Rama: Ja si verifikohen votat e 28 Qershorit

0
33

Edi Rama

Shekulli Online, 21.02.2010

SHKODER – Kryesocialisti Edi Rama bën publike për herë të parë procedurat, që duhet të ndiqen për verifikimin e votave në kutitë e votimit. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, Rama ka sjellë një shembull konkret mbi mënyrën se si duhet të hapen kutitë e votimit. “Marrim kutinë në Dukagjin, të votave dhe materialeve zgjedhore. E hapim kutinë, nxjerrim procesverbalin, 940 me 126 për pushtetin. E zëmë se votat janë aq. Tani pyetja është këto vota janë të gjitha vota të hedhura nga njerëzit, secili votues? Në listën e votuesve verifikojmë gjithë kartat, numrat e pasaportave, korrespondojnë me votuesit apo jo. Interesohemi se sa nga emigrantët që kanë votuar atje në Dukagjin ku votimi ka vajtur 95 për qind për shembull kanë qenë atë ditë aty.

Ndërkohë ekzistojnë dhe firmat e gjithë komisionerëve. Është shumë e thjeshtë që në bazë të firmave të verifikosh firmat e tjera. Ka ekspertizë që e bën thjeshtë fare”, tha Rama. Kryesocialisti ka shpjeguar se e vërteta nuk del duke fshehur kutitë. Duke theksuar problemin e hapjes së kutive, Rama tha se, “nuk mund të lejojmë që demokracia të kthehet në një forcë ku nuk komandon populli, por ai voton e shteti numëron. Ne duam autopsinë e një trupi të vdekur për të bërë të mundur që të tjerë të mos vdesin nga e njëjta sëmundje. Pushtet që bën biznes me të drejtën e liritë e qytetarëve nuk duhet të ketë”. Kryetari i PS-së shtoi se nuk mund të lejohet më që njerëzit të shkojnë të votojnë dhe vota e tyre të tjetërsohet për interesa private të njërit apo tjetrit. “Kjo do bënte që njerëzit të mos kishin besim dhe të mos shkonin më për të votuar pasi rezultati nuk do pasqyronte zgjedhjen e tyre.

Nuk duhet spekuluar me 20.000 komisionerët e PS-së pasi ka qenë një pjesë e vogël e tyre që ka përlyer procesin dhe ka thyer rezultatin në favor të atyre që qeverisin aktualisht. Ne nuk do mund të shkojmë drejt ndëshkimit nëse nuk bëhet transparenca e kutive. Në rast se do lejonim këtë, në zgjedhjet e ardhshme do të ndodhte e njëjta gjë që ka ndodhur, komisioneri merr lekët dhe ikën se e di se kutitë nuk do i hapë njeri më pas. Kjo do të ishte një bashkëjetesë me një sistem kriminal, që është në themel të demokracisë, pasi zgjedhjet janë një themel i tillë.

Çdo sakrificë për këtë parim madhor do ja vlente dhe prandaj nuk do të tërhiqemi nga hapja e kutive e transparenca e tyre me qëllim që ti kundërvihemi këtij skenari të rrezikshëm, me çdo çmim. Kuptohet se kriza që ka pushtuar vendin është e disa anshme dhe nuk është ky problemi i vetëm. Rruga për ta bërë demokracinë e vërtetë është e vështirë dhe jo e shkurtër, por ky është hapi i pare”,- tha Rama.

Kriza ekonomike
Krahas zgjedhjeve, Kryesocialisti nuk kanë lënë jashtë vëmendjes së tij edhe situatën ekonomike në vend.”Jemi në një situate kur kriza ekonomike është një kërcënim i madh dhe treni i ekonomisë shqiptare po shkon drejt humnerës ku nuk do të bëjnë punë as frenat. Kjo situate nuk mund të kalohet duke goditur e përbaltur opozitën shqiptare me qëllim që të shmangë vëmendjen dhe ti ikë përgjegjësisë”,- tha Rama. Kryetari i opozitës ka bërë fajtore qeverinë aktuale për faktin se në katër vitet e shkuara nuk punoi për plotësimin e standardeve të kërkuara për integrim. “Pushteti aktual fshihet pas sloganeve për të mbuluar korrupsionin, dhe përpiqet të mbajë larg debatin për problemet reale dhe hedh shashka, krijon telenovela me të shkuarën vetëm për arsye që të shmanget vëmendja e njerëzve nga hallet konkrete dhe situata aktuale. Ky është një kurth nga i cili duhet të dalim”,- tha ai

***************

Rama-Berishës: Më shiko në sy kur të flas..
Ka patur edhe momente tensioni larg syrit te kamerave ne takimin e zhvilluar ne Presidence mes Topit, Rames e Berishes.
Burime nga presidenca, kane bere te ditur ne biseda jozyrtare detaje te takimit, vecanerisht nje fazë të tij, kur Rama e ka pyetur Berishen drejtperdrejt, përse ka devijuar nga marreveshja qe ne rast kontestimi te rezultatit, do mjaftonte kerkesa e dy anetareve te KQZ per te hapur kutite.
Fjala eshte per marerveshjen Rama-Berisha parazgjedhore që u jep të drejtë dy anëtarëve të KQZ të marrin prova (neni 136 pika 3) dhe të rinumërojnë kuti votimi (neni 138, pika 3) pa kushte. Këto klauzola kanë qenë ‘monedha e shkëmbimit’ e PD për shumë kërkesa të saj të pranuara nga Partia Socialiste para zgjedhjeve.
Sipas burimit, Berisha e ka devijuar pergjigjen dhe Rama ka insistuar per pergjigje te drejtperdrejte. Ne kushtet e tensionimit te bisedes, Rama ka perseritur frazen “parimi i transparences” dhe me pas i eshte drejtuar disa here Berishes duke i thene: “Më shiko në sy kur të flas..”

*****

Kriza, PS: Jemi të vendosur për hetimin pa kushte të zgjedhjeve

TIRANË- Partia Socialiste ka ritheksuar sërish sot se nuk lëkundet në qëndrimin e saj për hetimin pa kushte të zgjedhjeve dhe transparencën e plotë të 28 qershorit.

Sipas deputetit Artan Gaci, kërkesa e PS-së është e thjeshtë. “Askush nuk ka pse të habitet nga kjo kërkesë që është e drejtë dhe parimore, në respekt të ligjit dhe të Kushtetutës. Sali Berisha bën mirë të hapë kutitë duke respektuar kështu të drejtën legjitime të popullit opozitar për transparencë, sepse përballë frikës së Saliut nga transparenca qëndron kërkesa e një populli të tërë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit”- ka thënë ai.

Ai ka reaguar dje pas deklaratës së PD-së, që e cilësoi vendimin e socialistëve për protesta si kërcënim ndaj shtetit dhe qeverisë.