EFEKTIVITETI I DEMOKRACISË SHQIPTARE

0
56

Mustafa Nano

Nga MUSTAFA NANO

Churchill-i ka thënë se – po e perifrazoj në mënyrë jo dhe aq të shkujdesur – demokracia është një formë e keqe qeverisëse, por puna është se është më e mirë se format e tjera jo demokratike të qeverisjes të praktikuara deri më sot. Gazetari dhe eseisti amerikan, H. L. Mencken, bashkëkohës i Churchill-it, ka thënë të njëjtën gjë me një gjuhë më të spërdredhur e më sarkastike: “unë nuk besoj në demokraci, por nga ana tjetër jam absolutisht i prirur të bie dakord se kjo e fundit përbën formën e vetme zbavitëse e nazike (really amusing, thosh ai në gjuhën e vet) ndër format qeverisëse, që njerëzimi ka njohur deri më sot”.

Siç shihet, këta të dy i mëshojnë faktit, që demokracia është më kararmadhe e më e pranueshme për ne njerëzit, se sa format e tjera të qeverisjes. Mirëpo e vërteta është se të thuash vetëm kaq, thua pak. Është e provuar në praktikë tanimë (sidomos pas vdekjes së Churchill-it e të Mencken-it), që demokracia liberale është sistemi politico-qeverisës më punëmadh e më efektiv që ka njohur njerëzimi, gjë që nuk e ka ndalur dot, megjithatë, diskutimin e vazhdueshëm mbi efektivitetin e këtij sistemi në krahasim me sisteme të tjerë.

Ja, kjo gjë po ndodh sot edhe në SHBA, ku zëra të ndryshëm (të kuptohemi, nuk bëhet fjalë për një main-stream) po ngrihen për të theksuar që sistemi amerikan i qeverisjes o prej vjetërimit, o prej kompleksitetit, o prej korrupsionit, o prej fanatizmit ideologjik të palëve, po bëhet i ngathët e ngalakaq. Senatori democrat, Evan Bayh, njoftoi këto ditë se do ta dorëzonte vendin e tij në senat në shenjë zemërimi ndaj një kongresi të bllokuar prej karfosjes politike. Nobelisti Paul Krugman e ka krahasuar Amerikën e këtyre ditëve me Poloninë e shekullit të XVIII-të, në parlamentin e së cilës nuk mund të merrej asnjë vendim pa konsensusin e njëzëshëm të të gjithë deputetëve, gjë që e mbante atë parlament praktikisht të bllokuar (ashtu si procedura e filibuster-it në senatin amerikan). E kështu mund të vijohet më tej me zëra të tjerë, të cilët afërmendsh nuk vënë në dyshim demokracinë liberale, por formën amerikane të qeverisjes, e cila është démodé e ngalakaqe.

Kjo e bënte të përjavshmen The Economist që, e ngacmuar prej pafuqisë së kongresit për të kaluar së pari reformën shëndetësore, së dyti ligjin për reduktimin e prodhimit të dyoksidit të karbonit, së treti përpjekjet për të rënë dakord mbi uljen e deficitit publik, etj, etj, të hapej qysh në kopertinë me titullin “What’s wrong in Washington?”, e të sillte në editorialin e saj zëra të paidentifikuar sipërmarrësish amerikanë, sipas të cilëve, sistemi kinez i qeverisjes është më konkret e më efektiv në procesin e vendimmarrjes.

E thashë dhe më sipër, janë disa zëra, dhe kaq. Për më tepër, nuk janë zëra që vënë në dyshim demokracinë liberale; thjesht, e kanë me sistemin amerikan të qeverisjes. Më tej, kur vjen te sipërmarrësit, nuk kemi pse të çuditemi kur këta të fundit i gjejmë të prirur të shenjtërojnë e sublimojnë procedurat e zhdërvjellëta të vendimmarrjes (jo më kot janë sipërmarrës). Më tej akoma, edhe sikur regjimeve autokratike t’u njohim qasjen e vrullshme e energjike në procesin e vendimmarrjes, atyre po njësoj do duhej t’u jepnim munxët për arsye të njohura. Por kuptohet (më në fund e pavarësisht të gjithave), se teza e mplakjes së sistemit amerikan të qeverisjes nuk ka lidhje praktikisht me realitetin, gjë që nënvizohej fort edhe prej revistës The Economist, ku jepej mesazhi, se “po, është vendi e koha të vihen në diskutim procedura të vjetëruara kushtetuese e jo kushtetuese, të cilat bëhen shkak për paralizimin e përkohshëm të vendimmarrjes, por sistemi në tërësi është vital”.

