Kombi në pikën e verbër

0
25

Problemi me Lubonjën është se ai injoron, ose e fshin nga kujtesa përdorimin dhe kuptimin kryesor dhe më të përhapur të fjalëve “komb” dhe “kombësi” në gjuhën shqipe, kudo që jetojnë shqiptarët

Nga Shkëlzen Maliqi, E martë, 02 Mars 2010

Përgjigje Fatos Lubonjës

Gjuha është instrument kryesor i komunikimit mes njerëzve dhe ajo vazhdimisht zhvillohet dhe pëson ndryshime, veçse nuk lejon arbitraritet – që zhvillimi dhe ndryshimi të bëhet sipas tekave ose imponimeve të dikujt. Kjo do të thotë se gjuhët kanë strukturën, rregullat dhe leksikun që është i ngulitur, kurse prurjet e reja dhe korrigjimet zakonisht sedimentohen mbi strukturat ekzistuese. Nga përvoja e dimë se për shpjegimin e fenomeneve të reja e të panjohura i shfrytëzojmë ngjashmëritë dhe analogjitë me fenomenet tashmë të njohura, prandaj edhe te zhvillimi i gjuhës ndodh e njëjta gjë. Për emërtimin e realiteteve, proceseve dhe koncepteve të reja shoqërore, për zbulimet dhe teknologjitë e reja etj., fjalët emërtuese mund të shpiken si neologjizma, ose të huazohen nga gjuhët tjera. Por ka edhe mundësi të tjera, për shembull, të përkthehet nocioni që mungon nga një gjuhë tjetër, ose të përdoren fjalët ekzistuese ashtu siç janë, ose të modifikuara me parashtesa dhe prapashtesa, gjithnjë duke treguar se kjo fjalë ka edhe një kuptim të ri.

Në debatin me Fatos Lubonjën për fjalën “komb”, që po zhvillohet si një bisht i debatit tjetër për projektin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, ku janë shfaqur dyshimet nëse do të duhej të regjistrohej edhe kombësia dhe përkatësia fetare e banorëve rezidentë të Shqipërisë, unë pata shfaqur rezerva për kuptimin që u jep Lubonja fjalëve “komb” dhe “kombësi”, sepse konsideroja se ky është një qëndrim miop që çon drejt ngatërresave dhe konfuzioneve të panevojshme. Lubonja kishte insistuar, dhe sërish e forcon këtë argument edhe në reagimin ndaj intervenimit tim, se fjalët “komb” dhe derivati “kombësi” duhet të kenë ekskluzivisht atë kuptim që i kanë ekuivalentet e tyre “nation” dhe “nationality” në gjuhën angleze, si dhe ato në gjuhën frënge.

Sipas tij, fjalët “komb” dhe “kombësi” nuk emërtojnë përkatësinë etnike ose, siç preferon të thotë Lubonja – përkatësinë etnolinguistike të një popullate, por ato denotojnë përkatësinë shtetërore të një popullate. Sipas kësaj logjike, ekzistojnë kombet si ai amerikan, francez etj., që përfshijnë të gjithë shtetasit e SHBA-ve dhe të Francës, pa dallim etnie, race, feje, gjuhe etj. Dhe, sipas analogjisë, Lubonja insiston se ekziston edhe kombi shqiptar që përbëhet vetëm nga ata që e kanë shtetësinë e Shqipërisë, dhe përjashton grupet e mëdha dhe individët që e kanë shtetësinë e ndonjë shteti tjetër. Si pasojë, me krijimin e shtetit të Kosovës, duhet të flitet dhe të legjitimohet në po këtë kuptim edhe kombi kosovar, i përbërë nga të gjithë shtetasit e Kosovës, ku marrin pjesë të gjitha komunitetet etnolinguistike që jetojnë në Kosovë, pra jo vetëm shumica shqiptare, por edhe minoriteti serb, turk, boshnjak, goran, mysliman, ashkali, egjiptian, rom, që janë edhe kategori kushtetuese me privilegj të përfaqësimit obligues në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë insistim të Lubonjës, që ka edhe përkrahës të flaktë në Kosovë, problematik është bërë edhe emërtimi shqiptar i atyre komuniteteve etnolinguistike jashtë Shqipërisë – në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe Bujanocit – që veten e quajnë shqiptarë dhe gjithnjë janë konsideruar si pjesë e kombit shqiptar. Madje, Lubonja nguron që ta përdorë emërtuesin “shqiptar” për subjektet etnolinguistike jashtë Shqipërisë. Këta “shqiptarë”, që nuk po bëkan pjesë në kombin shqiptar, por duhet të konsiderohen pjesë e kombit serb, maqedonas, malazez, kosovar, megjithatë edhe më tej në regjistrimet e popullsisë do të deklarohen se janë me kombësi shqiptare, sepse gjithkund në këto vende janë kategori kushtetuese, kuptohet me statusin që dallon nga rasti në rast, por që sigurisht nuk do të pranonin, ose do të ishte ofenduese dhe degraduese për ta, që të quheshin vetëm grupe etnolinguistike, siç i quan Lubonja.

