Baze: Ky është regjimi që ka shpikur mosndëshkimin me ligj, por me vetëgjyqësi

0
29

Mero Baze

Nga Enton Palushi, kryeredaktor i gazetës TemA

Zoti Baze, një përshkrim të shkurtër të ngjarjes?

Dy kolegët e mi, Andi Bushati dhe Arban Hasani, më ftuan për një kafe pasi përfundoi emisioni “Zonë e Ndaluar”. Shkova rreth orës 23 tek lokali ku po më prisnin, diku afër bllokut. Ndërsa po bisedonim normalisht, në tavolinë shfaqet Rezart Taçi nga errësira e fundit të lokalit. U gjendëm shumë të papërgatitur dhe thjesht tentova të tërhiqem pas kur ai më qëlloi duke më sharë. Por befas pashë që tavolina ishte rrethuar nga bodyguard-ë të tij, të cilët nën shembullin e pronarit të vet nisën të gjuajnë. Nuk mbaj mend shumë detaje se humba vetëdijen për pak çaste, por me ç’pashë më vonë, pozicioni ku isha, më kishte mbrojtur nga ndonjë dëmtim fatal. Po ashtu kolegu im Bushati, që ishte para meje, ishte bërë në një farë mënyre barrikadë për të mos më qëlluar dot në pjesën përpara.

A dukej se sulmi ishte i menduar apo i çastit?

Nuk di të them sa kohë më parë ka qenë i menduar, por natyrisht që ka qenë diçka që mund ta kenë menduar dhe kanë pritur të gjejnë rastin. Mënyra si u sollën me dy kolegët e mi, duke bërë kujdes të mos i preknin, do të thotë se nuk janë sjellë si vrasës të papërgjegjshëm, por si mafiozë të mirëinstruktuar. Dhe përpjekja për të qëlluar vetëm në pjesën e pasme të kokës, ku dhe mund të traumatizohesh përjetë, ishte kriminale. Mendoj se ata kanë vendosur të qëllojnë kur kanë parë që unë hyra në lokalin ku ata rrinin. Ndoshta pas 20 minutash ata vendosën të sulmojnë, dhe na rrethuan papritur duke më sulmuar.

Sa i vetëdijshëm keni qenë për rrezikun për shkak të profesionit?

Rreziku i shoqëron gazetarët si ndryshku hekurin. Sa herë që shoqëria degradon, sa herë për lirinë ka mjedis të papërshtatshëm, aq herë ky ndryshk priret të sulmojë që të brejë profesionin e gazetarit. Nuk është në dorën tonë shmangim rreziqet. Jemi të dënuar të bashkëjetojmë me to. Në dorën tonë është të bëjmë punën tonë. Rrezikun nga mjedisi ynë duhet ta zhdukë shteti ligjor dhe një qeverisje që jep shembull frymëzimi kundër krimit, kundër këtyre personave dhe pro standardeve të lirisë për median. Fatkeqësisht qeveria ime dhe e bashkëqytetarëve të mi është aleate e këtij banditi, frymëzuese e keqe kundër lirisë së medias dhe degraduese e standardeve të lirisë në këtë vend.

Kryeministri bëri një deklaratë ku dënoi aktin e dhunës?

E dëgjova dhe mu dhimbs sa i pafuqishëm është të përmendë emrin e Rezart Taçit. E di që emri i viktimës i krijon probleme, por së paku emrin e kriminelit duhet ta përmendte dhe ta dënonte. S’ka denjuar as vetë të bëjë deklaratë, por zyra e tij ka bërë një deklaratë të modës kineze të viteve ‘70 ku në vend që tu adresohet problemeve, flet për parime që i shkel nga mëngjesi në mbrëmje. Është e dhimbshme të shikosh kryeministrin e vendit tënd në atë pozicion, peng të një njeriu të përzgjedhur prej familjes së tij për tu bërë miliarder brenda natës.

Ç’mund të thoni për reagimin politik në përgjithësi?

Nuk pres të ngushëllohem nga reagimi politik, por nga shteti ligjor. Reagimi politik vlen vetëm për të kuptuar sa e inkriminuar është politika me krimin dhe sa fuqi ka të ndahet prej tij. Po të lexosh deklaratat e partisë së Berishës dhe partisë së Ilir Metës, e kupton sa të pafuqishëm janë të zënë në gojë emrin e kriminelit dhe t’i adresohen problemit me kurajë. Për kaq vlen reagimi politik. Vlen për të qenë shembull frymëzimi ose model i bashkëjetesës me krimin. Ajo ç’më kujton reagimi i partisë së Berishës dhe partisë së Ilir Metës është reagimi i njeriut në hall, kur djali i shtëpisë kapet në krim dhe përpiqesh të mos flasësh më për djalin, por për atë çfarë atij duhet t’i mësojnë në shkollë. Ato po sillen si njerëz në hall. Por shteti ligjor duhet të sillet më me dinjitet se pushteti politik.

