FILLIMI I OPOZITËS, OSE OPOZITA SI KONCEPTUALITET

0
101

Dr. Moikom Zeqo

Dr. Moikom Zeqo

IDETË I KEMI SI SYZET
Woody Allen

Që në fillim e them se jam për fuqizimin e opozitës, jo për dobësimin e saj. Opozita është mrekullia e pluralizmit politik, e mohuar dhe e asgjësuar në sistemet totalitare. Kriticizmi i opozitës është jo vetëm katarsis, shpresë, por dhe pllenimi i të gjitha zhvillimeve të reja.

Opozita nuk është instrument, është konceptualitet. Për shkak të qarkullimit të pushteteve atributi dhe statusi i opozitës lëviz, madje konvertohet. Çdo opozitë vjen në pushtet, pra e humb atributin e mëparshëm, për t’u larguar nga pushteti, për ta rifituar përsëri këtë atribut. Karakteri instrumental i opozitës nuk është i vijueshëm, ndërpritet, për të rifituar përsëri statusin kriticist. Kjo përkohshmëri ka rregullsi kushtetuese.

Prandaj e theksoj edhe njëherë se opozita nuk është instrument, por konceptualitet. Opozita shqiptare është në kërkimin e vetvetes. Për shumë arsye. Institucionalizmi i saj është më i rëndësishëm sesa verbalizimi i saj. Hyrja e opozitës në Kuvend është një fillim, ndonëse i vonuar ky fillim është në të mirën e të gjithëve. Pra ka një potencial të brendshëm dhe të pafund. Është një modus operandi për të mos qenë modus moriendi. Pse? Mos është një mbivlerësim? Një misionarizëm? Opozita nuk bazohet te misionarizmi, por te kriticizmi. “Një qeverisje e keqe, – thotë Max Weber, – tregon se ka një opozitë të keqe”. Kjo është një logjikë. Një e vërtetë.

Opozita flet me të drejtë për krizën politike. Kriza në një kuptim filozofik është diçka e përhershme. Nuk duhet fetishizuar subjektiviteti politik i kujtdo qoftë. Kriza është substanca e zhvillimit. “Nuk ka histori normale”, ka shkruar dikur me zgjuarsi Pol Valeria, – paradoksi është formë e normalitetit të historisë”. Kriza është e përbotshme, por jo apokaliptike. Kriza në Shqipëri ka qenë dhe do të jetë. Për shkak të luftës politike tejet të skajshme, kriza objektive subjektivizohet marrëzisht. Më konkretisht, kriza politike në Shqipëri duhet të perceptohet drejt. Ajo është një krizë e vijuar për shkak të marrëzive të mëdha diletante, ose patriarkale ballkanike të klasës politike në të gjithë spektrin pa përjashtim. Kriza politike e tanishme e ka megjithatë një shpjegim. Shpjegimi do gjakftohtësi, por dhe ndershmëri. Konfliktualiteti midis PS dhe PD është bërë gati mitik, por në thelb nuk është mitik. Po artikuloj vështrimin tim personal, të pandikuar nga të tjerët. Zgjedhjet e 28 qershorit u konceptuan nga një marrëveshje e bujshme, plot probleme konceptuale midis PS dhe PD. E përsëris se në 28 qershor asnjë parti politike nuk i fitoi zgjedhjet. Edhe PS sikur të kishte fituar disa deputetë më tepër, përsëri nuk mund të quhej fitimtare. Aleanca qeverisëse e PD me LSI, nga pikëpamja formale juridike e arriti statusin kushtetues. Duhet të ishte e kundërta. Aleanca e PS me LSI u konceptua marrëzishëm, jo thjesht si dualitet, por si antagonizëm. Kriticizmi personal nuk ka asnjë vlerë në politikë. Virtytet dhe mëkatet e kryetarëve të partive ndikojnë, por nuk përcaktojnë substancën politike. Kontradiktat e vetvetes nuk janë me domosdo kontradiktat e të tjerëve dhe anasjelltas. Humbja e zgjedhjeve nga PS (PS i ka njohur juridiksht humbjen dhe mandatet e të gjithë deputetëve në Parlament) prodhoi një krizë te vetë PS. Kjo qe një vështirësi e madhe, një tendosje e tmerrshme. Mungoi gjakftohtësia që është parakusht e larpamësisë. U fatalizua humbja. Zgjedhja e bojkotit qe megjithatë një lëvizje politike, që çuditërisht u dogmatizua. Ndërkombëtarizimi i bojkotit u arrit. Si qytetar i këtij vendi nuk më pëlqen parabola, sipas së cilës kur zihet burri dhe gruaja kërkohet ndihma e komshiut për t’i pajtuar. Kjo tregon nivelin e ulët dhe të papërgjegjshëm të klasës politike shqiptare, madje një kompleks të kotë. Por si qe ndërkombëtarizimi i bojkotit? Si aprovim apo si detyrim? Unë nuk di asnjë nga ndërkombëtarët ta ketë pohuar bojkotin. Të gjithë argumentuan institucionalizimin parlamentar.

