TemA Online, 12 Shkurt 2012
Shqipëria, Egjipti, Tajlanda apo Gjeorgjia janë disa nga shtetet që kanë lobuar fuqishëm pranë zyrtarëve dhe kongresmenëve amerikanë nëpërmjet firmës së njohur ‘Podesta Group’. Gjatë vitit 2011, qeveria shqiptare ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për të lobuar në senatin dhe kongresin amerikan, me qëllim për rregullimin e imazhit, por siç dhe bëjnë të ditur dokumentet e zbuluara nga “Shqip”, për përmirësimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Por kryesorja, siç duket, ka qenë sigurimi i një vizite për Berishën në SHBA, si dhe pjesëmarrja e tij në mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ.
Që nga 15 gushti i vitit 2011, përfaqësuesit e firmës lobuese të ‘Podesta Group’ rezultojnë se kanë kryer 20 herë kontakte me përfaqësues të NASDAQ. Kontakti i fundit telefonik i përket 26 shtatorit të vitit të kaluar. Afro pesë ditë pas mbylljes së vizitës së Kryeministrit Sali Berisha në SHBA, të cilën qeveria e cilësoi si shumë të suksesshme, pasi zyrtari i lartë i ekzekutivit “shtypi më pas butonin e ziles që sinjalizon mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ dhe iu dorëzua trofeu që simbolikisht u jepet personaliteteve botërore që bëjnë mbylljen ditore të bursës”.
Pikërisht në datën 26 shtator, zyrtarë të ‘Podesta’-s kanë kryer kontaktet, sipas dokumenteve zyrtare, me David Wicks, Jameel Johnson, Diana Tas, Jennifer Knapp dhe Glenn Hutcbins. Ndërsa sipas dokumenteve, ndër personat që kanë kontaktuar ‘Podesta’ është dhe David Wicks, numri dy i NASDAQ. Në njoftimin e qeverisë bëhej e ditur se gjatë vizitës së tij në SHBA, “Kryeministri ishte i ftuar i nderit për të bërë mbylljen e sesionit ditor të bursës së mirënjohur amerikane NASDAQ, në ‘Times Square’, New York.
Kryeministri u prit nga zëvendëspresidenti i NASDAQ, David Wicks, i cili bëri më pas prezantimin e Kryeministrit Berisha si personaliteti botëror, që sipas traditës së kësaj burse, do të bëjë mbylljen e sesionit ditor të saj”, – thuhet në njoftimin zyrtar. Po i njëjti njoftim i datës 21 shtator bën të ditur se, zëvendëspresidenti i NASDAQ, David Wicks u shpreh se: “Është me të vërtetë kënaqësia ime që të mirëpres në NASDAQ shkëlqesinë e tij, Kryeministrin Sali Berisha”. Ndërsa faktet tregojnë se ai është paguar për të lobuar në klasën politike dhe financiare të SHBA.
Kostoja e vizitës
Sipas dokumenteve zyrtare të ‘Podesta Group’, bëhet e ditur se qeveria shqiptare për këtë lobim të realizuar nga muaji mars deri në shtator të 2011 ka paguar shumën e 360 mijë dollarëve amerikanë. Pagesa e parë, sipas të dokumenteve që gazeta “Shqip” disponon, është bërë më datën 11 mars të vitit 2011. Shuma e derdhur që figuron është 180 mijë USD. Ndërsa pagesën e dytë, qeveria shqiptare e ka kryer më 26 shtator, pikërisht pesë ditë pasi Kryeministri mbylli zyrtarisht bursën e NASDAQ, në SHBA. Kësti i dytë i pagesës së kryer është po 180 mijë dollarë amerikanë. Po përveç këtyre tarifave, mësohet se qeveria shqiptare ka kryer dhe pagesa shtesë po në këto dy data, pra më 11 mars dhe në 26 shtator, të titulluar në zërin e rimbursimeve, përkatësisht me 5,813.46 USD dhe 6,919;64 USD.
Këto shpenzime prej rreth 13 mijë USD janë veçmas dhe përbëjnë pagesën e ‘Podesta’ për punën e kryer prej saj. Shqipëria prej vitesh ka lobuar me anë të firmave të ndryshme. Fillimisht kjo justifikohej me qëllimin që kishte shteti shqiptar për të qenë anëtar i NATO-s. Por një objektiv i tillë është arritur prej afro tre vitesh dhe nuk dihet se pse aktualisht ekzekutivi shqiptar vazhdon të shpenzojë në mënyrë permanente paratë e taksapaguesve shqiptarë, tashmë vetëm për vizita zyrtarësh apo për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, të cilat pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, janë lëkundur disi./Shqip







