Nga Tema
Gazeta “TemA” ndjehet sot krenare për misionin e saj. Ajo është e bindur se denoncimi i dosjes ARMO ka qenë një nga kulmet e gazetarisë investigative në vend.
Afera që ne kemi denoncuar të parët dhe me mjaft guxim, tashmë po merr vulën e vetë organeve shtetërore.
Ne ishim të parët dhe të vetmit që kemi hedhur dritë mbi projektin e Berishës për të ndërtuar një monopol në duart e tij në fushën e hidrokarbureve.
– Gazeta “TemA” ishte e para që shkroi se pas atij që quhej konsorcium amerikan, që do të blinte kompaninë shtetërore ARMO, fshihej vetëm Rezart Taçi, një biznesmen shqiptar, që ishte përgatitur për të hyrë në këtë tender nga studio ligjore e bijës së kryeministrit shqiptar, Argita Malltezi.
Nuk u desh shumë kohë që kjo e vërtetë të zbulohej nga vetë Taçi, që pranoi se ishte ai që kishte blerë kompaninë ARMO. Dy kompani që ishin përdorur si koperturë, u tërhoqën dhe gjithçka mbeti në duart e tij.
– “TemA” paralajmëroi gjithashtu se Taçi nuk kishte ndërmend që të paguante asnjë lek për blerjen e kompanisë. Edhe ky pretendim i gazetës “TemA” u vërtetua, për shkak se në arkën e shtetit nuk shkoi asnjë lek, siç parashikohej, dhe opozita e denoncoi këtë fakt. Taçi madje ndryshoi publikisht valutën, në të cilën do të duhej të paguante, nga euro në dollarë, duke e ulur ndjeshëm vlerën. Zullumi i pagesës u trash, kur në lojë u fut një bankë pranë familjes Berisha, e cila garantoi një kredi për Taçin, një ditë pasi Taçi pranoi në mbledhjen e kompanisë se duhej të merrej një kredi, duke dhunuar kështu kontratën e nënshkruar.
– “TemA” paralajmëroi gjithashtu se Berisha kishte ndërmend të miratonte një vendim qeverie që do i jepte Taçit monopolin e naftës në vend. Pas shumë muajsh zërit të “TemA”-s iu bashkua vetë Gjykata Kushtetuese, kur e shpalli antikushtetues vendimin e Berishës. Madje ajo shtoi se vendimi binte në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
– “TemA” ishte gazeta që denoncoi e para evazionin fiskal në përmasa gjigante nga ana e “Taçi Oil” dhe ARMO. “Faktori Plus” denoncoi se kjo kompani duhej të kontrollohej nga shteti në çdo fillim muaji, sipas një vendimi të qeverisë, por kjo nuk kishte ndodhur. Vetëm pas shumë muajsh, kur Taçi kishte zhveshur shtetin, tatimorët bënë fakt të kryer atë që “TemA” kishte denoncuar, kur shkuan dhe bllokuan aktivitetin e tij.
– Ne denoncuam të parët se Taçi po përdorte dhunën fizike me anë të truprojave të tij për të kaluar naftë kontrabandë, dhe kjo u bë krejt publike në rastin më të fundit të dhunës ndaj drejtuesit të gazetës “TemA”.
– Ne denoncuam se Taçi dhe të tjerë biznesmenë pranë qeverisë po përdornin policinë si levë të tyren, dhe kjo u pa në dritën e diellit, ditën kur tatimorët shkuan për të bllokuar aktivitetin e tij.
– “TemA” ishte e para që paralajmëroi se kompania tjetër shtetërore, “Albpetrol”, po futej në kolaps, për shkak se Taçi u merrte mall pa paguar asnjë pará, dhe kjo u vërtetua, kur vetë drejtori i ri i “Albpetrol” bëri të ditur se kompania e tij është në krizë, për shkak të milionave që Taçi nuk u paguan atyre.
– Ne thamë se Taçi është një biznesmen që “kullot”, dhe te Berisha, dhe te Meta, dhe kjo u pa qartë, kur ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, shprehu nevojën për të falur borxhet ndaj Taçit.
– Ne ishim të parët që ngritëm zërin se Taçi po mashtronte hapur, kur fliste për prodhimin e Eurodiesel në vend, ndërkohë që po qelb Shqipërinë me naftë me cilësi jashtëzakonisht të ulët, dhe tashmë është opozita që po deklaron se Taçi nuk ka zbatuar asnjë pikë të kontratës për investimet.
– Ne ishim dhe do të jemi sërish ata që do themi përditë që Taçi, ashtu siç thonë kolegët tanë të lirë në Itali, është një krijesë e Berishës. Dhe ky i fundit kurrë nuk do guxojë të përmendë emrin e tij. Atë e ka bërë vetëm në vitin 2005. Kur mashtroi shqiptarët. Tani e quan Caci.