Problemi me Lubonjën është se ai injoron, ose fshin nga kujtesa përdorimin dhe kuptimin kryesor dhe më të përhapur të fjalëve “komb” dhe “kombësi” në gjuhën shqipe, kudo që jetojnë shqiptarët. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, fjala “komb” ka dy zëra, me dy kuptime në zërin e parë dhe pesë kuptime në zërin tjetër. Vetëm zëri i parë është me interes për këtë diskutim. Në zërin e parë të fjalorit mund të lexohet ky definicion: “Komb – 1. Bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës; Kombi shqiptar; e drejta e kombeve për vetëvendosje; baballarët e kombit; 2. spec. shtet, vend. Lidhja e Kombeve, Organizata e Kombeve të Bashkuara”.

Siç mund të shihet, pa marrë parasysh saktësinë dhe përfshirjen në shpjegimin e kuptimit të parë, linguistët kanë konsideruar se kuptimi kryesor i fjalës “komb” është ai i një bashkësie njerëzish që i lidh, ta them më thjesht, historia, gjuha, territori dhe kultura. Unë do t’i shtoja definicionit edhe vetëdijen dhe vetëpërcaktimin me një emërues të qenit një popull, etni apo komb. Dhe nga ky kuptim i parë dalin shumë nocione, ose togfjalësha, që janë bërë të pazëvendësueshëm në komunikim: ndjenja kombëtare, çështja kombëtare, pavarësia kombëtare, zgjimi kombëtar, çlirimi kombëtar, flamuri kombëtar, festë kombëtare, kombëtarizoj, kombëtarizëm, komb i zgjedhur, hero kombëtar etj., etj.

Kuptimi i dytë i fjalës komb është ai i shtetit ose vendit, dhe për këtë hartuesit e fjalorit kanë dhënë shpjegimin se është një kuptim special, ose term që përdoret në disa fusha.

Lubonja në shkrimin e tij kapet vetëm për këtë kuptimin e dytë, duke e konsideruar më të përshtatshëm për përkthimin e nocionit “nation” në anglisht, dhe mbi këtë edhe ndërton të gjitha argumentet, duke nxjerrë një përfundim, se kuptimi i parë i fjalës “komb”, që është më i përhapur dhe më i ngulitur, jo vetëm se nuk është i saktë, por edhe përdoruesit e tij në këtë kuptim janë në lajthitje dhe mbrojnë një koncept antidemokratik, madje edhe antieuropian, sepse e kanë një vizion me sherr, ideologjikisht të çoroditur e të mbrapshtë, që lidhet me mendësi të vjetër, nacionaliste ose, në rastin konkret, me mendësi shqiptaromadhe!

