Politikë e jashtme për politikë të brendshme

0
58

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 05.03.2010

Të bësh politikë të jashtme, do të thotë të bësh edhe të brendshme. Dhe anasjelltas. Këto dy fusha ndërthuren, janë pjesë e së tërës. Por, unë nuk e kam fjalën për këtë ndërthurje, që është organike, e natyrshme.

E kam fjalën për “politikën e jashtme” që bëhet si pjesë e luftës politike me opozitën, dhe opozitarizmin, për t’u marrë terren apo për t’iu thyer hundët atyre që nga Bruskeli, Uashingtoni, Roma, Parisi, Strasburgu e tjerë.

Në fakt, kjo ka qenë dhe mbetet substanca e politikës së jashtme provinciale të shumë zyrtarëve të lartë shqiptarë. Kur nisen drejt ndonjë vendi Perëndimor (me Lindjen nuk funksionon), ata kanë në mendje pikësëpari si të nxjerrin ndonjë përfitim për vete në lidhje me debatin e radhës në Tiranë, si të duken sikur bota mban anën e tyre në çdo gjë, si ta nxjerrin sa më zbuluar shefin e opozitës për t’i thënë publikut se atë nuk e do njeri e të te tjera.

Një lajm që “u takuan”, një foto çfarëdo, një sekuencë filmi, ndonjë fjalë e favorshme, edhe pse fjalë kortezie e përgjithshme – kjo kërkohet, kjo synohet. Të tjerat i rregullojnë vetë.

Ja, pra. Megjithëse zbresin në aeroportet e Perëndimit dhe priten sipas programit sa në një kryeqytet në tjetrin, ata, me mendje dhe me zemër janë gjithnjë në Tiranë, “duke përgjuar me çip të veshit se çfarë po thotë Petroja”, siç shkruante dikur Shpëtim Nazarko. Në këtë kuptim, mjerisht, ata nuk arrijnë kurrë as në Londër, as në Bruksel, as në Uashington, megjithëse fizikisht janë atje.

Janë bileta të djegura dhe valutë e djegur kot gjithë çfarë shpenzohet për vizita të tilla. Një fjalë e urtë hebrenje thotë se të shpenzosh kot do të thotë të shpenzosh për vesin. Pra dyfish.

Skenat që ilustrojnë parodinë shqiptare të politikës së jashtme për politikë të brendshme janë nga më komiket dhe banalet. Ato tregohen andej këndej për të qeshur, por edhe për të argumentuar shkakun e vonesës së Shqiëprisë në çështjet e liberalizimit të vizave dhe integrimit europian në përgjithësi.

Politikanët shqiptarë shkojnë në Perëndim kryesisht për të shtyrë njëri-tjetrin dhe jo për të shtyrë përpara problemet e vendit të tyre. Ky është imazhi që na ka kushtuar e na kushton. Nuk na konsiderojnë seriozë, nuk na marrin seriozisht. Kaq është e gjitha. Ç’duhet tjetër!

Rasti më i fundit ishte vizita e kryeministrit Berisha në Itali, takimi i tij me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni. Në pamje të parë duket sikur këtë vizitë pa të reja e ka “eklipsuar” reagimi që shkaktoi batuta e kryeministrit italian në lidhje me vajzat e bukura shqiptare, kur tha se për ato mund të bëhet një përjashtim për t’i sjellë në Itali me skafe.

Ne mund ta marrim edhe si kompliment faktin që një njeri kaq i shquar i masmedias dhe politikës, siç është Berluskoni, flet për bukurinë e vajzave shqiptare. Ne mund edhe të mburremi me këtë gjë, pasi bukuria femërore është një vlerë dhe një aset i veçantë për çdo vend që e ka.

Por, në kontekstin si u tha, batuta ishte vërtetë e pamenduar, lënduese, fyese, provokuese. Sepse batuta nuk i bënte publicitet bukurisë se vajzave në një vend të vogël buzë Adriatikut, por trafikimit të tyre.

Të vjen çudi se si i kanë shpëtuar këto fjalë Berluskonit, i cili, nuk ka dëshmuar ndonjëherë ndjenja negative për shqiptarët. Përkundrazi. Nuk i ka shkuar vallë në mendje se po lëndon një popull tjetër, se po tallet me një nga dramat më të dhimbshme të vendit fqinj?

Nuk është kujtuar se duke folur me këtë gjuhë po përqesh “sakrificën” disavjeçare, më saktë arbitraritetin disavjeçar të qeverisë se Shqipërisë në lidhje me moratoriumin e skafeve?

Berluskoni është shembulli i suksesit të mbështetur në inteligjencën, pra është e vështirë të besohet se flet kodra pas bregut. Të thuash nuk është në të për shkak të ngjarjeve të fundit, kjo nuk shkon, sepse ai po e qeveris normalisht vendin e tij të madh.

Të thuash se po i jepet vesit të gojëprishjes, tani që mosha e tij i përgjigjet gjithnjë e më pak fuqisë së tij ekonomike dhe politike, as kjo nuk shkon, sepse do thoshim: Pse me vajzat e bukura shqiptare? Pse jo me të tjera? Apo, pse jo edhe me të tjera?

Ngado që ta marrësh, mua nuk më rezulton se Berluskoni ka dashur të na fyejë, edhe pse na ka fyer dhe ka detyrimin të kërkojë falje.

Ajo shprehje mendoj ka në themel apo në origjinë zbrazëtinë e takimit Berluskoni-Berisha, mungesën e të rejave, pra një gjendje që tregon në rastin më të mirë qëndrimin vendnumëro të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Shumica e marrëveshjeve të firmosura solemnisht me shumë se një vit më parë në Tiranë, në praninë e kryeministrit Italian, në lidhje me investimet e mëdha italiane në sektorin e energjisë alternative dhe në parqet industriale janë në letër dhe nuk ka shenja se do të fillojnë nga puna së shpejti.

Arsyet janë komplekse dhe do të duhej të trajtoheshin në nivel kryeministrash. Italia nuk ka mundur të na ndihmojë siç ka dashur, në lidhje me liberalizimin e vizave. Nuk dihet që Shqipëria t’i ketë kërkuar mbështetje Italisë për të përballuar pasojat e gropës së zezë të krizës ekonomike që po hapet dita ditës. Ky është bilanci.

Në shkretëtirën e arritjeve dhe temave reale, buisin vetvetiu shakara me spec dhe pas spec. Nuk e eklipsoi batuta takimin, po s’kishte tjetër të re veç saj. Fajin nuk e ka Italia, sigurisht.

Por, ironia është se Berluskoni flet për trafikun e vajzave të bukura pikërisht në momentin kur gjithë shqiptarët po prisnin prej tij, në radhë të parë prej tij, një lajm konkret për heqjen e vizave në fillim të muajit korrik.
Batuta e Berluskonit e le pa afat çështjen e vizave. Ajo është një batutë e kotësisë, por që ka kuptim.

Me të njëjtën lehtësi siç e tha, ai edhe do ta tërhiqte, nëse jehona e indinjatës së shqiptarëve do të ishte më e madhe dhe do të arrinte e plotë në botën e tij. Berisha nuk reagoi dot aty për aty në Itali. Në rrethanën ku u ndodh, realisht e kishte të vështirë të reagonte si një i fyer, qoftë edhe nga pakujdesia e tjetrit.

Por, Berisha e komprometoi pozitën e vet në lidhje me ngjarjen, kur u pyet nga Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” për letrën e hapur që shkrimtarja shqiptare Elvira Dones, me banim në SHBA, i kishte dërguar Silvio Berluskonit.

Në shembullin e shkrimtares italiane, Orjana Falaci, që e jetonte atdheun pa e banuar rregullisht, Dones kishte shkruar Berluskonit një letër të sertë, por etike, që do ta kishin nënshkruar shumica dërmuese e bashkatdhetarëve të saj.

Berisha, që nuk ishte shpallur ende kavalier (kalorës) atë mbrëmje, nuk foli për letrën, por për diçka nga marrëdhënia private e autores me djalin e saj. Marrëdhënia e nënës me fëmijën është një fushë e panjohur, shpeshherë e minuar për burrat.

Por, kjo është një temë tjetër, pafundësisht e gjerë. Kryeministri preferoi të pudroste pa nevojë batutën e Berluskonit, duke “denigruar” një prej të paktave pena shqiptare në gjithë botën që arrin të botojnë një shkrim të plotë në një përditshme në gjuhë të huaj. E rëndë.

Po pse? Sepse Berisha nuk ishte në Itali për zhbllokimin e marrëveshjeve që kanë mbetur në letër dhe për nevoja të tjera të Shqipërisë në rrëshqitje ekonomike. Ai ishte atje para së gjithash për të bërë politikë të brendshme, në kuadrin e krizës së fundit politike për kutitë. Ishte për “të marrë mbështetjen e Berluskonit”.

Ai “mori mbështetje të plotë nga Berluskoni”. Për çfarë? Këtë nuk e thotë e s’ka për ta thënë njeri. Por, të gjithë duhet ta marrim me mend: Për të prapsur opozitën e vendit të tij për kërkesat që ajo ka shkruar në lidhje me transparencën e zgjedhjeve.

Mirënjohës, apo peng i kësaj mbështetjeje, që do t’i nevojitet prapë e prapë, kryeministri nuk arrin as të heshtë për një letër kritike që një shkrimtare shqiptare i ka dërguar Berluskonit. Në këtë pikë nuk jemi më as në politikë të jashtme, as të brendshme.