Berisha dhe Meta kundër Perëndimit

0
30

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Ministri i Jashtëm Ilir Meta, duket se ka tentuar t’u japë një mesazh të egër, drejtuesve më të lartë të Këshillit të Evropës që kanë mbërritur sot në Shqipëri. Dy ditë para mbërritjes së tyre, ai ka paralajmëruar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të mos u përfshirë në procesin e hetimit të zgjedhjeve përmes hapjes së kutive dhe dënoi mbështetjen ndërkombëtare për opozitën në këtë drejtim. Meta tha pak a shumë se kush kërkon të bëjë eksperimente të tilla le t’i provojë në vendin e vet. Konteksti, në të cilën Ministri i Jashtëm u shpreh, kishte të bënte me ardhjen e delegacionit të KiE në zbatim të rezolutës, e cila në të vërtetë ndërkombëtarizoi shqetësimin e opozitës shqiptare.

Është e qartë se kjo vizitë e nivelit kaq të lartë është një goditje e rëndë për qeverinë, pasi e fokuson atë si shkaktare të krizës. Zoti Berisha duhet të ketë qenë në pozicion shumë të vështirë përderisa i është dashur të përdorë numrin 2 të qeverisë, për të kërcënuar lidhur me kërkesën themelore të opozitës, atë të hapjes së kutive. Duke përdorur Metën si krah radikal kundër kërkesës themelore të opozitës mbështetur nga Perëndimi, Berisha po ashtu kërkon të kërcënojë dhe me integritetin e qeverisë në këtë betejë.

Por pavarësisht mënyrës se si po bën politikë zoti Berisha, përdorimi i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, për të vendosur vendin në konflikt me perëndimin, është një kosto për gjithë vendin. Zoti Berisha është i lirë ta përdorë zotin Meta si të dojë. Ai mund ta përdorë atë të sulmojë Edi Ramën, apo të mbrojë Ben Blushin, është i lirë ta përdorë si presion ndaj të vetëve, apo si gjethe fiku për legjitimitetin e dyshimit të qeverisë por kurrsesi nuk mund ta përdorë Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë për të futur në konflikt vendin me përfaqësuesit e politikës evropiane.

Nga ana tjetër fakti që zoti Meta edhe pse e kupton rëndësinë e postit që mban, ishte i gatshëm të keqpërdorej në këtë mënyrë, na bën të besojmë se mbështetja ndërkombëtare për qeverinë është tkurrur aq shumë sa tani Berisha dhe Meta kanë aleat vetëm njëri-tjetrin. Në çdo vend të botës, Ministri i Jashtëm është i fundit që artikulohet kundër një përfaqësie të tillë të nivelit të lartë siç është delegacioni i KiE. Edhe Ministri i Jashtëm i Sadam Hyseinit, ishte i fundit që u përdor prej Sadam Hyseinit kundër vendeve perëndimore. Zoti Berisha ose ka nxituar në këtë keqpërdorim të Ilir Metës, ose i ka ardhur dhe atij fundi i raporteve normale me perëndimin dhe i ka hedhur të gjithë në luftë.