Gjykatësi Artan Broci “vret” të vëllain për të dytën herë

0
60

Nga Bledi ManePublic Enemy, 8 Shkurt 2012
www.facebook.com/bledi.mane

1./ U bëra i bezdisur, por nuk mundem të rri indiferent

Ishte 2 prill i 1991-shit kur në një tjetër protestë antikomuniste në Shkodrën ende komuniste jeta e katër qytetarëve të pafajshëm u sharrua nga plumbat e regjimit. Mes viktimave, vdekja e studentit të lëvizjes së dhjetorit 20 vjeçarit Arben Broci, një nga mijëra idealistët e furishëm të pranverës postbolshevike, tronditi vendin nga veriu deri poshtë në jug. Trupi i tij u qëllua nga armët e pushtetit që villnin zjarr nga dritaret e ngrehinës së Komitetit të Partisë përpara së cilës protestohej paqësisht. Nga ngrehina e një tjetër komiteti partie kamufluar si zyra kryeministrore, 20 vjet më pas një tjetër regjim në kalbje qëllonte me zjarr mbi protestues të së njëjtës kombësi të cilët paqësisht kërkonin ndryshimin. Numri i të vrarëve të pafajshëm ishte i njëjtë. Katër!

Atë prill të nëmur brenda atij komitet partie atje në Shkodër nuk ishte strukur as Ramiz Alia presidenti shkodran i Republikës dhe as Gramoz Ruçi labi ministër rendi. Ekspertizat primitive dhe hetimet blic nuk zbuluan kurrë të kishte urdhër zyrtar për të shtëna. Askush nuk pa të dilte ndonjë zyrtar shteti me uniformë të qëllonte mbi turmën. Megjithatë, gjyqi ushtarak burgosi e penalizoi 5 titullarë e policë.

20 vjet më pas në atë janar të rraskapitur të Tiranës brenda ngrehinës së komitetit të partisë, i kamufluar si zyra kryeministrore ishte strukur kryeministri, ministri i Rendit dhe shpurra e tyre e sh(p)urrur. Ekspertizat moderne balistike të bëra enkas pranë laboratorëve të FBI-së në Amerikë zbuluan se një nga viktimat e ndjera ishte qëlluar nga të shtënat e 11 plumbave të armës së kryegardistit të republikës, i fshehur trembur brenda ngrehinës qeverisëse. Gjyqi mbi këtë precedent të paparë kriminal ende nuk është zhvilluar, por me hetimet dhe urdhrat paraprakë të arrestimeve thjesht po tallet e abuzohet nga gjykatat e dy niveleve.

21 vjet më parë në masakrën e Shkodrës një prej viktimave, studenti idealist Arben Broci do të linte pas vetes shpirtkëputjen e së ëmës Lije Broci dhe pikëllimin e madh të vëllait të tij të vogël, Artan Broci. Ky i fundit, i rritur para kohe me privilegje të pa merituara si pasardhës dëshmorësh, u shpërblye pa fund me shkollim dhe karrierë juristi.

21 vjet më pas, zoti, natyra,fati, ironia, koincidenca, kërkesa, nevoja, tregu, shpërblimi, mallkimi, pësimi, mësimi, pra të gjithë këta faktorë natyralë e artificialë kompensimi vendosën ballë për ballë vëllain e viktimës prej plumbave të regjimit me vrasësin e regjimit.

Nëse Arben Broci nuk ka në trup plumbat e pistoletës së Ndrea Prendit, patjetër tashmë ndjehet i turpëruar nga dhimbjet e plagëve të Faik Myrtajt.

Nëse Lije Broci ka 2 dekada që akuzon pa prova Alinë e Ruçin për vrasjen e të birit, Mahmude Myrtaj tashmë e di zyrtarisht se kush ia vrau të shoqin.

Nëse Lije Brocit djali i vogël Artani iu bë gjykatës e majmet si qerrata, Mahmude Myrtajt djali i vogël Bardhoshi iu vetëvra prej brengës dhe mallit për të atin.

Nëse Lije Brocit i bëhen nderimet e merituara si nëna e një dëshmori, Mahmude Myrtajt i morën erzën duke ia poshtëruar të shoqin e vdekur si kokëpalarë.

Me gjakun e të ndjerit Myrtaj po tallet tani veç gjakësorit edhe peshorja e drejtësisë, e cila në duart e Artan Brocit po anon fare dukshëm nga kahu i të ndyrit.

Një vrasës që kërkon të rehatohet në shtëpi dhe kjo kërkesë i vuloset nga vëllai i një viktime të pafajshme e vrarë në rrethana të njëjta, për kauzë të njëjtë.

Një gjykatës, i cili jo për hakmarrje, por për shpirtfisnikëri e integritet profesional duhet të çonte pas hekurave vrasësin e kështu çlironte edhe brengën e vëllait të vrarë po kaq poshtërsisht.

Ndërkohë që sot publicisti Mustafa Nano klithte duke i etiketuar gjyqtarët tanë më të rrezikshëm se vetë gardistët, Artan Broci qetësisht dha vendimin, u largua nga salla e gjyqit, i hipi makinës luksoze dhe shkoi drejt shtëpisë. Trokiti dhe derën ia hapi e ëma.

– Mirëseerdhe bir! – e përshëndeti Lije Broci.

– Të pashë live në televizor, ulur përballë Ndrea Prendit. E le në arrest shtëpie. Mirë bëre, boll u lodhëm duke mos shkelur mbi gjakun e vëllait. Na duhen lekë, mos harro se nuk do jesh gjithë jetën gjykatës. Tirana është boll e shtrenjtë.

– E ke gabim mama. E bëra pa lekë këtë poshtërsi. Nuk munda t’i kërkoja asgjë send.

– U dogja kot!- psherëtiu Artani dhe i tregoi mesazhin që kish marrë në celular qysh në mëngjes nga Ai…

Nga Ai që po ia shkërdhen edhe brinjët Atdheut. Atdheut tim, tëndit. Atdheut tonë jo të Arben Brocit dhe Faik Myrtajt. Këta të fundit janë me fat se shpëtuan, na lanë ne të vuajmë edhe 16 muaj të tjerë.