Mosndëshkimi i krimit dhe ndëshkimi i gazetarëve

0
38

Nga Mero Baze, 7 Shkurt 2012

Redaksia e emisionit ‘Fiks Fare’ do të përballet sërish në Gjykatën e Lartë me rastin e ish- ministrit, Ylli Pango, i cili kërkon një dëmshpërblim prej 400 mijë euro nga redaksia për transmetimin e një videoregjistrimi, i cili në mënyrën më të qartë dëshmon përdorimin e një posti publik, në rastin konkret për joshje seksuale. Nuk dua të ndalem as tek çmenduria e vendimit të Gjykatës së Faktit për sasinë e gjobës dhe as tek mënyra se si do të përfundojë kjo çështje nga Gjykata e Lartë dhe nga rigjykimi në themel në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Ajo që bie në sy në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit si dhe në shqetësimin që organizatat e lirisë së shtypit po i adresojnë Bashkimit Evropian për Shqipërinë këtë vit, janë gjobat e larta në adresë të gazetarëve, të cilat tejkalojnë jo vetëm pagën e gjithë jetës së tyre, por dhe fusin gazetarinë në kurthin e ngritur nga politika për poshtërimin e saj. Një gjobë 400 mijë euro për një redaksi është afërsisht buxheti i asaj redaksie për pagat për gati 5 vjet punë, çka do të thotë se është automatikisht një përpjekje jo për t’i mbyllur gojën, por për ta asgjësuar atë redaksi. Edhe pse Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka një vendim unifikues, që u referohet gjobave ndaj gazetarëve, të cilat nuk duhet të synojnë pasurimin e palës paditëse, po krijohet precedenti i gjobave, të cilat mund të krahasohen me dënime me burg të përjetshëm.

Ndaj meje dhe gazetës Tema brenda një viti gjykatat e Shkallës së Parë, të Apelit dhe ajo e Lartë, kanë dhënë herë fshehur e herë hapur, por asnjëherë duke zbatuar procedurat, gjoba që në tërësi kërkojnë deri 500 mijë euro. Njërën prej tyre, atë me biznesmenin e pushtetit, Rezart Taçi, e kam në proces gjykimi dhe ai kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim, pasi mendon se ka mbyllur në gjykatë dhe ka marrë pafajësinë rreth sulmit fizik që më ka bërë mua në prani të disa kolegëve. E njëjta gjykatë që më ka dëgjuar mua, dy kolegët e mi dhe policinë që ai ishte agresori, ka besuar vetëm atë që nuk ishte dhe e ka shpallur të pafajshëm.

Tani unë nëse vazhdoj të them që gjyqtari është i korruptuar apo Rezart Taçi më ka qëlluar, sipas tyre quhet që kam shpifur dhe duhet të dënohem dhe 100 mijë euro të tjera. Po të mbledh dhe gjyqe të tjera të mëparshme të gjykuara arbitrarisht dhe me klientelizëm gati banditesk gjyqtarësh dhe natyrisht me inkurajim nga pushteti, i bie që unë të jetoj 135 vjet për të shlyer gjobat e vendosura në mënyrë arbitrare, ndërkohë që dënimi i përjetshëm në Shqipëri, i cili është burg, parasheh vetëm 25 vjet. Pra një gazetar që e ka rrogën 500 euro në muaj të deklaruar në tatime, i duhen 1 mijë muaj punë, ose afërsisht 90 vjet punë për të shlyer atë.

Po e bëj këtë llogari për të kuptuar se gjykatat shqiptare, të cilat janë dukshëm mekanizmi i politikës kundër lirisë së shtypit në Shqipëri, po përdoren për të futur gazetarinë investigative në spiralen e mafies dhe mbylljen e gojës së gazetarëve. Nëse ‘Fiks Fare’ dënohet 400 mijë euro, ose unë arrij të paguaj 500 mijë euro, po ua them qysh tani se ose do kem shitur drogë, ose do kem bërë pazar me Sali Berishën, ose do jem futur në LSI se aq para s’i bëj dot kurrë.

Dje dëgjova Sali Berishën të fliste për një valë të re dënimesh ndaj gazetarëve, sidomos për ata që prekin privatësinë e artistëve dhe këngëtarëve. Në të vërtetë nuk është aq i shqetësuar për ta, se sa për precedentin e ndëshkimit të shtypit dhe çuarjes së tij drejt falimentit, nëse është kritik me të. Kjo ndodh në një kohë kur Sali Berisha dhe Edi Rama, edhe pse merren vesh bashkë deri për ndryshimin e Kushtetutës, nuk merren vesh për një ligj për shtypin, ku gazetarët dhe raportet e tyre të mos trajtohen si fyerje apo shpifje apriori vetëm pse shteti fsheh informacionin dhe faktet, por të trajtohen si kontribut për lirinë e fjalës dhe shteti të marrë përsipër barrën e hetimit të provës nëse është i pafajshëm. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe kur shkrimi apo raporti u drejtohet atyre që Berisha ka filluar t’i quajë personazhe VIP.

Nëse Bashkimi Evropian shpreh si shqetësim kryesor pikërisht këto gjoba të larta, as opozita dhe as qeveria nuk kanë folur për një plan veprimi për të rregulluar këtë çështje, përkundrazi, duket sikur merren vesh në heshtje që media të mbetet peng e tyre.

Në të vërtetë kjo ka për të qenë një bumerang i madh për ta. Mundësia për të penalizuar një medie- natyrisht që në kushtet e një shteti të kontrolluar nga mafia si shteti ynë ekziston, por mundësia për t’u mbyllur gojën gazetarëve është thuajse zero. Infrastruktura e sotme e medies online dhe rrjeteve sociale e bën të pamundur që ligësia e njerëzve të politikës të mposhtë gazetarët. Çmimi që ata mund të paguajnë për kriteret që i ngrenë medies mund të jetë më i rëndë se gëzimi i lig për poshtërimin e tyre me gjoba marramendëse, për të cilat duhen disa jetë për t’i paguar.

Berisha ka arsye të nxitojë të shtrëngojë lakun mbi gazetarët e paktë kritikë që i kanë mbetur në vend, dhe po ashtu ka arsye që të inkurajojë gjykatat për t’i shtuar dënimet ndaj kritikëve të tij, por opozita nuk ka arsye të ndjehet komode, duke bërë sikur nuk e shikon çfarë po ndodh me shpresë se kur të jetë në pushtet i duhet ky komoditet. ‘Fiks Fare’ do të vazhdojë të jetë kritik dhe nesër kur ata të vijnë në pushtet. Unë do ta kem gjithmonë një laptop dhe akses në internet për të shkruar. Por nëse sot opozita nuk dëshmon se është në anën e lirisë së medies, do t’i ketë të pakta shanset të ngrejë moralin e një shoqërie që po traumatizohet nga mosndëshkimi i krimit dhe ndëshkimi i gazetarëve.