Nga Daniel Korski, Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë
Catherine Ashton është e falur për faktin që ndihet pak e mërzitur. Nuk ka rëndësi ku shkon apo çfarë bën, kriticizmi do të vërshojë mbi të, ashtu si shiu i dendur që bie në vendlindjen e saj, Lancashire.
Tani që ajo ka kryer vizitën e parë zyrtare jashtë, në Ballkan, njerëzit po ankohen se ajo duhej të kishte shkuar në një vend më të huaj, për shembull në Lindje të Mesme.
Kriticizmi nuk është vetëm një reflektim i staturës së Përfaqësuesit të lartë, por edhe reflektim i një sëmundje tjetër: qeveritë europiane janë të lodhura nga Ballkani.
Duke qenë tema qendrore e politikave të jashtme gjatë viteve ‘90, tashmë rajoni nuk tërheq askënd përveç një numri ekspertësh gjithmonë e në rënie.
Komunikimet që bëhen në takimet e BE thjesht kanë data të ndryshme, por përmbajtja është përgjithësisht e njëjtë: ata identifikojnë dhe duartrokasin progresin, por kërkojnë më shumë përpjekje e reforma. Kërkoni për një listë të prioriteteve kryesore të politikës së jashtme në BE, dhe do shihni që Ballkani është krejtësisht poshtë.
Shumë ministra të jashtëm të BE e shohin këtë si një sukses të Unionit. Nga një rajon i përçarë në mesin e viteve ’90, një i ri ka lindur falë “nxitjes” së misioneve të sigurisë së BE dhe “tërheqjes” nga anëtarësimi euro-atlantik.
Lajmet e mira të mbërritura së fundmi për vizat dhe aplikimet për anëtarësim e kanë përforcuar këtë qëndrim. Nisur nga ky progres real, por jo i mjaftueshëm, shumë liderë të BE ndoshta do të pranonin se Ballkani është ashtu siç e donin ata të ishte: jo në BE, që të shkatërrojë projektin delikat të Lisbonës, por jo dhe aq larg sa të rrëshqasë në dëshpërim dhe vetëshkatërrim.
Por, në thellësi të lajmeve ngelet një numër problemesh që kërkojnë vëmendjen e BE. I pari ka të bëjë me Bashkimin Europian. Edhe pse të gjitha vendet anëtare në princip pranojnë se rajoni i përket BE-së, ata nuk janë dakort se sa shpejt duhet të realizohet ky anëtarësim.
Vetëm pak qeveri si Austria, Greqia, Italia, Bullgaria, Rumania dhe Suedia mbështesin një anëtarësim të shpejtë për shumicën e vendeve të Ballkanit.
Të vetëdijshëm se anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë ka reduktuar oreksin popullor për zgjerim në pjesë të BE-së, vende si Gjermania, Franca dhe vendet e Beneluksit, do të preferonin një shtyrje të anëtarësimit në BE sa më shumë të jetë e mundur, me përjashtim të kërkesës së Kroacisë.
Një grup tjetër vendesh- Danimarka, Britania, Spanja- janë pro zgjerimit, por bashkimi i forcave me dy grupimet e mëdha varet nga çështjet e momentit (ose për shkak të shqetësimeve të veçanta, mes të tjerave për pavarësinë e Kosovës).
Ndarja mes vendeve anëtare ka pasur disa efekte. Ajo ka bërë që një numër vendesh të BE tu kthehen marrëdhënieve bilaterale, më shumë se politikave të përbashkëta për të arritur qëllimet e tyre. Përplasja e Greqisë me Maqedoninë dhe bllokimi nga Sllovenia i anëtarësimit të Kroacisë, janë vetëm disa shembuj të profilit të lartë. Në listë mund të shtohet edhe politika e re e Bullgarisë ndaj Maqedonisë, ose mbështetja e Italisë për qeverinë shqiptare.
Efekti tjetër i kësaj situate është më lokal. Liderët e rajonit kanë mësuar ta përdorin qasjen ndaj BE për qëllime të tyre të brendshme, ndërsa përdorimi i një gjuhe diplomatike nga BE lë shpesh hapësira për interpretime. Liderët e rajonit si Sali Berisha në Shqipëri, Milorad Dodik në Bosnje, Nikola Gruevski në Maqedoni dhe Milo Djkanovic në Mal të Zi, kanë kuptuar se udhëtimi pa viza do i ndihmojë ata për të maksimizuar votat, ndaj dhe po punojnë fort që të hyjnë në listën e bardhë të Shengenit.
