“Lëri mënjanë emocionet!”, i thotë
ResPublica.al, 28 mars 2013
Kryeministri Berisha ka patur një takim me sipërmarrës e investitorë të huaj, dhe Tema online raporton se Berisha është kapur “në befasi” nga një ndërhyrje e përfaqësueses së Dhomës Amerikane të Tregtisë, Floreta Luli- Faber. Kjo e fundit, thuhet në tema.al, i ka përmendur një numër problemesh, me të cilat ballafaqohen biznesmenët e huaj, si mosrimbursimi i TVSH-së, ndryshimet e shpeshta ligjore, mosmbledhja e këshillit të biznesit. Dhe pas kësaj Berisha është bërë nervoz: “Realiteti nuk është ai që paraqisni ju. Shqipëria është ndër ato vende të pakta që ka marrë investime më shumë nga ç’mund të merrte. Duhet të jeni të kujdesshëm me sentimentet personale se mesazhi që ju thoni se i çoni biznesit është i pabazuar në realitetin shqiptar”. Nuk u kuptua se pse zonja në fjalë duhet të kishte emocione personale.
Më tej, Berisha i bëri asaj një pasqyrë arritjesh të vendit, dhe mes të tjerash citohet të ketë thënë: “Kemi borxhin rreth 60% [në fakt, është mbi 60%. Re.Pu], por në kulmin e krizës borxhi i Shqipërisë nuk lëvizi më shumë, ndërkohë që borxhi i fqinjëve u dy apo trefishua”. Borxhi i fqinjëve, thotë Berisha. Dhe në mendje ka një fqinj, Greqinë. Por keqinformon. Borxhi i saj ishte i madh para krizës, dhe është rritur gjatë krizës, por nuk është dyfishuar. Aq më pak trefishuar.
Dhe e mbyll sërish: “Kur bëni konkluzione, zhvishuni nga emocionet dhe analizoni me gjakftohtësi”. Prapë me emocionet.
Të gjitha këto i raportonte Tema. Gazetat e sitet e tjera raportonin gjerësisht fjalën e Berishës, por nuk e kishin veçuar këtë moment, që është i vetmi lajm që mund të nxirrej nga ai aktivitet. Nëse Tema është e saktë, kuptohet. E nëse është e saktë, atëherë është për t’u habitur që të tjerat janë fiksuar tek fjalimi i kryeministrit. Si gjithnjë.
Re.Pu.