Nga Mustafa Nano*, 3 prill 2013
U bënë nja dy a tre muaj qysh nga momenti që kam hedhur tezën, se në rrethanat ku jetojmë duhet të bëhen tok të gjithë ata që janë kundër këtij regjimi dhe në këtë mes kam dashur të them shtruar e shkoqur se nuk ka rëndësi motivacioni që e ka shtyrë dhe e ka mbajtur secilin në opozitë me këtë regjim, por ka rëndësi predispozicioni opozitar. Gjendjen e shoh aq dramatike sa në shkrimin e fundit arrita të bëja pohimin më amoral që mund të jetë bërë ndonjëherë këtyre anëve: çdo qelbësirë që s’i ka punët mirë me regjimin duhet parë e përfillur si një resurs opozitar. Por jo të gjithë janë dakord me këtë tezë krejtësisht amorale. Kam parë, fjala vjen, se një numër internautësh (në debatin publik nuk kam vënë re ndonjë jehonë) të hidhen përpjetë si pas një pickimi.
Unë i kuptoj këta që hidhen pupthi në emër të ndjeshmërive morale, vetëm se këtu është vendi për të bërë disa nënvizime. Duhet thënë se jo të gjithë këta që hidhen përpjetë janë e njëjta gjë. Janë ca që e përjashtojnë apriori një aleancë dosido të ngritur mbi kritere amorale për të luftuar një regjim; e përjashtojnë në respekt të tharmit të tyre moral; kështu thonë, të paktën. “Ç’është kjo punë? Po morali ku vajti? Si guxon e na inkurajon një aleancë mes Ramës e Metës? E çfarë arrihet me këtë? Asgjë”, thonë ata.
Por janë dhe ca të tjerë që kanë gjetur syzet për ta parë PS-në si bartëse vlerash e morali, e pikërisht për këtë arsye, se si iu duket që “të bëhen tok, fjala vjen, me LSI-në e ndyrë, të korruptuar, etj., etj?” Këtyre, qofshin socialistë në pritje të ndonjë vendi pune, të një karriere, apo të ndonjë mundësie për të zhvatur e plaçkitur, qofshin njerëz që kanë rënë pa të keq në grackën e besimit naiv se PS-ja është ndryshe nga të tjerat, nuk kam ndonjë gjë të madhe për t’u thënë. Bëjnë sikur nuk shohin, ose njimend u ka shpëtuar, një gjë fare elementare: në politikën shqiptare imoraliteti është kapilar, askush nuk bën pis ndokënd në një aleancë (sepse secili është pis) dhe askush nuk mund t’i japë munxët tjetrit për shkaqe morale. Madje ky fakti i fundit është arsyeja që më bën mua ta kërkoj “shpëtimin” në zgjidhje amorale e të mos shpresoj në ardhjen e forcave të së mirës për t’ia treguar vendin forcave të së keqes. Shoqëria shqiptare është frikshmërisht e korruptuar. Nuk duken në horizont këto forca të së mirës.
Po bëj një ilustrim. Më ndodh shpesh të ndodhem me të tjerë në biseda të natyrës socio-politike. Dhe nuk është fjala vetëm për njerëz që më rrethojnë, por edhe për njerëz që nuk i njoh, e që i shoh për herë të parë. Dy vëzhgime kam mundur të bëj kollaj-kollaj. I pari. Biseda me ta rëndom, për t’mos thënë gjithmonë, dominohet nga shprehje të tilla, si “Berisha është gjë e zgjuar; ua fut të gjithëve, s’ke ç’i thua”, “kam nipçen me punë në Bashki dhe bravo i qoftë se po bën lekë”, “Po pse budalla është Berisha që t’mos pasurojë fëmijët?”, “Unë jam me PS-në, por Metës i heq kapelen, pasi mendon për të vetët e për besnikët”, “Rama është treguar më i zgjuar se Berisha e Meta, pasi i ka bërë gjërat pa lënë asnjë gjurmë”, “më dolën policët, më kapën që po ecja me shpejtësi, i rrasa njërit një 10 mijë lekësh në dorë, e ika”, “i thashë tim’biri: po ti ngordhalaq je që nuk iu fute me grushta atij shkërdhate?”, “doktori që s’të merr lek është trap”, “gjyqtarët i japin të drejtën e pronësisë robit, e ti thua t’mos i marrin një bakshish të majmë!”, etj., etj. Më ndodh shpesh të zbuloj që vjen një moment në biseda të tilla, kur çdo frazë që thuhet është ‘mbrapsht’. Dhe nuk e teproj kur them ‘çdo frazë’. Unë kam provuar, në varësi të rrethanave, të bëj kundërshtimet e mia, por s’më duhet shumë për të kuptuar se s’ia vlen; ata janë ashtu. Kanë njëmijë vjet që janë ashtu.
Vëzhgimi dytë. Shumica e njerëzve që më takojnë, nuk më marrin për atë që unë demonstroj vazhdimisht se jam, por më marrin për atë që ata vetë besojnë se unë jam. Ata janë të bindur pra se çfarë unë them në gazeta, në publik e në TV i them për të shitur dëngla, për të rënë në sy, për të bërë protagonistin, për t’bërë detyrën, për t’u dukur snob, modern, i bredhur, etj., dhe se në jetën reale unë jam domosdo tjetër njeri. Me një fjalë, më marrin për dinak, hipokrit, me dy fytyra, dhe nuk u shkon mendja se më fyejnë. Përkundrazi, me mendjen e tyre janë duke më marrë për “të zgjut”. E ndoshta çuditen që nuk u them “faleminderit” për konsideratën!
E teproj me këto vëzhgime, sidomos me të parin? Në opinionin tim e në dijeninë time, hiç fare. Ata që ne takojmë rastësisht në një tryezë bari, janë shqiptarët e zakonshëm e mesatarë, janë fëmijët tanë, vëllezërit tanë, prindërit tanë. Çdo mikrohabitat është Shqipëria në miniaturë, është kampioni, nga analiza e të cilit mund të nxirren fare mirë përfundime të sakta antropologjike e sociologjike për gjithë vendin. Madje, për aq sa di unë, elita e kremi i shoqërisë nuk është një gjë e ndryshme në terma moralë. Nëse do të na duhej të përkufizonim shqiptarin e sotëm, kam frikë se do duhej ta fillonim duke thënë se “ai është një qenie amorale’.
Nuk jeni dakord me mua? Epo atëherë ju jetoni në një Shqipëri që unë nuk e njoh dhe anasjelltas. Ah, nuk jeni dakord me mua, që në Shqipëri është instaluar një regjim? Epo atëherë, uroj t’ia shihni hairin kësaj status quo-je. Ah, jeni dakord me mua, që shoqëria shqiptare është e korruptuar dhe e prishur moralisht, e që në Shqipëri sundon një regjim, por nuk jeni dakord që të bëhet një mobilizim i natyrës amorale për ta rrëzuar këtë regjim? Epo qofshi ju që jeni, atëherë.
*Shkrim i publikuar më parë, dhe i rimarrë nga Dita e sotme; duket aktual