Si ka qenë reagimi i forcave të rendit?

Nëse ka njerëz në hall pas gazetarëve në këtë vend, janë ata. Ekziston një polici që kërkon të bëjë detyrën e saj dhe një frymëzim politik kundër misionit të saj. Nuk mund të thuash asgjë të qortueshme për policët e Tiranës si profesionistë ose njerëz kurajozë. Ata janë shumë të mirë. Por ata nuk janë të lirë të jenë policë. Dhe ndryshe nga ne gazetarët që e kemi në dorë lirinë tonë, për ta mbrojtur apo dorëzuar, ata nuk e kanë dhe aq në dorë lirinë e tyre për të qenë profesionistë. Ata u sollën shumë korrekt me ngjarjen, erdhën në vendngjarje, më shoqëruan në spital dhe më dorëzuan tek mjekët.

Morën provat dhe u larguan. Drejtori i policisë së Tiranës dhe Drejtori i Përgjithshëm më vizituan dhe në spital. Pastaj më tej ata s’kanë asgjë në dorë. Të vinte keq për ta. Rezart Taçin nuk kishin fuqi ta arrestonin. Ai i merrte në telefon dhe u tregonte se kur mund të kishte kohë të shkonte t’i takonte. Përfytyroni një shtet që nuk ndalon dot një miliarder, që i ka zyrat në mes të Tiranës dhe që nga mëngjesi në mbrëmje përmend vetëm emrin e kryeministrit. Si mund të afrohet polici tek një njeri që sapo i afrohesh, bën sikur flet në telefon me Sali Berishën.

Cilat mund të jenë shkaqet që Rezart Taçi nuk u ndalua qysh në fillim?

Ata duan të shkatërrojnë provat. Mos harroni që tani Ministër i Rendit është një person në kërkim, që i ka shpëtuar një dënimi me procedurë. Ata thjesht duan të shikojnë dëshmitë tona dhe pastaj të shpikin ose shkatërrojnë prova të reja për rrethana lehtësuese për të. Ky është regjimi që ka shpikur mosndëshkimin me ligj, por me vetëgjyqësi. Vetëm ky regjim ka mundur të mbyll çështje të mëdha, për të cilat bota mund të kishte bërë luftëra civile, me procedura afatesh apo imunitete ministrash. Vetëm ky regjim ka mundur të mbyllë me procedurë gjykimin për vrasje të 26 personave apo pastrime të pastra paresh përmes sekserëve të familjes në pushtet. Mosndëshkueshmëria e krimit është identiteti i këtij regjimi. Lexoni progres-raportin e Bashkimit Europian se sa qartë e ka theksuar me dëshpërim faktin që në Shqipëri po krijohet modeli i të pandëshkueshmëve. Rezart Taçi, nëse më lejohet në krahasim, në këtë rast, është “kriminel race”.

Si e gjykoni solidaritetin e medias?

As që kam dyshuar ndonjëherë tek solidariteti i kolegëve të mi. Nuk më ka munguar kurrë. Edhe kur regjimet në këtë vend janë përpjekur të izolojnë gazetarë të veçantë përmes trustit mediatik, gazetarët nuk e kanë braktisur njëri- tjetrin. Në këtë rast duhet që solidariteti të mos jetë një gjest në mbështetje time, por një instrument për të vrarë frikën dhe për tu shkuar deri në fund të vërtetave të hidhura të këtij regjim. Solidariteti më i madh për mua, është që të shikoj sa më pak lajme të gënjeshtra për Rezart Taçin, sa më pak gënjeshtra të paguara prej tij, sa më pak përpjekje për të penguar shtetin të hetojë evazionin e tij fiskal prej qindra miliona eurosh për shkak të lidhjeve me pushtetin. Solidaritet për mua është që kolegët e mi të kenë mundësinë të thonë të vërtetën për këtë njeri që ka blerë pushtetin politik dhe atë publik me para që ua merr nga xhepat taksapaguesve shqiptarë. Ky solidaritet më bën të ndjehem i dobishëm për kolegët e mi.