Mediet e huaja pasqyrojnë lajmin për sulmin ndaj Mero Bazes

0
62

Nga Tema

Mediet ndërkombëtare kanë përcjellë lajmin e sulmit të biznesmenit Rezart Taçi ndaj gazetarit Mero Baze.

Italianët kanë bërë menjëherë lidhjen e këtij lajmi me faktin që ky biznesmen u shfaq disa herë i interesuar për të blerë klube të mëdhenj italianë dhe u tërhoq pa dhënë asnjë shpjegim.

Agjencia italiane TgCom, në përcjelljen e ngjarjes së rëndë ndaj fjalës së lirë në Shqipëri, shprehet se Baze është autor i dhjetëra artikujve dhe emisioneve që kanë denoncuar lidhjet e interesit mes Taçit dhe kryeministrit Berisha, si edhe shkeljet e vërejtura gjatë privatizimit të ARMO-s. TgCom thekson gjithashtu se gazetari Baze është aktualisht në një luftë të hapur me kryeministrin Berisha. Lajmi i agresionit fizik ndaj drejtuesit të emisionit “Faktori Plus”, i shoqëruar me dëshmitë e kolegëve të tij, ka gjetur mbulim në shumë medie të rajonit, por edhe në agjencitë prestigjioze ndërkombëtare.

BBC shprehet se shkak për sulmin ndaj gazetarit Baze duket se kanë qenë shkrimet e vazhdueshme që ka bërë në adresë të Taçit, duke e akuzuar për afera të shumta korruptive. Ndërsa “Deutsche Welle” përmend edhe vlerësimin me një çmim që emisioni investigativ “Faktori Plus” mori ditët e fundit për rolin e tij në denoncimin e aferave korruptive.

Edhe mediet më të mëdha greke kanë pasqyruar dhunën e ushtruar ndaj drejtorit dhe botuesit të gazetës “TemA”, Mero Baze, nga ana e Rezart Taçit. Kështu, gazeta elektronike në Greqi, “Xhungla”, ka pasur titull të madh, “Milioneri ka sulmuar gazetarin”, duke e cilësuar atë si një dhunim të hapur që i bëhet shtypit të lirë në Shqipëri. Ndërkohë, edhe një ndër televizionet më të mëdha në Greqi, “SKY”, i ka dhënë një vend të gjerë lajmit për dhunimin e drejtorit të gazetës “TemA”, Mero Baze, nga ana e Rezart Taçit. “Biznesmeni sulmon gazetarin”, ishte titulli i shkrimit të këtij televizioni, në të cilin thuhej se gazetari Mero Baze kishte botuar në gazetën e tij një sërë artikujsh, ku akuzonte kompanitë e biznesmenit për mospagim taksash dhe lidhje të paligjshme me boten e krimit. “Ishte një sulm i egër ndaj një gazetari të njohur”, – vazhdonte shkrimi, që më pas sqaronte hollësitë e sulmit ndaj Mero Bazes.

Zëri i Amerikës: I akuzuari për kontrabandë nga Berisha sulmon gazetarin Mero Baze

Mero Baze, një nga emrat e njohur të shtypit shqiptar, ka mbetur mbrëmë viktimë e një sulmi të dhunshëm ndaj tij nga sipërmarrësi Rezart Taçi. Baze ishte në shoqërinë e dy gazetarëve të tjerë, Andi Bushati dhe Arban Hasani, në një lokal në qendër të Tiranës, kur pranë tij është afruar Taçi, i cili pas një lumi ofendimesh ka nisur të qëllojë mbi botuesin e gazetës “TemA”. Me të janë bashkuar edhe disa nga bodyguard-ët e tij, të cilët gjithashtu kanë ushtruar dhunë mbi Bazen. Skena është treguar për Zërin e Amerikës nga kolegët, të cilët ndodheshin me Bazen në ato momente.