Bojkoti e kërkon një kauzë. Por a ishte hapja e kutive një kauzë? A është shëmbëlltyra e fshatit Ruzhdie (e tmerrshme!) ideja më e patjetërsueshme e bojkotit? Standardet e zgjedhjeve në Shqipëri kanë qenë problematike, kam frikë se kjo problematikë do të vazhdojë, por duke u zbehur përfundimisht. Por çfarë janë standardet? Janë një e drejtë politike kushtetuese e përcaktuar nga mekanika asnjanëse e numërimit real të votave. Kjo gjë nuk arrihet me komisionerët partiakë. Nëse komisionerët e PD i mashtruan ose i blenë komisionerët e PS, atëherë mund të themi se teorikisht ekzistonte dhe mundësia që komisionerët e PS të mashtronin dhe të blinin komisionerët e PD. Që ka një pisllëk të neveritshëm në këtë çështje kjo nuk ka asnjë dyshim. Që këmbëngulja e PS për standardet është një e drejtë e të gjithëve, as kjo nuk ka asnjë dyshim. Po a janë standardet gjithçka? Standarde të numërimit nuk ka vetëm në politikë, por ka në shumë fusha të jetës. Standardet e numërimit kanë një karakter formal të padiskutueshëm. Por këto standarde nuk konceptualizojnë politikën. Kjo është një çështje e diskutuar mrekullisht nga Karl Poper. Poperi i sjell dy shembuj kuptimplotë në argumentet e tij. Me votim të pamanipuluar Aeropagu e dënoi me vdekje Sokratin. Vendimi i quajtur demokratik qe fatal. Po kështu me votime të rregullta, numerikisht të pakontestuara erdhi në fuqi Hitleri. Pra standardet e drejta nuk i shmangin dot gabimet konceptuale.
Atëherë, pas formës, le t’i përkushtohemi përmbajtjes. Politika e opozitës ka një karakter më universal. Asnjëherë opozita shqiptare nuk ka pasur 64 deputetë. Deputeti quhet i tillë nga parimi kontraktual kushtetues dhe jo nga vetitë e tij intelektuale. Formalisht me hyrjen e deputetëve të PS në Kuvend, pas betimit të tyre, ata nuk duhet të konceptohen thjesht si potencialë apo në gjendjen paraprake para betimit. Opozita nuk rri në paradhomë.

