Rudolf Markut dhe minjve, pa mbërritur te mbretërorët

0
61

Lulzim Basha

Lulzim Basha, 05.03.2010

I nderuar zoti Marku! Dje lexova shkrimin tuaj në gazetën Shekulli, “Mbre-tërorë dhe minj”, ku krejt i befasuar pashë emrin tim dhe për më tepër “implikimin” tim në një fatkeqësi të familjes së Jonidës… ose më saktë të rëndimit të kësaj fatkeqësie: Lulzim Basha pengon dhënien e drejtësisë për një zotëri, të cilin ende nuk e di si quhet, por që sipas shkrimit është Presidenti i “Albanian Airlines”, i cili më 20 gusht të vitit të kaluar, në orën 4 të mëngjesit, ka aksidentuar për vdekje rrugës për në Rinas, Jonidën… Mbiemrin e Jonindës së ndjerë dhe të familjes ende nuk e di, për shkak se në shkrim referohen vetëm emrat e familjes dhe jo mbiemri.

Ndoshta nuk do t’i përgjigjesha kurrë një shkrimi të mbushur me të pavërteta, ashtu siç nuk i jam përgjigjur kurrë më parë më një forme të tillë, nëse nuk do të behej fjalë për një dhimbje kaq të madhe, që vetëm një prind mund t’ia kuptojë një prindi, siç është humbja e fëmijës.

Para se të sqaroj të vërtetën rreth këtij “implikimi” timin, dua t’i shpreh ngushëllimet familjes së Jonidës. Dua t’i shpreh të gjithë mbështetjen njerëzore për këtë fatkeqësi, të shkaktuar aq më keq nga papërgjegjshmëria njerëzore. Dua t’i inkurajoj fort të ngulmojnë për të gjetur drejtësi në një vend, ku të gjithë na bie të ankohemi për mungesën e drejtësisë apo të efikasitetit të sistemit tonë juridik. Më së paku, vendosja e drejtësisë për këtë çështje, është lehtësim për shpirtin e të ndjerës dhe sadopak qetësim për familjen e Jonidës përballë humbjes së pazëvendësueshme të vajzës nga ky aksident. Në rastin më të parë që do të gjej kontaktet telefonike do t’i telefonoj kësaj familjeje, për t’ia shprehur të gjitha këto edhe drejtpërdrejt.

Së pari, pasi po ndaj me këtë familje të gjithë hidhërimin tim për fatkeqësinë që i ka ndodhur, më duhet të sqaroj pozitën time në këtë çështje: nuk kam as më të voglën njohje personale me presidentin e “Albanian Airlines” dhe është e tepërt të vijoj me të tjerat, që për autorin e shkrimit janë arsyet që unë, Ministri i Brendshëm ndërhyj që autori i aksidentit të mos mbajë përgjegjësi ligjore për atë që ka bërë.

Më 21 gusht të vitit të kaluar, nuk kam qenë Ministër i Brendshëm, por isha ende Ministër i Jashtëm dhe kjo është pasaktësia e parë. Më e parëndësishmja. Në këtë ditë kam qenë në spital, por për një arsye krejt tjetër. Më 15 gusht ishte aksidentuar mjaft rëndë i njohuri im Isak Tema, një nga bashkëpunëtorët e mi në fushatën elektorale te 2005, dhe duke mos mundur të shkoja menjëherë në spital për ta vizituar, kam shkuar pas 5-6 ditëve. Aty në sallën përkatëse në spital me sa mbaj mend ka pasur edhe disa të aksidentuar të tjerë. Kam ndjerë keqardhjen njerëzore që mund të ndjejë çdokush në një spital për këdo që i ka rënë një fatkeqësi dhe jam larguar.

Më vjen tepër keq, që në ndërgjegjen e familjarëve, sipas shkrimit tuaj, paskam figuruar si një person që po “mbështes mosdënimin e përgjegjësit të këtij aksidenti”.

Nuk di se në çfarë mënyre është arritur të krijohet një mitologji e tillë urbane. Kjo më lëndon dhe sa më parë t’i telefonoj atyre njerëzve të mirë, aq më të lehtësuar do të jemi edhe ata edhe unë.

Së dyti, dua të ngre një problem të madh që po bëhet edhe më i madh në epokën e zhvillimit integral të mediave tona, një formë e re e viktimizimit të figurave publike, në ndërgjegjen e një shoqërie si kjo e jona, e cila ndoshta e frustruar nga probleme e jetës sonë të përditshme, gjen një shpjegim edhe jashtë fakteve për fatkeqësinë që u qëllon në jetë, për një problem apo për një ngecje në jetën e tyre. Në këtë rast politikanët, dhe veçanërisht një ministër, do të ishte “shpjegimi” perfekt për gjithçka ndodh në këtë fushë të të pavërtetave të lira, në këtë mitologji urbane që vjen dhe bëhet pronë e të gjithëve përmes mediatizimit. Aq më tepër kjo në penën e shkrimtarit dhe publicisti të njohur si zoti Rudolf Marku.

Së treti, dua të ngre një problem të ri për median shqiptare, atë të shndërrimit të çdo lloj fantazie apo ndërmendjeje publike, të çdo “kujtova se”, “mendova se”, “thonë se” në të një të vërtetë mediatike të menjëhershme, të shpërndare me mijëra kopje, pa marrë as mundimin më të vogël që të bëjnë një verifikim, të realizojnë një parimet më bazë të deontologjisë së mediave: të pyesin dhe të marrin prononcimin e personit të cilit i zihet emri në gojë. Në këtë rast, gazeta që boton shkrimin, kishte si minimum detyrimin për të më telefonuar për ato që thuheshin në shkrimin që do të botohej. Ne jemi të vendosur si shumicë të mos paditimin median për çfarëdolloj arsyeje nga pozitat tona si zyrtarë. Por kjo nuk është arsye që të lëmë mënjanë një diskutim me themel mbi standardet etike të medias shqiptare.