Këtë përfundim nuk e luan as topi, e në këtë kuptim, debati në fjalë nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje për të rritur eficiencën e sistemit amerikan e për të përtërirë fragmente e hallka të ndryshkura të këtij sistemi. Për fat, demokracitë liberale, jo vetëm e lejojnë çdo diskutim publik që i vë në diskutim deri dhe vetë ato, por edhe janë më të hapura e më të gatshme për t’u vetkorrektuar.

* * * * *

Duke u mbajtur tek e njëjta temë, le të zhvendosemi pakëz në Shqipëri (ky ishte dhe ‘destinacioni’ im qysh në krye të herës), ku ngjan se diskutimi mbi efektivitetin e sistemit duhet të ecë në binarë të tjerë. Pse? Sepse këtejpari duhet bërë më së pari një diskutim mbi sistemin vetë. Ne jemi duke jetuar në një formë të përçudnuar qeverisjeje. Ne nuk jemi ende as në nivelin e vendeve të demokracive iliberale, për të cilat flet me përbuzje Fareed Zakaria (janë vende, ku bëhen zgjedhje normale, por ku nuk ka jetë institucionale dhe shtet ligjor). Tek ne pra nuk bëhen zgjedhje.

Sistemi politiko-qeverisës që funksionon (ka një sistem, megjithatë) është një përzjerje e regjimit anarkik me regjimin autokratik. Me fjalë të tjerë e në një farë kuptimi, këtejpari secili është i lejuar të bëjë ç’t’i teket, por me kusht që të mos krruhet me sundimtarin, i cili sundon si t’ia ketë ënda. Tek ne opozita ka të drejtë të egzistojë e të konkurojë, por nuk ka të drejtë të fitojë zgjedhjet. Dhe kështu, vjen puna që ajo i jep vetes një të drejtë, ushtrimi i së cilës e bllokon fare sistemin në fjalë: ajo ka bojkotuar parlamentin. Parlamenti mund të zhbllokohej nga maxhoranca, duke e plotësuar kërkesën e opozitës për rinumurimin e votave. Dhe duhet thënë se është në interesin e maxhorancës ta zhbllokojë situatën, por ajo nuk e bën. Përkundrazi, këmbëngul në moshapjen e kutive.

Po në ç’situatë do ishim, nëse zgjedhjet do ishin normale, e nëse opozita do të ishte në parlament? Do ishim në situatën e një regjimi të demokracisë iliberale, ku fituesi shndërrohet në sundimtar i vendit. Në vitin 2005 Berisha fitoi zgjedhjet, socialistët njohën humbjen, e kështu, të paktën në dukje, patëm një kontekst të qartë demokratik. Por kaloi pak kohë, dhe ne pamë Berishën të sillej si sundimtar. Kjo praktikisht e bëri sistemin të hajthëm e energjik. Vendimmarrja bëhej me shpejtësi rrufeje. Mjaft që Beërishës t’i shkrepte një ide në kokë, dhe të nesërmen ajo ide merrte ose formën e dekretit qeveritar, ose formën e ligjit (ministrat e deputetët i nënshtroheshin tak-fak), ose formën e një urdhëri jo ligjor, që zbatohej aty për aty. Ai arriti deri atje, sa procedurat ligjore e burokratike të një investimi mbi një miliardë dollarë (për rrugën Durrës-Kukës) t’i kondensonte në kohë në shpërfillje të plotë të një numri ligjesh e rregullash. Hë, më thoni, a ka sistem qeverisës më eficient e më të shpejtë se sa ky? Nuk ka. Edhe sistemi kinez, që është më i centralizuar se sa ky i Berishës, nuk është kaq i shpejtë.

Është gjë e mirë? Edhe mundet në ndonjë rast, por me një kusht, amá: ai që merr vendimin nuk duhet të jetë i shkarë nga trutë (ky i yni është i shkarë, e për këtë nuk besoj se ka nevojë për prova). Çfarë? Në rrethana të tjera do të ishte një gjë e mirë? Jo, absolutisht jo. Thashë pak më sipër “në ndonjë rast”, pasi përgjithësisht nuk ka asnjë të mirë. Sundimi autokratik bart një kosto shumë më të madhe, që e kapërcen dukshëm dobinë e vendimmarrjes së shpejtë e të zhdërvjelltë, që i njëjti sundim mund të na ofrojë. Kostoja është kjo Shqipëri që po jetojmë, e bllokuar në pikëpamje institucionale, konfliktuale në pikëpamje politike, në vend numuro në pikëpamje ekonomike, e fragmentuar në pikëpamje sociale, e shpifur në pikëpamje urbane e urbanistike, belbacuke në pikëpamje kulturore, etj, etj.

Përfundimi? Ne kemi nevojë të diskutojmë mbi efektivitetin e sistemit qeverisës në një kontekst demokratik, por në radhë të parë duhet ta ndërtojmë këtë sistem. Aktualisht nuk e kemi.