Prof. Mehdi Shkreli, 27.02.2010
Me eurobondin e nënshkruar kohët e fundit nga Qeveria Shqiptare, pas 18 vitesh demokraci, Shqipëria shkon drejt varësisë të plotë të kapitalit financiar bankar e si pasojë edhe spekulatorëve të mëdhenj botëror.
Nuk kam lexuar kushtet juridike dhe ekonomike që shoqërojnë këtë titull financiar të nënshkruar nga qeveria jonë, por pakënaqësia për taksën e lartë të financimit nga ky eurobond, që kryeministri Sali Berisha shfaqi në mbledhjen e Këshillin e Ministrave, lënë të nënkuptojë që këto kushte janë shumë të rënda për vendin tonë.
Në momentin aktual, kur taksat ndërkombëtare të interesit janë historikisht në nivelet më të ulëta, është e drejtë që edhe vendi ynë duhet të kërkojë financime monetare të ndryshme në tregun financiar europian e botëror.
Problemi qëndron, në taksën e interesit që duhet të paguajmë, në garancitë e vendosura dhe në për sa kohë duhet të paguhen këto interesa. Vendet e komunitetit europian financohen me taksat më të ulëta në treg, që shkojnë nga 3 deri 5 për qind, për eurobond me jetëgjatësi nga 10 deri 30 vjet. Ukraina financohet me një taksë prej 8 për qind. Argjentina, për afate 30-vjeçare, financohet me një taksë prej 16 për qind. Turqia me një taksë 8 për qind.
Niveli i taksave të interesit të financimit pasqyron rrezikshmërinë e vendit në mospagimit të interesave si dhe historinë e këtyre pagesave. Për shembull, Argjentina që nuk pagoi 75 për qind të eurobondëve të saj në vitin 2005, tani është e detyruar të financohet me një taksë interesi shumë të lartë dhe të vërë garanci të shumta. Për shembull eurobondi i provincës Buenes Aieres, në rast të mospagimit të interesave, vë si garanci tërë ndërtesat shtetërore të provincës.
Vendi ynë çfarë ka vënë si garanci në këtë eurobond? Cila është jetëgjatësia e tij? Në çfarë monete është emetuar? Cila gjykatë është kompetente për mosmarrëveshjet? Cila bankë do ta gjestisë?
Eurobondi për Shqipërinë në botën e sotme paraqet shumë rreziqe.
Së pari, në tregun financiar të sotëm lozin aktorë e spekulatorë shumë të fuqishëm, me rezerva monetare të pafundme, që Shqipëria paraqet për to një diçka shumë të vogël.
Me lojën e derivateve ato janë në gjendje që të bllokojnë brenda pak orëve tërë aktivitetin financiar të vendit tonë, duke të detyruar pastaj të nënshkruajë opsione e swap që të dërmojnë përfundimisht e duke kërkuar të paguash me garancitë. Kështu është vepruar me Greqinë, që duhet të jetë eksperiencë e hidhur dhe mos të përsëritet për Shqipërinë.
Shqipëria ka privatizuar shumë sektorë, dyshojë se në garancitë për këtë eurobond janë vënë gabimisht, sektorët strategjikë të paprivatizuar, siç janë hidrocentralet etj., që siç dihet janë në shënjestër të kapitalit botëror.
Së dyti, cila është jetëgjatësia e këtij eurobondi? Dihet se taksat e interesit së shpejti do të fillojnë të rriten, dhe në qoftë se ky eurobond ka jetëgjatësi të gjatë, çmimi i tij vetëm ulet dhe rritë edhe më tej taksën e interesit që duhet të paguajë.
Është për tu habitur nga fakti që Shqipëria detyrohet sot të kërkojë financime në tregun ndërkombëtar të letrave me vlerë.
Rreth 30 për qind e popullsisë shqiptare punon jashtë shteti dhe dërgon vazhdimisht valutë në Shqipëri. Në Tiranë ndodhen një numër tepër i madh bankash të huaja të licencuara e që mbledhin sasinë më të madhe të kësaj valute dhe e nxjerrin jashtë drejt bankave nënë.
Bankat shqiptare mund të ofrojnë interesa më të larta që të mbledhin valutën. Gjithashtu Banka e Shtetit Shqiptar mund të ofronte një titull në Euro, me interesa deri 6 për qind i rezervuar vetëm për tregun e brendshëm shqiptar dhe kështu që Shqipëria nuk do të kishte nevojë që të dilte në tregun e jashtëm e spekulativ.
Kompanitë e huaja që kanë privatizuar telefoninë shqiptare fitojnë dhe nxjerrin jashtë sasi valute që mund të krahasohet me tërë çfarë prodhon Shqipëria. Cilat janë kompanitë shqiptare që bëjnë të hyjnë valutat e forta në vend?
Në këtë moment të mungesës së likuiditeteve në shkallë botërore, ligji i fortë antimafia, i kërkuar me forcë nga të huajt dhe i aprovuar nga qeveria, ka detyruar tashmë që edhe një sasi e madhe valute, i fituar me punë në të zezë nga emigrantët, të mos hyjë më në Shqipëri, por të marrë rrugë të panjohura.







