Një përvjetor i denjë për shkrimtaren Elsa Moranten

0
40

Përgatiti Arjan Th. Kallço dhe Pierangelo Filigheddu

Gjenialiteti nuk është një tabu që i përket vetëm meshkujve, por ka doza të qarta, jo të shpeshta, si tek të parët, edhe tek gratë. E ndërsa realiteti i shekullit të kaluar flet për një shkrimtare italiane që është Nobeliste në fillimet tij, dekadave më pas i shtohen listës shumë emra të tjerë të shkrimtareve femra. Morante nuk e arriti dot famën e nobelistes, por arriti atë të një shkrimtareje me fantazi dhe penë të fortë në përshkrimin e realitet të dhimbshëm, sidomos gjatë ngjarjeve të mëdha botërore të viteve të shekullit të XX.

100 vjet më parë në vitin 1912 lindi Elsa Morante, shkrimtare, poete, eseiste, përkthyese, që bashkë me disa autorë të tjerë si Gadda dhe Di Lampeduza janë në majat e tregimtarisë italiane të ‘900, dhe e romaneve të pasluftës. Qysh e re filloi botimet e saj me përralla, poezi dhe tregime të shkurtra, duke filluar nga viti 1933 deri në fillimin e Luftës së Dytë botërore.

Në vitin 1936 njohet me Moravia me të cilin martohet në vitin 1941 dhe bashkë frekuentuan shkrimtarët më në zë si Pazolinin, Sabën, Bassanin, Penën, Bertoluçin etj. Nga fundi i luftës për t’iu shpëtuar raprezaljeve naziste u larguan nga Roma dhe jugu i Italisë shfaqet shpesh në veprat e saj të mëvonshme si Historia. Veprat e saj më të njohura janë Gënjeshtra dhe magji në vitin 1948, Ishulli i Arturit në 1957 dhe Historia në 1974. Shumë vepra të saj janë shndërruar në filma nga regjizorë të njohur italianë.

Gënjeshtër dhe magji është libri që shënoi debutimin e saj të jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh moshën e saj të re, 36 vjeçe dhe një libër me rreth 700 faqe. Ky fakt flet shumë pasi është e zakonshme që gjeniu letrar të lulëzojë me kaq thellësi në shpirtin femëror si dhe takimi i lumtur i saj me siksesin, i një shkrimtareje të pajisur me talent dhe me romanit tradicional të ‘800. Në atë kohë dikush do të kishte dekretuar se romani tradicional ishte në fundin e vet, marrëzi pasi romani transofrmohet dhe nuk merr fund. Romani është një libër i një jorealiteti më të pamëshirshëm, bën një luftë trime kundër botës reale.

Nuk ka rëndësi se kush del fitimtar në fund, shpirtërat që e popullojnë mendjen e Morantes – figura qiellore dhe zymtësi të izoluara në një shtëpi qiellore që i ngjan më shumë një burgu ku zhvillohet një jetë larvash apo e vërteta lakuriqe dhe e ftohtë që vret çdo iluzion, zbulon gënjeshtra, anulon çdo thyerje, përhumb çdo ëndërr. Bukuria e romanit qëndron tek ajo betejë e dëshpëruar dhe titanike mes banorëve të krahinave mbinjerëzore dhe banorëve të përulur të atyre tokësore, midis mërgimit tokësor dhe parajsës.

Pak histori e romanitNë një epokë jo fort të përcaktuar, në një qytet të jugut të Italisë edhe ky jo i përcaktuar, plasi një dashuri tepër pasionale midis një vajze, Anas dhe kushëririt të saj tepër fisnik dhe të pasur, Edoardo. Ana që kur i ati ia tregoi fëmijë në karrocë, e pati gjithmonë në zemër kushëririn e saj biond. Kur të dy ritakohen dhe njihen në një ditë të pazakontë me borë, para një dyqani çokollatash ku të papunët zbaviteshin, duke ua marrë mendjen që të rrëshqisnin në akull, ndërsa pasioni i tyre i menjëhershëm rritej.

Por kushëriri nuk i përkiste tokës, ai si perënditë Olimpit që dashurohen me njerëzorët dhe zbresin në tokë, që të marrin kënaqësitë e tyre, por pa i gritur në selinë e tyre qiellore. Ka kapriço, është tiran, xheloz edhe për macet e Anës, mëdyshës. Edhe pse e deshte marrëzisht e torturonte. Por është edhe i brishtë, megjithatë ka agresivitet të sëmurë që është tipar i krijesave ditore në stinën e zajrrit të tyre më të madh.

Në fakt vuan nga veremi. Largohet, mbyll me brutalitet lidhjen me kushërirën, duke futur një mikun e tij : një djalë të thjeshtë, Françeskon, një njeri i shtyrë nga një ndjenjë e thellë pabarazie sociale, përhapës i ideve të zjarrta dhe retorike të rebelimit. Ana e urren me të gjitha forcat atë individ të errët dhe me qepalla të mëdha që shpejt do të dilte se nuk ishte veç një gdhë, por për kushtet dramatike të familjes së vet, pranon që të martohet. Martesa është një ferr i vërtetë.

Lind fëmija që mori emrin Eliza, tregimtarja që gjendet në fillim të romanit, e rrethuar nga fantazmat e veta, në dhomën e një pallati të madh roman në periferi. Eliza e do nënën e vet më shumë se çdo qënie tjetër në botë : e sheh si një mbretëreshë, si një Shën Mari të lindjes. Ana mendon vetëm për Edoardon dhe e urren Françeskon që vuan dhimbje të papërshkrueshme. Një ditë në qytet shfaqet sërisht Rozaria, një prostitutë që e ka dashur Françeskon dhe që nuk e ka harruar kurrë.

Me të, bironi ngushëllohet padëshirë për disfatat e jetës dhe që i mbyt shpesh duke pirë verë. Edoardo vdes një ditë dhe kur Ana e mori vesh nga roja i pallatit, ikën si e marrë. Këtu fillon çmenduria që pasqyron edhe atë të Konçetës. Të dyja gratë lexojnë letra të shtira që Ana i shkruan vetë sikur t’ia shkruante Edoardi. Vdes edhe Françeskoja në një aksident. I vjen radha Anës që dergjet e tretur nga dalldia e mendjes. Rozaria pret në shtëpi Elisën dhe në Romë fillon të ushtrojë zanatin e mëparshëm.

Në qendër të librit është dashuria e Anës dhe Edoardit, një dashuri që nuk njeh kufij, por tepëri sentimentale dhe intransigjenca që janë pjesë e të gjithë personazheve, papërjashtim. Të gjithë dashurojnë me një dhunë që të tmerron, të gjithë u besojnë fantazmave, udhëtimeve me aventurë, gënjeshtrave nga më të paturpshmet që tregojnë dhe dëgjojnë. Ky pasqyrim prodhon një sëmundje aluçinante shkatërruese. Si mund të reagojnë personazhet para një shkatërrimi që nuk i çon veç tek vdekja?

Megjithatë romani reziston dhe ndaj magjisë edhe gënjeshtrës. Morante ruan në subkoshiencën e vet atë pikë të palëvizur të reales. Libri fillon në një dhomëzë dhe përfundon në atë ku vdes Ana. Për 11 ditë Ana dalldisi dhe Eliza i mban dorën tek shtrati derisa e kupton se dora është e ftohtë. “ Një erë dimëri m’u vërtit, më gëlltiti një ujë I ftohtë pa drita. Dhe dhoma e dashur prindërore, e ndezur nga mesdita e gushtit, u largua përgjithmonë nga pamja ime, si një anije e huaj.