E munde me Aritmetikë

0
59

Nga Sokol Balla

Thonë që çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë. Sot, në ditën e tretë të lajmit për afrimin PS-LSI, mbetet të bëhet një sokol ballabilanc i shpejtë i asaj që ka ngjarë e asaj që pritet të ngjasë.

E para: duket se marrëveshja është jo vetëm arritur, por ajo është e qëndrueshme. Ndryshe nga herët e tjera, kur Ilir Meta ka thënë një gjë, dhe ka bërë një gjë tjetër, kësaj radhe duket se ai do të bashkohet me Edi Ramën. Mesa duket, nga darka e ngjalave e këtej, komunikimi është rritur e forcuar. Edi Rama ka duruar poshtërimin që iu bë nga opinioni publik pas asaj darke, duroi poshtërimin që Ilir Meta i bëri gjatë krizës presidenciale. Ai duroi ironitë e LSI-së për projektin e Rilindjes, taksës progresive, projektit të shëndetësisë falas. Edi Rama dje la të kuptonte se do të duronte sërish, derisa opinioni të shfrynte, për në fund, të pranonte se kjo, pra bashkimi i së majtës, ishte e vetmja rrugë që ai të bëhej, “kryeministër për të gjithë ne”.

E dyta: si pasojë e parë, duket se e majta vërtet është bashkuar, ose së paku dy copat e saj më të mëdha, duke korrur edhe duartrokitjet e të “majtit” Ngjela. Të vegjlit janë ende skeptikë, sidomos për lojën që po bën LSI. Sipas Gjinushit, skeptikut të pandreqshëm, LSI që të bëhet e besueshme, duhet jo vetëm të dalë nga qeveria, por edhe ta rrëzojë atë. Por siç tha edhe Topalli dje nga Shkodra, “Rama na e bëri kushtetutën të fortë, kështu që qeveria do të vazhdojë”.

E treta: Qeveria duket se vërtet do të vazhdojë. Mbi të nuk rëndon kërcënimi i një mocioni, në radhë të parë se, megjithëse tani nuk i ka 71 votat për t’u mbajtur, kundërshtarët nuk i kanë 71 vota për ta rrëzuar. Kjo edhe falë Kaçit, Dritanit dhe së fundi dje, edhe Asllanit.

E katërta: në fakt e majta nuk është totalisht e bashkuar, e si rrjedhim, edhe rezultati i 23 qershorit është ende i paqartë, sepse nuk dihet nëse këtë rezultat do ta/apo sa do ta dëmtojnë 4000 votat e Dritanit në Fier e qindra votat e Asllanit në Kukës. E majta e bashkuar po, shpëtoi përfundimisht nga Kaçi dhe llogaritë e tij të gabuara, e tani ai do jetë vetëm taksirat i “Panoramës”, por e majta nuk ka shpëtuar nga taksiratet e veta dhe parashikimet ogurzeza se dhe e bashkuar nuk i fiton zgjedhjet. Kjo sepse siç e tregojnë reagimet këto tri ditë, shumë opozitarë janë të irrituar, edhe pasi kanë kaluar tri ditët e para të çudisë.

Dhe kush nga e majta e ribashkuar shpreson se ndoshta gjithçka do zbutet në tri ditët e tjera, në fakt pas tri ditësh vjen protesta e opozitës tjetër para Kryeministrisë. Dhe nuk di se çfarë do t’i thotë sot xhajës së Aleksit, Rama kur ta takojë, por ka shumë gjasë që Marku të dielën të jetë përkrah Kreshnik Spahiut në protestën kundër qeverisë. E megjithë bllokadën mediatike që po i bëjnë Nikut, ka shumë gjasë që përkrah tij dhe Markut të jenë shumë më tepër protestues se ç’mendohej të ishin para një prillit. Kaq për 21 janarin, në respekt të të vdekurve, sesa të të gjallëve. Se të gjallët rregullohen. Siç u rregulluan Rama me Metën.

E pesta: bashkimi i së majtës në fakt, vdes projektin e një opozite të madhe. Meta me gjasë sjell në koalicion edhe Dulen, por me kushte të tjera, e kështu Spahiut nuk i mbetet veçse të kalërojë vetëm, ose të rikthehet në grigjën e Topit, aty ku edhe nisi ideja e lëvizjes së tij, duke e bërë polin alternativ të qendrës së djathtë, të vetmin pol atraktiv për votuesit gri, apo ata të zhgënjyer nga qeveria. Ah po, edhe ata të fundmit të zhgënjyer nga 1 prilli.

E gjashta: por le ta pranojmë: bashkimi i së majtës ishte një mision i papërfunduar. Dhe nga shumica e majtë e shqiptarëve, e dëshiruar. Edi Rama pati aftësinë, ashtu si në 2007-ën, t’i bashkëngjiste këtij misioni edhe fitoren e tij në 23 qershor. Me shpresën se si në 2007-ën, kur nga ky bashkim mori bashkinë, (e nga ndarja e la katër vjet më pas), po ashtu t’i marrë Saliut Kryeministrinë. Por, a do ta lërë tani Ilir Meta Bashkinë?

E shtata: kjo është padyshim dilema e dytë e kësaj marrëveshjeje. Nëse do kemi një koalicion parazgjedhor, a do të ribëhen koalicionet në pushtet lokal? A do të humbasë PD këshillin bashkiak të Tiranës? Petrit Vasili do të lërë bashkinë se do kandidojë për deputet, apo se LSI do të ikë nga koalicioni? Nëse kjo nuk ndodh, atëherë duhet ta kemi të qartë: kjo nuk është një marrëveshje Rama-Meta, por një marrëveshje Rama-Meta-Berisha. Nëse po, atëherë Ilir Meta nuk është vetëm garant i rikthimit të së majtës në pushtet, por edhe garant i tranzicionit të butë (Nobody touches Luli!).

E teta: nga kjo lojë, më i fituar duket se del Berisha. Pakti Rama-Meta nuk do të na lejojë kurrë të kuptojmë nëse në Shqipëri kishte një shumicë shqiptare që mund ta rrëzonte Sali Berishën me votë. Opozita thotë se ai bëri shumë zullume. Por ai sot po ikën nga pushteti në mënyrë po aq dinjitoze, sa edhe ditën kur erdhi në pushtet. Ky pakt i së majtës po i jep Berishës një shans të rrallë: që pas tetë vjetësh qeverisje jobrilante, të hyjë në fushatë si lider i opozitës. I fituari i dytë është Ilir Meta, që përcaktohet jo vetëm si bërës i Mbretit, por edhe përcaktues i Trashëgimtarit të tij. Këtu fiton edhe Luli, por si gjithmonë fitoret e tij mbajnë erën e sqetullave të të tjerëve. Lajm i mirë për Lulin është se nënsqetullën e Metës këtë radhë e ndan së bashku me Edi Ramën.

E nënta: Rama ndërkohë qesh kur lexon të gjitha këto. Sepse ai, më në fund u bë politikan. Në 23 qershor ai bëhet kryeministër. E kush shpreson se ai do ikë shpejt, gabohet rëndë. Ilir Meta me më pak se dy vjet kryeministër, është sot ende lojtar kryesor. Fatos Nano, sado sporadik, mbetet lojtar, pikërisht si ish-kryeministër. Sali Berisha si ish-president, ishte pasionant, si kryeministër do largohet me një barrë përvojë në kurriz, por në politikë do qëndrojë derisa të bëjë Lulin kryetar partie e kandidat për kryeministër. Sigurisht kjo do kërkojë kohë.

Derisa Rama të lërë postin e kryeministrit. Por Berisha ka premtuar se do jetojë gjatë. Edi Rama do jetë aty bashkë me të, bashkë me Metën, e bashkë me Lulin. Ai do arrijë qëllimin e tij, të bëhet kryeministër, pasi të realizojë pjesërisht një mision, atë të bashkimit të së majtës, por jo të Shqipërisë së rilindur. Jo sepse ai nuk deshi, por sepse ai nuk mundi. Këtë e pranoi dje. Kur tha se pa LSI nuk fitohen zgjedhjet. Kur pranoi atë që gabimisht bëri në 2009-ën, kur mendonte fitoren i vetëm, në emër të pasionit për një Shqipëri ndryshe, përtej së majtës e së djathtës.

Por ndryshe nga Berisha, Rama nuk e la shansin e dytë në dorë as të pasionit, e as të fatit, por të Ilir Metës. Duke bërë kështu edhe llogarinë më perfide të kësaj marrëveshjeje: për të ndarë me Ilir Metën mëkatin e një humbjeje të mundshme në 23 qershor. Për t’u thënë të gjithëve se Meta nuk ishte mjaft për fitoren, e si pasojë për t’i mbyllur atij derën e së majtës. Për të fituar më në fund e përfundimisht atë që nuk ishte kurrë e tija, Partinë Socialiste. Së cilës i ndryshoi ngjyrën dhe stemën, stilin dhe zërin, veshjen dhe bizhutë, por jo zakonet e vjetra të mikpritjes së tradhtuar. Por, sigurisht që kjo është llogari e fundit.

E dhjeta: sepse llogaria e parë dhe kryesore, e këtu s’ka ç’thotë as Tan Hoxha i ISB, është në favor të së majtës së bashkuar. Mund të hipotezojmë shifrat e sakta, por pas 23 qershorit e majta rikthehet në pushtet.

Dakord, duhet ta mundte Berishën me letërsi (frymë). E mundi me aritmetikë. Por prapë, fitore është.

Fitore si e Ramës.

Marrë nga: http://www.mapo.al/2013/04/03/e-munde-me-aritmetike/