë e mençur e përditshme, një realitet konkret me të të mirat dhe të këqijat e veta. Aq më keq, kur tentohet që ky teatër të luhet jo me “artistë origjinalë”, por me ata të llojit imitues! Po ashtu, pas një planëzimi të qartë dhe me variante zbatimi të kësaj “exit strategy”, kërkohet po aq energji e zotësi, qartësi e transparencë, kurajë e guxim. Por, ama, jo me kërcënime e deklarata “trimoshe” dhe garime “gojëtarësh”, vetëm për t’u pëlqyer nga “shefi” apo nga “bosi”, në terminologjinë moderne!…
“Ndal përdhunimit të demokracisë”
Më 7 shkurt 2010, në Ukrainë, katër përfaqësuese të një lëvizjeje feministe u futën gjysmë të zhveshura në një qendër votimi në një protestë elektorale “lakuriqësie” në momentin kur po votonte njeri nga kandidatët për president, Viktor Janukoviç. Tre prej tyre mbanin para gjoksit apo mbi kokë pankarta me paralajmërimin e hidhur të “Fundit të demokracisë” në Ukrainë. Ato, duke bërtitur, hidhnin slogane të tipit: “Ndal përdhunimit të demokracisë”, “Ndihmë”! Përdhunim”!. Sipas tyre, protesta ishte pikërisht për këtë “Fund demokracie” në Ukrainë dhe jo kundër Janukoviçit ose në favor të kundërshtares së tij, kryeministres Julia Timoshenko…
Në fakt, të dy kandidatët presidencialë zhvilluan një fushatë tepër të ashpër dhe shumica e ukrainasve ndjenë tepër të frustruar në zgjedhjen e tyre, bile të disiluzionuar thellë nga kjo lloj politike, aspak të lidhur me interesat e qytetarëve, në kushtet e një krize ekonomike problematike. Por, në fund të kësaj beteje, ai që fitoi ishte Janukoviçi, kurse Timoshenko, megjithëse kërcënoi me manifestime masive e protesta të fuqishme, u “dorëzua” në pritjen me “qetësi” të zëvendësimit të saj. Në një mënyrë apo tjetrën ajo ishte pjesë e vetë “përdhunimit të demokracisë”. Aq më tepër që vite më parë apo kohët e fundit, ajo nuk kishte krijuar dot “namin” e duhur për një qeverisje jokorruptive, për një ndershmëri e transparencë të mjaftueshme…
A ka rëndësi cili del në krye?!
Një ditë prej ditësh, pjesët e ndryshme të një trupi po grindeshin me njëra-tjetrën në lidhje me punën që bënin dhe rëndësinë e secilës. Pra, cila pjesë duhet të merrte detyrën e komandantes, ishte në drejtim të këtij trupi. Fillimisht e mori fjalën truri. “Unë realizoj procesin e të menduarit, prandaj unë jam më i rëndësishmi. Unë duhet të jem i parë, komandanti tuaj.”- tha ai. Por, sytë nuk duruan as dhe një sekondë dhe u përgjigjën: “Ne shohim gjithçka, ne e dimë se ku ndodheni ju të gjithë prandaj, me që ne jemi më të rëndësishmit, ne duhet të jemi në krye”. Ndërkohë, ndërhynë duart që, duke lëvizur me nervozizëm, deklaruan : “Pa ne, as nuk mund të ngrihen, as nuk mund të mbahen apo të lëvizen gjërat. Ne jemi më të rëndësishmet dhe ne duhet të kemi komandën”. U nxeh dhe stomaku: “Ushqimin që hamë unë e shndërroj në energji për të gjithë. Pa këtë ju ngordhni, prandaj unë jam kryesori dhe vetëm unë duhet të drejtojë”. Edhe këmbët nuk duruan dhe thanë. “Por dhe pa ne ju nuk zhvendoseni dot, qoftë dhe për të gjetur ushqim. Prandaj ne jemi më të rëndësishmit, neve na takon komandimi”. Duke ndjekur këtë garë kapardisjesh e deklaratash, ndërhyri dhe zorra e trashë (rectum). Pa e zgjatur tha: “Në gjykimin tim, unë jam kryesori, pra dhe komandanti juaj”…Të gjithë u çuditën dhe e pyetën: “Pretendon edhe ti?! Po ti sikur nuk bën asgjë; ti nuk ke ndonjë rol, je e parëndësishme. As nuk duhet të shkojë fare mendja që mund të jesh edhe ti në krye!”…
Nga kjo refuzim i menjëhershëm, nga kjo mospërfillje arrogante, zorra e trashë u fye rëndë dhe i ndërpreu menjëherë funksionet e veta. Pas disa ditësh, këmbët filluan të luhateshin dhe të mos e mbanin dot trupin në këmbë, stomaku po ndjehej gjithnjë e më keq, ishte si i fryrë dhe i vrarë; duart veçse dridheshin, sytë krejt të squllur si pa dritë, truri krejt i turbullt dhe i errësuar. Të ndodhur në një gjendje të tillë kritike, pa mundur që të rezistonin më gjatë këtë “kapsllëk” të zorrës së trashë, ata vendosën ta bënin atë kryetare të tyre. Kështu, nëpërmjet protestimit, u pranua që dhe një “rectum” të mund të vendosej në krye përpara pjesëve të tjera…
Por, e keqja nuk është vetëm kaq! “Të frymëzuar” prej saj, mund të ushqehen e dalin në sipërfaqe mendime pa kuptim e përmbajtje, apo dhe fantazi aventureske. Për më tepër, mund të rezultojnë si normale dhe daljet individuale në krye, pa qetësi të nevojshme mendore dhe zotësi të brendshme, pa kapacitet intelektual dhe pastërti të domosdoshme! Madje, vetëm në sajë të një përvoje virtuale apo reale, të brendshme apo të jashtme “protestimi”!…