Injorimi i opozitës mund të çojë në protesta

0
77

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Mungesa e një reagimi zyrtar nga qeveria shqiptare për nismat ligjore të opozitës, që mund të çojnë në zgjidhjen e krizës politike, mund të rrisin koston e krizës në vend, duke e rikthyer atë në pikën fillestare. Përpjekja për të injoruar gjestin e hyrjes së opozitës në parlament, u pa dje qysh në seancën plenare dhe sidomos në gjestin e kryetares së Kuvendit, e cila fill pas debatit Ruçi-Berisha, propozoi miratimin e kalendarit tri javor të punës së Kuvendit, për të injoruar nismat ligjore të depozituara nga opozita.

Kritikë të këtij gjesti brenda PD-së thonë se akti i zonjës Topalli, ishte personal, dhe i nxitur nga problemet që ajo ka me rivalitetet brenda PD-së. Nëse është kështu, çka është pak e besueshme, përpjekjet e saj për t’u dukur një politikane radikale, në të vërtetë duket se duan të pakësojnë shanset e një marrëveshje me opozitën, çka vendos në pozitë të vështirë të ardhmen politike të zotit Berisha. Por do të ishte guxim i madh të mendonim se zonja Topalli, tenton të dëmtojë zotin Berisha me këtë gjest.

Edhe pse Berisha e lë të kuptojë këtë publikisht, në të vërtetë gjestet e zonjës Topalli janë gjeste radikale të lejuara prej Berishës për t’u përdorur prej tij si arsyetim i presioneve që ka brenda partisë. Kjo situatë e radikalizuar, ndërkohë që PS ka hyrë në Kuvend, është në të vërtetë alibia më e mirë politike për Edi Ramën, i cili tashmë i ka konsumuar të gjitha mjetet politike dhe institucionale për zgjidhjen e krizës. Shtyrja e opozitës drejt protestave në rrugë, siç po e bën me koshiencë të plotë shumica parlamentare, mund të lërë të qetë zonjën Topalli pa opozitë në Kuvend, por mund t’i hapë më shumë telashe seç duket, zotit Berisha në qeverisje.

Një pranverë e filluar me protesta në rrugë me një opozitë, të cilës nuk mund t’i tërhiqet më vëmendja për bojkot të rrugëve institucionale, dhe me një Kryetare Parlamenti, që është e dëshpëruar pse opozita është rikthyer në Kuvend, Berisha do ta ketë shumë më të vështirë për të marrë notë kaluese, në axhendën evropiane të qeverisë së tij. Qoftë dhe për këtë shkak, zoti Berisha bën mirë të mos bëjë betejë me maska, por t’i dalë vetë zot betejës. Përpjekja e tij për të përdorur vartësit e vet si radikalë me leje, nuk i shtojnë dhe nuk i heqin asgjë dramacitetit të skenës politike në këto momente. Çdokush pas gjesteve të zonjës Topalli apo vartësve të tjerë të tij, shikojnë atë. Dhe kjo, qoftë dhe për një arsye të thjeshtë, për boshllëkun e thellë të personaliteteve që ai ka krijuar brenda PD-së.

Kështu që ai nuk përfiton as kohë dhe as moral nga keqpërdorimi i vartësve në një betejë që duhet ta përballojë personalisht. Opozita dhe opinioni publik, janë qartësisht të adresuar te Sali Berisha dhe jo te Topalli apo Patozi për krizën politike në vend, të cilës po i shtohen krizat e tjera të rënda siç është ajo ekonomike, apo kriza e mungesës së lirive themelore në vend. Njësoj si në rastin e frymës klasore që funksionon brenda pushtetit në emër të tij, edhe në rastin e qëndrimit armiqësor ndaj opozitës lufta bëhet në emër të tij. Berisha duhet të kuptojë përfundimisht se shqiptarët nuk kanë nerva të bëhen nervozë nga zonja Topalli. Më lehtë e kanë të bëjnë humor me të dhe luftë me Berishën.