Megjithatë, vullneti i tyre për reforma administrative mbetet sipërfaqësor. Në shumë raste, ata e kanë përdorur procesin e anëtarësimit për të centralizuar pushtetin dhe për të ofruar përfitime për një grup të ngushtë pasuesish, qoftë familjarë, apo klane dhe anëtarë të partisë.
Së fundmi, ndarja ka ndikuar në aftësinë e BE për të vepruar në mënyrë decizive kur është vënë në provë. Kjo është veçanërisht problematike në tre rastet më problematike të rajonit: Bosnja, Kosova dhe Maqedonia. Merrni rastin e Bosnjes ku Milorad Dodik, kryeministër i Republika Srpska, ka sfiduar komunitetin ndërkombëtar dhe ka ecur përpara me politika separatiste. Reagimet e BE-së kanë qenë të dobëta.
Për disa, kjo do të thotë që procesi i anëtarësimit në BE nuk po punon dhe duhet rimenduar në themel. Por, ndërsa është e vërtetë që nuk mund të zgjidhë çdo problem rajonal, veçanërisht ndarjet etno-kombëtare brenda Bosnjes dhe përplasjen Kosovë- Serbi, në fakt ajo ka qenë më efektive se sa ishte menduar dhe kështu mund të jetë dhe në të ardhmen.
BE thjesht duhet të përshtasë këto politika për ambientin e veçantë në Ballkan. Për fat BE ka ofruar një model se si mund të funksionojë kjo: disa përgjigje qëndrojnë dhe tek rasti i liberalizimit të vizave.
Procesi i liberalizimit të vizave ka treguar se mund të katalizojë reformat dhe mund të forcojë kapacitetet administrative, madje dhe në shtete që zakonisht mendohen se kanë administratë të dobët (si Bosnja).
Për ta bërë strategjinë edhe më efektive, do të ishte kyçe që të hapeshin negociatat në zonat ekstra me të gjitha vendet në të njëjtën kohë- një tip ‘preparatory regatta’, një mënyrë për t’i futur në dhomën e pritjes në mënyrë të strukturuar.
Ashtu si në rastin e liberalizimit të vizave, presioni për të mos ngelur pas fqinjëve do të krijojë mundësi për qeveritë që të reformojnë fusha të caktuara. Merrni shërbimet. Nëse një kompani serbe do të ofronte shërbime brenda BE ashtu si kompanitë britanike apo polake, ndikimi do të ishte i thellë- dhe perspektiva e aksesit në këto tregje do të shërbente si mjet presioni për qeveritë aspirante që të kryejnë reforma.
Megjithatë edhe kjo lloj tërheqje është një pjesë e përgjigjes. Duhen dhe të tjerë elementë shtesë. BE duhet të gjejë mënyra për të zgjeruar qasjen e BE- politika të kohezionit dhe fonde- sa më shpejt për Ballkanin përpara se ato të jenë në vijën e fundit të procesit të anëtarësimit. Politikat e kohezionit do të mbyllin hendekun e zhvillimit mes rajoneve më të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara në BE. Ato të shkojnë së bashku me përpjekjet për ndërtimin e institucioneve. Hapja e instrumenteve të kohezionit përpara negociatave për pranimin ka funksionuar shumë mirë në vende si Polonia dhe Rumania, por shanset janë që të kenë një ndikim edhe më të madh në Ballkan nisur nga zhvillimi i ulët i industrisë dhe agrikulturës.
Kjo politikë e re megjithatë nuk do të funksionojë në një vend, në Kosovë, dhe nuk do jetë e mjaftueshme për një vend tjetër, Bosnjen. Për sa kohë pesë shtete të BE refuzojnë të njohin pavarësinë e saj, Kosova nuk mund të shpresojë që të nisë procesin e anëtarësimit.
Nëse politika është arti i të mundshmes, e njejta gjë mund të thuhet dhe për procesin e anëtarësimit në BE. Nëse BE do të aplikonte në Kosovë politika të njëjta me ato të anëtarësimit, do të ndihmonte më shumë se 1800 policët e dërguar atje. Por nuk mundet.
Por, të gjitha këto kërkojnë më shumë nxitje nga sa mund të bëjë Komisioneri për Zgjerimin.
Ndërsa kryediplomatja e BE, Catherine Ashton mund të ofrojë një fokus të nevojshëm për të rimenduar dhe njëherë politikën e BE në Ballkan.
Vizita e saj në rajon është për fat një hap në këtë drejtim dhe duhet të mirëpritet nga të gjitha, sesa të kritikohet për diçka që nuk është.