Kapelja e iluzionistit dhe përgjegjësia ndaj fjalëve

0
49

Elvira Dones, 18.02.2010

Po marr përsëri penën, në dëm të kohës së paktë dhe punëve të shumta. Dhe po e bëj jo për t’u marrë me veten, por sepse vazhdoj të ushqej ndjenjën e angazhimit ndaj Shqipërisë – e drejta e detyra ime si qytetare kjo, e larg qoftë sikur t’ia lejoja njeriu të ma mohonte, apo të heshtja ndaj pavërtetësive e llagapeve të ngjitura pa pikë sinqeriteti, veç me qëllimin për të mbjellë ngatërresë në lexuesin dhe publikun në përgjithësi.

Këto ditë kam dëgjuar disa bashkëkombës (të pakët në numër, fatmirësisht) të etiketojnë si “patetizëm” përmbajtjen dhe tonin e letrës së hapur që i shkrova para pak ditësh Kryeministrit Silvio Berluskoni.

Lexova edhe shkrimin e datës 16 shkurt të një bashkëkombësi, i cili, i zellshëm që të qëmtojë ndërhyrjen time në të përditshmen “La Repubblica” – përcjellë nga “Shekulli” – me një lehtësi habitëse rreshton në argumentimin e tij emra të mëdhenj të kulturës botërore për t’i dhënë kështu solemnitet, peshë dhe shkëlqim fjalëve të tij.

Ndaj, për respekt kundrejt Angelopoulos, Fò, Leoncavallo-s e Benigni-t, dhe sidomos për respekt ndaj çdo shqiptari, e quaj me vend të merrem me disa koncepte, të cilat shpresoja se ndërkohë duhej të ishin të qartë, por kështu nuk qenka ndaj lipset të shpjegohen, dhe këtu e kam fjalën për: burimin; rolin (në këtë rast institucional) dhe kontekstin.

Nëse Iliri, Hyseni apo Tani këpusin shakara pa kripë e fyese darkave në Bar Sport (po e quaj kështu thjesht për lehtësinë e rrëfimit), kjo është puna e tyre. Hyn në të drejtën e fjalës, të të shprehurit. Pra, burimi është një njeri i zakonshëm si shumë të tjerë, që nuk mbulon asnjë rol institucional dhe gëzon lirinë të argëtohet ashtu si ia ka ënda (edhe sikur fjalët që përdor të jenë të diskutueshme për nga shija.)

Konteksti në këtë rast është bari, mejhania, darkave vonë, kur ndoshta njeriu në fjalë e ka ngritur bërrylin e ka pirë ca si tepër. Hysa apo Liri, pra, janë në qejf të tyre – për sa më përket. Nëse gjendem në atë bar e ma kap veshi mund edhe të mendoj se batutat që bëjnë janë vulgare apo të cekëta. Jam e lirë ta mendoj, apo jo?

Nëse zoti Silvio Berluskoni këput broçkulla në Bar Sport darkave, çështja bëhet më delikate: burimi në fjalë është një personazh i njohur publik që gjatë ditës mbulon një rol institucional, zyrtar shumë të rëndësishëm – ndonëse mbrëmjeve ka edhe ai të drejtën, deri në njëfarë mase, të ngrejë një a disa gota, kjo hyn në të drejtat e qytetarit të lirë meqë në Bar Sport ai po argëtohet si çdo qytetar.

Situata është megjithatë delikate, sepse nëse një individ, gazetar apo jo, kalon andejpari e regjistron profkat e shakatë e tepruara të Silvio B., dhe të nesërmen i vë online, ka shumë mundësi që dikush të indinjohet për këtë dhe me shumë gjasë lehtësia e papërmbajtshme e zotërisë Silvio merr ngjyra të një skandali të përmasave të vogla a të mëdha.