Botuesi i gazetës “TemA” është dërguar në spital me shenja dhune në pjesë të ndryshme të trupit, ku i është nënshtruar kontrollit të mjekëve duke marrë edhe kurat e para. Si opinionisti dhe drejtuesi i emisionit televiziv “Zonë e Ndaluar”, Andi Bushati, ashtu dhe drejtuesi i televizionit “Vizion Plus”, Arban Hasani, janë shprehur për një akt barbar që, sipas tyre, është kryer ndaj Bazes.

Botuesi i “TemA”-s është autor i dhjetëra shkrimeve, por edhe i disa emisioneve që kanë pasur në qendër pikërisht praktikat e ndjekura për privatizimin e ndërmarrjes më të madhe të rafinimit dhe tregtimit të naftës në Shqipëri, ARMO, e cila u ble një vit më parë nga biznesmeni Rezart Taçi, ndonëse fillimisht ky privatizim u shpall sikur ishte kryer nga një firmë amerikane. Në artikujt e tij, Mero Baze ka folur për një aferë korruptive në këtë privatizim, si dhe ka denoncuar ato që i ka cilësuar si lidhje të interesit financiar mes sipërmarrësit Taçi dhe kryeministrit Berisha. Këto fakte duket të kenë qenë shkaqet e sulmit të dhunshëm të sipërmarrësit ndaj gazetarit Baze.

Deri në orët e para të mëngjesit nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga policia për ngjarjen, ndonëse është folur për arrestimin e dy truprojave të sipërmarrësit Taçi. Kolegët e Mero Bazes, të cilët ishin me të në vendngjarje, kanë bërë deponimin e tyre në polici, ndërsa dy oficerë kanë marrë në spital edhe dëshminë e vetë Bazes.

Rezart Taçi ka qenë një ndër emrat e njohur në tregun e karburanteve në Shqipëri. Ai u përmend në vitin 2005 nga zoti Berisha përpara fitores së zgjedhjeve të qershorit, si një ndër kontrabandistët kryesorë të karburanteve në Shqipëri. Por në vitin 2008, zoti Taçi do të jetë pas gjithë operacionit për blerjen e kompanisë ARMO, e cila fillimisht u shpall sikur i ishte besuar një kompanie amerikane. Sipërmarrësi Taçi u bë kështu zotërues i pjesës më të madhe të tregut të karburanteve dhe ndërkohë u kujdes për imazhin e kompanisë së tij duke shpenzuar sasi të mëdha në reklama në thuajse të gjitha mediet kryesore të vendit. Në korrik të këtij viti madje ai hyri në bisedime për blerjen edhe të një klubi futbolli në Itali, atë të Bolonjës, operacion nga i cili u tërhoq pa dhënë shpjegime 24 orë përpara nënshkrimit të kontratës.

Për Mero Bazen ky nuk është incidenti i parë. Në fillim të viteve 2000 makina e tij u qëllua me një plumb, në rrethana që nuk u mësuan asnjëherë. Në vitin 2005 ai goditet nga personazhe të lidhur me disa figura të njohura të Partisë Socialiste në Tepelenë. Në fund të vitit të shkuar, gjatë orëve të natës, makina e tij përfundon në flakë papritur dhe në rrethana gjithashtu të pasqaruara. Ndërsa në të njëjtën periudhë Ministria e Ekonomisë anulon një kontratë të nënshkruar me të për mjediset ku ishin vendosur zyrat e gazetës “TemA” dhe tipografia e saj. Policia rrethoi vendin dhe që prej asaj kohe nuk e la më Bazen dhe gazetarët të hynin. Sipas Bazes, të gjitha këto veprime kanë qenë të lidhura me qëndrimin kritik që ai ka mbajtur ndaj qeverisë dhe kryeministrit, Sali Berisha.

