Hyrja në Kuvend nuk zgjidh vetëm krizën e PS

0
46

Mero Baze

Nga Mero Baze

Partia Socialiste ka marrë një vendim të vështirë, por të domosdoshëm për të vendosur për të ardhmen e kauzës së saj për transparencën e procesit zgjedhor. Vendimi për të paraqitur në Kuvend një projektligj, ku do të kërkohet hetimi i zgjedhjeve edhe përmes hapjes së kutive, në të vërtetë transferon këtë problem nga rruga, në parlament, duke hequr çdo rezervë për taktikat e luftës opozitare dhe duke ia lënë topin në fushën e lojës shumicës, e cila deri më sot ka përsëritur thirrjet që opozita të hyjë në Kuvend.

Ky vendim natyrisht që do të ndryshojë shumë gjëra në politikën shqiptare.

Do të ndryshojë së pari, opozitën shqiptare, e cila ende nuk ka dhënë prova të betejës politike në parlament. Deputetët e mandatuar të saj kanë qenë thuajse anonimë në këtë luftë politike, e cila është përballuar dukshëm nga vetë zoti Rama dhe aleatët e tij jashtëparlamentarë. Beteja parlamentare do të dëshmojë se cila është cilësia reale e grupimit më të madh opozitar dhe sa ka funksionuar politikisht përzgjedhja e tyre prej Edi Ramës.

Po ashtu ky vendim vendos në pozitë të vështirë kritikët e zotit Rama brenda PS, të cilët kishin opsion hyrjen pa kusht në parlament që në shtator. Ky vendim i marrë nën këshillat dhe garancitë e aleatëve perëndimorë të PS, është cilësisht i ndryshëm nga presioni për të hyrë në parlament, nën këshillat e aleatëve të fshehtë të qeverisë brenda Partisë Socialiste. Për këtë arsye ata do të duhet të ndryshojnë së paku taktikat e luftës ndaj kundërshtarit të tyre brenda PS.

Por mbi të gjitha ky vendim i jep fund ngurrimit të aleatëve të opozitës në Perëndim, të cilët edhe pse janë angazhuar fort për hetimin e zgjedhjeve dhe kanë mbështetur kauzën e opozitës, kanë qenë në pozicion të vështirë për të përkrahur metodën e protestës që ka qenë bojkoti i kushtëzuar ndaj Kuvendit.

Ky vendim do të ndryshojë dhe shumicën parlamentare. Zoti Berisha, i cili deri më sot e kishte armë të fortë bojkotin për të injoruar kërkesat e opozitës, tanimë do të duhet të përballet me presionin ndërkombëtar, por dhe me vendime të tjera të mundshme të opozitës për t’iu bashkuar protestave në rrugë, nëse projektligji i tyre për transparencën e zgjedhjeve nuk miratohet.

Ajo që ka nevojë sot Shqipëria është më shumë se sa pjesëmarrja formale e opozitës në Kuvend. Sot Shqipëria ka nevojë për reforma thelbësore, për zhdukjen e shtetit politik të Sali Berishës, për ndalimin e luftës së klasave të shfaqur në versionin e bandave gjobëvënëse të Sali Berishës dhe mbi bashkëpunimin mbi ligje të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend. Asgjë nga këto nuk ka për t’u bërë, nëse Sali Berisha dhe shumica parlamentare injorojnë kërkesën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve.

Opozita nuk i ka dhënë asnjë fitore Sali Berishës duke hyrë në Kuvend. Ajo vetëm i ka hequr atij të gjitha arsyetimet false kundër legjitimitetit të kauzës së opozitës. Ky hap nuk përbën asnjë hop cilësor në zgjidhjen e krizës politike në vend. Ajo mbetet ashtu siç ishte, nëse nuk respektohet kërkesa e opozitës. Ky hap zgjidh vetëm krizën e mundshme të Partisë Socialiste, krizë për të cilën po investohej aq fort nga qeveria dhe zoti Berisha. Të gjitha arsyet që kanë mbajtur të bllokuar jetën parlamentare dhe reformat në vend, do të vazhdojnë të ekzistojnë derisa Berisha të mbrojë me fanatizëm, mos-hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive.