Të shtunën 28 janar 2012, i organizuar nga “Shoqata Kulturore Jeta Arbëreshe” të Purçillit, u mba Frasnitë (Cs/Italì), tek Instituti Shkollor “Ernest Koliqi”, një Kuvend mbi Dhjetëvjetorin e rivistës “Jeta Arbëreshe”, tremujore kulturore arbëreshe.
Te Kuvendi morën pjesë, e dhanë një të falur, Kryetari i Frasnitës Francesco Pellicano, Senatori Basilio Giordano, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Llesh Kola dhe drejtoresha e Institutit Shkollor “E.Koliqi” Maria Francesca Camodeca.
Hapi Kuvendin prof. Agostino Giordano, drejtori i revistës Jeta Arbëreshe, çë tha dy fjalë mbi vlerjen e kësaj revistje të shkruar arbërisht, aq për ruajtjen e gjuhës arbëreshe ndër katundet arbëreshë sa për kulturën arbëreshe në përgjithësì. Mbajtin fjalim, pra, njeri pas jetrit: prof. Italo C.Fortino, nga Universiteti “L’Orientale” i Napolit: “Si mund t’shpëtohet një kulturë çë është e vdes”; prof. Imri Badallaj, nga Universiteti i Prishtinës: “Qëndresa shumëshekullore italo-arbëreshe”; dr. Rrezarta Draçini, nga Universiteti i Shkodrës: “Një vështrim mbi fjalorin arbërisht-italisht të Emanuele Giordano-s”; doc. Merita Hysa, nga Universiteti i Shkodrës: “Dialektet sociale në të folmet e arbërishtes”; prof. Bardh Rugova, nga Universiteti i Prishtinës: “Revistat arbëreshe si paqyrim i kulturës arbëreshe”; dr. Pierfranco Bruni foli mbi Jetën Arbëreshe; protopapas Emanuele Giordano, leksikograf nga Frasnita: “Nga Zëri i Arbëreshëvet te Jeta Arbëreshe”; protopapas Antonio Bellusci, nga Frasnita, etnograf e drejtor i rivistës “Lidhja”: “Tradita gazetareske e Frasnitës”. Të gjitha kumtesat qenë të çmuara nga publiku.
Morën fjalën pra, në të folmet e tyre arbëreshe, edhe disa Korrispondentë arbëreshë të J.A. çë gjëndshin te salla: Carmine Stamile nga Shën Japku, Ernesto Tocci nga Shën Martiri, Kikina Martino nga Ferma e Kostondini Bellusci nga Pllatni. Maria Assunta Fazzano, ka Këmarini, gjëndej në sallë po s’patë zëmër të flitë; Mario Giuseppe Miracco, ka Shën Sofia, një shkrim ja dha drejtorit t’e lexonij, si edhe Lucia Amato, ka Purçilli, i dha një poezi të saj.
Të tjerë Korrispondentë – si Beccia ka Kazallveqi, Massaro ka Qefti, Campera ka Mashqiti, Marchianò ka Spixana – urimet e tyre për Dhjetëvjetorin e Jetës i dërguan me e-mail ose me postë , po s’u gjënd moti për të lexohëshin në Kuvend. Grupi folk “Të Bijtë e Shqiponjës” i Frasnitës, me presidentin Pasquale Bruno në krye, shoqëroi Kuvendin me disa këndime arbëreshë.
Përfaqësuesvet të Institutiocanevet të pranishëm ju dhurua e tërë seria e Jetës Arbëreshe (nn.1-72), aq në formë prej letre sa në Dvd. Ndërsa publikut në sallë ju dhurua numri i fundit i revistës. Ishin në sallë ndryshe gazetarë dhe Tv-Libera Cassano.
Shumë të tjerë Korrispondentë do t’kishin ardhur Frasnitë, por largësia, sëmundja, puna, pleqëria e… benxina ja ndaloi. Të gjithë i falënderoj, sikur të kishin ardhur.
Për kryerjen dhe përfundimin e mirë të Kuvendit falënderojmë kryetarin e Bashkisë së Frasnitës Francesco Pellicano dhe senatorin Vasil Giordano. Një falënderim të veçantë e meriton Pasquale Bruno, ç’i dha drejtorit të J.A. një dorë të mirë në realizimin e Kuvendit.
Rivista Jeta Arbëreshe do të vazhdonjë të dalë, po nga gjashtë muaj. Dhe on-line. Kështu Arbëreshët kanë më mot për të dërguar Korrispondencat e tyre ose të tjera materiale popullore. Me motin, ish mirë të zgjerohej pjesa publicistike e Jetës Arbëreshe dhe të bëhej më shkencore pjesa e saj studimore.
Brumin e vënë Arbëreshët, miellin e vënë Shqiptarët. E magjja patjetër do të japë bukë të mirë.
Drejtori i Jetës Arbëreshe, Agostino prof. Giordano
Purçill/Eianina (Cs-Italì), 7 shkurt 2012
Publikue ne http://kosova.albemigrant.com/?p=4183