Nuk dua të futem – më shumë se ç’është e nevojshme në këtë rast – në debat për botëkuptimet, por më duhet të them se ky konkludim i Lubonjës, edhe pse i thënë disi me gjysmë goje, është thjesht skandaloz. Përdorimi i fjalës komb në kuptimin e parë nuk është konstrukt ideologjik, por thjesht në emërtues neutral për një çështje dhe identitet që edhe ashtu kërkon emër të përbashkët. Shqiptarët, baskët, kurdët, rusët, kroatët, serbët, suedezët etj., jetojnë në disa shtete të ndryshme, por nuk mund t’i ndalosh ata vetë, pjesëtarët e këtyre kombeve, që të kenë një emër të përbashkët dhe të quhen me atë emërues që në shqip ka qëlluar të jetë fjala “komb”. Tjetër gjë është që ata si një komb shpesh jetojnë në disa shtete, diku si shumicë, diku si pakicë, dhe ky është një identitet tjetër dhe shtesë e tyre, që edhe ai e ka emrin e vet, po kështu të përgjithshëm. Sido që të quhen këto bashkësi shtetërore, nacion apo qytetari, apo ndryshe, është çështje e marrëveshjes gjuhësore, dhe tekefundit mund të quhen edhe komb, sepse gjuha lejon që me një fjalë të emërtohen dy gjëra, dy koncepte, dy tërësi të ndryshme, por që çdo herë duhet të ceket për cilën gjë mendohet kur përdoret një fjalë e tillë me dy kuptime. Në rastin konkret, Lubonja mbase ka të drejtë të përdorë fjalën “komb” në kuptimin, të themi amerikan, të fjalës “nation”, por duke e ditur se gjuha shqipe lejon edhe përdorimin tjetër, të themi tradicional, që është sinonim me popullin, etninë dhe përkatësinë e një kombësie, që nuk është doemos ai i shtetit-komb.

Insistimi i Lubonjës në kuptimin e dytë, dhe stigmatizimi me nacionalizëm që i bën kuptimit të parë, tashmë i ngulitur si i tillë në diskursin e shkencave sociale dhe në shtypin dhe në gjuhën e përditshme, për mua paraqet një dhunim të gjuhës dhe të koncepteve që i ndajnë shumica, dhe ato assesi nuk bartin domosdoshmërish ngarkesat ideologjike që i sheh Lubonja. Nëse do të aprovohej mendimi i tij, do të duhej të ndryshonim ose të kinim kujdes gjatë leximit të librave dhe dokumenteve ose ligjërimeve të mijëra e mijëra autorëve, që kanë folur për kombin dhe kombësinë shqiptare, ose edhe kombet tjera, në kuptimin e parë dhe jo në të dytin. Ky është një insistim i tepruar dhe joracional. Nuk ka aspak nevojë që fjalët komb dhe kombësi të marrin vetëm kuptimin special “nation” dhe “nationality”, kur për këto nocione mund të përdoren fjalë tjera, si shtet dhe shtetësi, ose edhe nacion dhe nacionalitet, nëse duam t’i mbetemi besnik burimit në anglisht dhe frëngjisht.

Por edhe në gjuhët botërore nuk bëhet gjithnjë i qartë dallimi që bën Lubonja. P.sh., fjala nacionalizëm, e derivuar nga nation, ta kujton gati ekskluzivisht esencializimin dhe ekskluzivizmin e një kombi, apo etnie etj., në kuptimin e parë, dhe gati që nuk ka kuptim në kuptimin e dytë.

Lubonja më bën vërejtje pse kam thënë se në Maqedoni “thellohen marrëdhëniet ndëretnike” dhe jo, siç do të duhem me konceptin që përfaqësoj – “marrëdhëniet ndërkombëtare”. Kjo është bërë për arsye se togfjalëshi “marrëdhënie ndërkombëtare” prej kohësh përdoret për aktivitetet që në të vërtetë janë “marrëdhënie ndërshtetërore”, dhe do të keqkuptohesha nëse do të thosha “kriza e marrëdhënieve ndërkombëtare”. Në këtë rast është marrë si bazë kuptimi i dytë i fjalës “komb”, dhe edhe kjo është në rregull nga aspekti gjuhësor, por dhe nga ai konceptual.

Por, nëse fjalët “komb” dhe “kombësi” do t’i përdornim në kuptimin e dytë, siç na sugjeron Lubonja, kjo do të shkaktonte probleme serioze në emërtimin e përkatësisë shtetërore të “grupeve etnolingustike” (Lubonja), ku popullsia shumicë e ka marrë emrin e territorit, ose ia ka dhënë emrin territorit të caktuar. Nuk ka aspak lezet dhe nuk bëhet faktor integrimi dhe demokratizimi në asnjë variant nëse shqiptarët e Maqedonisë, sipas konceptit të Lubonjës, i detyron që ta konsiderojnë vetën pjesë të kombit maqedonas, ndërkaq që këtë emër e ka marrë për vete popullsia sllavo-maqedonase. Ky procedim lubonjian do t’u tingëllonte atyre si një lloj ftese për asimilim. Por, kuptohet se nuk ka problem që në pasaporta të thuhet se janë të nacionalitetit apo shtetësisë maqedonase.

Me Kosovën është më lehtë, sepse nuk ka popullsi që veten e quan kosovare. Si emërtim i banorëve të një territori dhe një shteti mund të kalojë, por jo si komb i ri dhe në vete, që do t’i asimilonte etnitë e ndryshme.

Rusët që vetën e shohin si pjesë të kombit të përbërë dhe të madh rus, nuk do të bëhen me qejf pjesë e kombit lituanez apo kazakistanas etj., përderisa edhe ata me shumicë e kanë konceptin e përkatësisë etnike po aq të shprehur sa serbët dhe kroatët në Bosnje, kurdët në Turqi, Siri, Irak dhe Iran, baskët në Spanjë dhe Francë etj. Disa prej këtyre kombeve ose popujve nuk e pranojnë fare as shtetin që i shtyp dhe asimilon, e lëre më që të asimilohen gjuhësisht në një komb, në kuptimin që insiston Lubonja, i cili do të quhej turk, spanjoll apo boshnjak…

Shembulli i Zvicrës, të cilin Lubonja e përmend si ideal të integrimit të grupeve të ndryshme etnolingustike në një komb zviceran, është vërtet shembull shumë specifik dhe i avancuar, por këtu miopia është se harrohet historia e rastit – në Zvicër me qindra vjet janë zhvilluar luftëra dhe konflikte, derisa nuk është gjetur formula e një sistemi konfederal me shumë kantone, sistem ky që i ka dhënë siguri të plotë në mbrojtjen e veçantive dhe identiteteve të ndara kombëtare, kulturore e të tjera “grupeve etnolinguistike zvicerane” me veçantitë e tyre konstitutive. Deklarimin e përkatësisë shtetërore dhe territoriale – se janë zviceranë para se të jenë gjermanë, francezë apo italianë – popullsia e konfederatës zvicerane e ka krijuar me shumë mund dhe falë sistemit të detajuar të mbrojtjes së veçantive. Will Kymlicka, në librin “Multicultural citizenship” (1995), e thekson pikërisht këtë aspekt të dialektikës së veçantës dhe të përgjithshmes në përkatësinë zvicerane: “Në Zvicër si shtet multinacional, grupet nacionale ndihen të lidhura më gjerë me shtetin e tyre vetëm për atë se ky shtet njeh dhe respekton ekzistimin e tyre të veçantë nacional”.

Etimologjikisht, fjala shqipe “komb” thuhet se është huazim nga greqishtja e re, dhe nuk determinon si e tillë, me kuptimin bazë, lidhjen me fjalën “nation”. Gustav Meyeri e nxjerr fjalën komb (komp) nga kompos – nyje, kops; e që ka marrë kuptime transitive edhe për “kopsat”, “nyjat” ose lidhjet sociale, pra si sinonim për familjen, brezin, popullin dhe nacionin.

Nuk ka asgjë mistike dhe të keqe në fjalët komb dhe kombësi në kuptimin e bashkësisë së gjerë etnike, gjuhësore dhe kulturore, dhe bërjen e dallimit të tyre nga shteti (nacioni) dhe shtetësia (nacionaliteti). Mbase nevojitet një debat për këto çështje edhe më sqarues se ky që po e zhvillojmë tash, pa paragjykime pse përdoret kjo apo ajo fjalë, dhe sidomos pa turpin që të emërtohet kombi shqiptar si një tërësi që shtrihet në disa shtete. Ta konsiderosh këtë tërësi nuk çon domosdo në ideologji shqiptaromadhe, por ka edhe zgjidhje tjera të civilizuara të çështjes kombëtare shqiptare. Njëra prej tyre është edhe përfshirja e kombit në tërësi në Bashkimin Europian. Por nuk është jolegjitime që të kihen parasysh edhe mundësi të tjera, sepse ky rend botëror ndoshta edhe nuk është i përjetshëm, ndërkaq njëra prej të drejtave të njeriut është edhe që të mbrohet veçantia kulturore dhe kombëtare me mjete solidare, qoftë demokratike, qoftë edhe militare, në rastet kur kërcënohet ekzistenca e kombit.

Kam respekt për Fatos Lubonjën dhe ndaj shumë mendime të tija, por në këtë rast ai aspak nuk kishte të drejtë.