(VIDEO)
TemA, 14 Shkurt 2012
Rrumpallë me operacionet e dërgimit të ndihmave nga ajri. Helikopterët shkojnë për të dorëzuar ndihmat, por askush nuk i pret
Në një kohë me diell, pas një jave të tërë gri, helikopterët ishin gati të nisnin menjëherë operacionet për dërgimin e ndihmave ushqimore në zonat e izoluara.
Por pilotët e Regjimentit të Farkës që kishin bërë gati helikopterët që në mëngjes pritën mbi tre orë mbërritjen e kamionëve me pakot me ushqime nga rezervat e shtetit.
Destinacioni i një prej helikopterëve është stadiumi i qytetit të Pukës, një zonë kjo që ka nevoja emergjente për ushqime.
Pas fluturimit mbi dhjetëra fshatra të izoluar, helikopteri mbërriti në Pukë, por në vendin ku duhej të kryhej shkarkimi nuk ishte askush. As zyrtarë lokalë e as qytetarë. Pilotet i shkarkuan pakot me ushqime, ndërsa helikopteri duhet të qëndronte pezull pasi rrezikonte të mbetej në dëborë.
Pasi u shkarkuan, pilotët u detyruan t’i ringarkonin serish pakot me ushqime, duke u ngritur edhe njëherë në fluturim. Por pas pesë minutave në qiell, pilotët u urdhëruan të rikthehen sërish në stadium. Dhe ishin sërish pilotet që i shkarkuan ndihmat ushqimore.
Të njëjtin fat kishte patur edhe një tjetër ekuipazh, i cili priti edhe mbi 20 minuta në ajër që dikush të merrte pakot me ushqime që u shkarkuan. Madje piloti kryesor i helikopterit, pasi shkarkimit të ndihmave zbriti vetë për të lajmëruar autoritetet lokale apo çdokënd që mund te shikonte, se ne Puke mbërritën dërgesat e ushqimeve.
Pilotet u larguan nga stadiumi duke i lënë pakot me ushqime në fushën e bardhë, me shpresën se autoritetet lokale do t’i marrin para se t’i mbulojë dëbora. /TCH