Nëse opozita kërkon t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike duke përfshirë edhe protestat, unë kam të drejtë të pyes: Ç’të keqe ka nëse deputetët e PS do të luftojnë fuqishëm në Kuvend dhe njëkohësisht PS të organizojë protesta sensibilizuese? Pse veçohen dhe ndahen këto dy elementë? Kush e ka konceptuar këtë ndarje në dysh të fuqisë dhe të veprimit të opozitës? Çfarë bindje mund të quhet justifikuese? Si mundet që legjitimiteti i zgjedhjeve i njohur publikisht nga PS (përherë është deklaruar se e njohim rezultatin), me anë të bojkotit të stërzgjatur të minojë më tepër legjitimitetin e të vetëve? Ekletizmi i opozitës duhet shndërruar në konceptualitet. Është e vetmja rrugë që ka mbetur. Shpëtimtare. Rigjeneruese. Emancipuese. Nuk mundet një frazë e bujshme si “Hapni kutitë” (në fakt, artikulimi logjik do të ishte “T’i Hapim kutitë”, duke mos e koncentruar vetëm te PD, sepse është pa kuptim) të limitojë tërë vizionin e kriticizmit politik të PS. Parimi i rrugës, i protestave duhet kuptuar qartë, pa asnjë simplifikim. Kritika e rrugës, e mediave dhe e shoqërisë civile në Shqipëri është e dobët. Doni prova? Askush nuk proteston për ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike, ose të ushqimeve, as për përmbytjet etj. Këto janë çështje më ekzistenciale dhe më të mëdha sesa çdo fitore politike në zgjedhje. Nëse besohet se procesi i kimisë politike, i shtjellimit të degraduar të ngjarjeve në vetvete është dhe zgjidhja alkimike për të ardhur në pushtet, nuk mendoj se kjo do të ishte rruga e politikës si konceptualitet. Varfëria e ideve të opozitës është shqetësuese.

Protestat e rrugës kanë megjithatë një karakter konvencional. Është provuar në histori se dhe lëvizja studenteske e vitit 1967 në Francë, edhe lëvizja çeguevariste, nuk kanë qenë të suksesshme jashtë institucioneve të politikës. Eksperimentizmi i vonuar nuk i hyn në punë askujt. Opozita shqiptare ka nevojë për ide të fuqishme. Ajo ka nevojë për të forcuar homogjenitetin e saj. Deputetët “rebelë” të LMN nuk janë një parti më vete dhe as duhet të jenë një e tillë, pra PS dhe LMN janë e njëjta parti. Pse harrohet kjo? Pse nga kreu i PS nuk luftohet për homogjenitet? Pse deputetët e LMN të PS nuk kanë asnjë ide konstruktive për homogjentitetin e opozitës? Pse aleancat e opozitës ndërtohen me emra fiktivë? Pse politikanët dhe deputetët e PS nuk luftojnë për rigjetjen e identitetit politik të PS?
Thelbi i krizës politike në Shqipëri është qeverisja problematike. Përtej këtij thelbi të gjitha gjërat e tjera janë të dorës së dytë, ose stolisje të stilit barok, ornamental. Opozita duhet t’i largohet luftës së fjalëve që janë katandisur thjesht në shenja verbale, që automatikisht shkaktojnë marrëdhënie urrejtje dhe dashurie.

Për luftëtarin e fjalëve, fjalët janë armët-fjalë, jo idetë. Lufta e ideve mund të artikulohet me pak fjalë. Shumë fjalë shpesh nuk kanë asnjë ide. Opozita duhet fuqizuar dhe do të fuqizohet. Askush nuk mund ta pengojë opozitën që të luajë funksionin e saj publik dhe kushtetues. Por opozita fillon nga idetë e drejta. Opozita është gjithmonë programore. Opozita mediatike është një pjesë shumë e vogël e opozitës programore. Lufta e fjalëve është më shpesh emotive. Lufta programore është qartësi e pashlyeshme. Te çdo parti duhet një nivel i lartë intelektualiteti. Do mendim të kualifikuar politik. Nuk do spontanitet emocional. As inate të ndrydhura. As mesianizëm. Te çdo parti unitarizmi i Njëshit krijon mistikë, pasiguri, klonim, sterilitet. Partitë politike janë institucione të pashmangshme kombëtare. Janë legjitime përfundimisht. Në këtë optikë lufta politike nuk është as shkatërrim, as katastrofë, por është korrigjim, rikonstruktim dhe partneritet dhe shpesh konsensus për projektin e së ardhmes demokratike të Shqipërisë dhe të identitetit të saj dinjitoz në botën globale.
Fillimi i opozitës, asnjëherë nuk është i vonuar.

Çdo vonesë kronologjike nuk është fatale. Vonesat konceptuale, të ideve të mëdha dhe të vërteta janë ato që na vonojnë, na trishtojnë dhe na sfilisin me kosto të rënda, por krejt të panevojshme.