Balkan Insight: Gazetari shqiptar dhunohet egërsisht nga biznesmeni

Një biznesmen me lidhje të ngushta me kryeministrin Berisha sulmoi egërsisht botuesin dhe gazetarin Mero Baze të hënën në mbrëmje vonë, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur pas një serie të gjatë shkrimesh dhe publikimesh që akuzonin për evazion fiskal biznesmenin.

Sipas dëshmitarëve të pranishëm në bar “Capriccio” në qendër të Tiranës, Rezart Taçi dhe truprojat e tij sulmuan gazetarin duke e qëlluar atë egërsisht për disa minuta e duke e lënë pa ndjenja.

Të pranishëm gjatë sulmit ishin gjithashtu edhe dy gazetarë, komentatori politik Andi Bushati dhe kryeredaktori i “Vizion Plus”, Arban Hasani, të cilët më pas dëshmuan sulmin mbi gazetarin. Baze u dërgua në Spitalin Ushtarak të hënën natën dhe doli prej tij pas mjekimeve të martën paradite. Ai kishte bërë një sërë shkrimesh kritike dhe raportimesh të tilla në emisionin televiziv “Faktori Plus”, në “Vizion Plus” duke akuzuar Rezart Taçin dhe kompaninë e tij ARMO për evazion fiskal.

Veç emisionit televiziv, Baze gjithashtu është botues i gazetës “TemA”, e cila është një kritike shumë e fortë e qeverisë.

Rezart Taçi është i njohur si një prej biznesmenëve të afërt të rrethit të kryeministrit Berisha. Kompania tjetër e tij, “Taçi Oil”, ka shpenzuar miliona euro për organizmin e ndeshjeve të bamirësisë në futboll, të cilat kanë shkuar për një fondacion bamirësie që e drejton gruaja e kryeministrit.

Në një deklaratë të lëshuar dje policia shqiptare tha se ajo ka arrestuar dy nga truprojat e biznesmenit dhe se vetë Rezart Taçi është shpallur në kërkim. Taçi më herët kishte mohuar se kishte marrë pjesë në sulm.

Unioni Shqiptar i Gazetarëve dënoi fuqimisht sulmin ndaj Bazes dhe bëri thirrje që fajtorët t’i dorëzohen drejtësisë.

“Këto akte provojnë që gazetarët shqiptarë janë të kërcënuar në çdo moment nga brutaliteti dhe dhuna kriminale”, – thuhet në deklaratën që nxori Unioni. “Fakti që sulme të ngjashme janë përsëritur, veçanërisht ndaj këtij kolegu, tregon për agresionin në rritje nga njerëzit me pushtet të fortë ekonomik”, – shtoi Unioni i Gazetarëve. Sulmi i së hënës nuk është i pari kundër gazetarit. Pikërisht në shkurt, një gazetë e vogël lokale pranë kryeministrit bëri thirrje për vrasjen e tij. Në detaje grafike, artikulli bënte thirrje për vrasjen e Bazes, gazeta e të cilit është sulmuar nga Berisha ditë pas dite.

“Me qëllim që të hapim kokën e tij, Mero duhet vënë me shpatulla pas murit. Një thikë e trashë duhet të presë fytin e tij pa asnjë anestezi, kështu që ai nuk do të jetë nën efektin e qetësuesve dhe mund të shohë gjithçka”, – shkruhet në artikullin e gazetës “Koha Jonë”.

“Heqja e skalpit duhet mund të bëhet në disa mënyra, duke e përplasur pas murit, me çekiç ….”

Gazeta “TemA” e Bazes është e fokusuar në shkrimet investigative, shumë prej raportimeve të saj sulmojnë zyrtarë të dyshuar për korrupsion. Më 8 janar policia zboi gazetën nga zyrat e saj në një ndërtesë qeveritare, pavarësisht se gjykata kishte vendosur ndryshe. Makina BMW e botuesit dhe gazetarit Mero Baze u shkrumbua në flakë natën e fundit të vitit që shkoi, në një sulm, të cilin policia e përshkroi si një qark të shkurtër.