Nga Skënder Minxhozi, 13 Shkurt 2012
Në çdo dyqan veshjesh, numri më i madh i një bluze apo pantalloni xhins është XXL. Thënë ndryshe një masë që u rri mirë vetëm atyre që kanë problem me kilet e tepërta. Jashtë botës së madhe të artikujve të konsumit, XXL përfaqëson një simbol që lidhet me gjithçka që është e madhe, e tepruar dhe jashtë standardit normal. Nëse ne shqiptarët e vrasim pak mendjen, do të gjejmë për shembull, se kemi, veç xhinseve e bluzave, edhe një qeverisje të formatit XXL.
Le ta shpjegojmë konceptin, pasi është shumë i thjeshtë. Na është thënë këto vite se jemi ekonomia e dytë në Europë, pas asaj gjermane. Na është thënë gjithashtu se modeli ynë ekonomik është më i suksesshmi, më largpamësi dhe më i imunizuari nga kriza, aq e shpeshtë në këtë kontinent këto kohë. A nuk është ky një vizion prej “qeverisjeje XXL”?
Më tej akoma, na kanë thënë se në Shqipëri janë shtruar 9 mijë kilometra rrugë në gjashtë vjet e pak. Domethënë, sa largësia që na ndan nga të afërmit tanë diku në Nju Xhersi apo Detroit, paçka se shumëkujt kjo i duket një gënjeshtër e madhe sa një shtëpi! Na kanë thënë edhe se do të mbjellim 20 milion rrënjë ullinj, edhe se arrorët janë e ardhmja jonë, megjithëse me këto deklarata qeshin edhe fëmijët. Më tej akoma, na kanë thënë se Shqipëria do të jetë shumë shpejt fuqi atomike dhe superfuqi energjetike në Ballkan, megjithëse po t’ua thuash këtë mijëra familjeve në Veri e në Jug që sot kalojnë netët e ftohta në terr, merr mbrapsht një mijë të shara.
Po ashtu na thonë se tek ne ka vetëm rritje pagash, ndërkohë që grekët e italianët po i shkurtojnë ato përditë, ashtu siç na tregojnë statistikat me miliona turistë (të padukshëm) që derdhen rrugëve të Shqipërisë çdo vit. Na thonë, më në fund, edhe se do të privatizojmë gjithçka, përveç shtëpive ku flemë e hamë. Gjithçka në ekstrem, e mesmja, laramania, relativja dhe e pjesshmja nuk kanë vend tek ne! Bollëku virtual ka zëvendësuar tërësisht varfërinë reale.
Ky stil qeverisjeje, i frymëzuar nga kryeministri Berisha in personam, nuk e njeh rrugën e mesme, as frikën e shifrave, as dyshimin e natyrshëm që duhet të ketë dikush që drejton një shtet të rrënuar si ky i yni. Vëreni shefin e qeverisë dhe anëtarët e kabinetit, apo edhe deputetët e maxhorancës! Nuk kanë asnjë hije dyshimi kur rreshtojnë statistika pafund, të cilat nuk i besojnë as vetë. Shtrohet çeshtja e heqjes së imunitetit, hidhen përpjetë që të hiqet ai për të gjitha postet, që të zhduket nga faqja e dheut. Dhe çfarë ka ndodhur?! Imuniteti është sërish aty, i paprekur dhe i plotfuqishëm.
Qeverisja XXL refuzon çdo gjë që nuk futet brenda imazhit idilik të vendit të lumtur, ajo shpërfill zerot, duke i shtuar e hequr ato sipas rastit, pa më të voglën mëdyshje. Fluturojnë qindra milion euro investime në të gjitha drejtimet, turma turistësh gjermanë e suedezë që s’i ka parë askush, oxhaqe fabrikash e linja prodhimi që egzistojnë faktikisht vetëm në letër, parqe eolike me shtylla të bukura plot elika që prodhojnë energji të pastër, por që ende s’dihet se ku janë. Është ndërtuar në këto gjashtë vjet një univers paralel, i cili s’ka asgjë të përbashkët me realitetin që jetojmë dhe që qeveria po mundohet t’ia imponojë shqiptarit të thjeshtë si lugë të mbushur supe. Një lugë e cila, në jetën reale, jashtë qeverisjes XXL, është bosh.
*Revista Java