Berluskoni pa dyshim do të mbrohet, duke thënë se “ishin thjesht batuta humori shprehur si qytetar i thjeshtë dhe me qëllim krejt të mirë”, e më pas, përgjegjësi i komunikacionit i Berluskonit personazh publik do të derdhë djersë duke u rrekur të shuajë zjarrin. E këtu zallahia do mbyllet, me ndonjë pasojë të vogël, për arsye rivalitetesh politike…

Por, nëse i njëjti Kryeministër, Silvio Berluskoni, këput profka fyese gjatë një konference shtypi në kuadrin e një takimi ndërkombëtar, gjërat ndryshojnë kryekëput. Burimi është gjithmonë Berluskoni, roli është ai i kryetarit të ekzekutivit të shtetit italian dhe konteksti është zyrtar – jemi në një konferencë shtypi në fund të një takimi ndërkombëtar mes homologësh të dy shteteve.

Si pasojë pesha, kujdesi, dhe serioziteti i fjalëve që përdoren duhen të ndjekin rregullat e etiketës dhe respektit të ndërsjellë zyrtar ndërkombëtar.

Dekodifikacioni, interpretimi, domethënia e të njëjtave broçkulla (përkatësisht bërë nga Iliri, Hyseni apo Silvio) bëhet në përputhje, dhe Jo Në Shpërfillje të burimit, rolit dhe kontekstit. (Sikur Hyseni të këpuste batutat e Bar Sportit në dëm të Berluskonit gjatë konferencës së shtypit Berluskoni-Berisha, rojet e sigurimit do ta nxirrnin jashtë të gjorin Hysen pa shumë ceremonira e ndjenjë tolerance. Thjesht sepse Hyseni kësisoj ka zgjedhur kontekstin a gabuar.)

Ndaj është krejt evidente se “batutat e humorit” të këtij Kryeministri janë një fyerje flagrante të rregullave elementare diplomatiko-politike. Ai ishte në podium me liderin e një vendi, Shqipërisë, vend i cili, fatkeqësisht, përgjatë viteve ka bashkëpunuar e ka shkaktuar tregtinë e qenieve njerëzore (të “vajzave të bukura”, pikërisht) duke i shkaktuar vendit një vuajtje jo të vogël. Pa harruar asfare faktin që në këtë shitblerje “malli” janë pasuruar shumë njerëz si në Itali e si në Shqipëri. Dhe këtu ndalem, se kjo është temë më vete.

Që dikush duhej të thoshte se ajo frazë ishte jo thjesht e lehtë e karagjoze, por fyese, krejt pa vend, e papranueshme ishte, për mendimin tim, e domosdoshme. Pikë. Meqë Kryeministri ynë nuk u kundërvu, por edhe para dy ditësh u rrek të përligjte lehtësinë e pafajshme të homologut të tij italian, sepse ai “kështu e ka, kështu është gatuar”, personalisht, ngaqë kam gjithë të drejtën ta mendoj ndryshe shkrova një faqe, as më shumë e as më pak.

Dhe të më ndjejë zoti Mark Marku i PD-së. Por mbetet bindja ime me e thellë se duhet guxuar përpara kujt të pështyn qoftë edhe në mënyre metaforike. Dhe shkrimtarja në fjalë nuk ka asfare patetizëm. E flet jo për të vënë veten në qendër të kushedi se çfarë, sepse për këtë nuk ka aspak nevojë.

Flet thjesht sepse ka shkruar një investigim të gjatë në formë romani, e ka bërë pesë dokumentarë televizivë rreth kriminalitetit dhe trafikut mes Shqipërisë, Italisë, Afrikës Perëndimore e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik. Dokumentarët janë aty, provë e të vërtetës që them, e jo gënjeshtra pazari.

Mund të diskutojmë gjatë, zotërinj të qeverisë, të mediave, jam e hapur ndaj çdo kuvendi, konfrontimi, sqarimi, ndërtimi së bashku: por jo duke i shtënë sho-shoqit me fjalë keqdashëse e aspak informuese për publikun.

Ju pres të më ftoni, të na pyesni, jo vetëm mua, por ato gazetare, gazetarë e studentë me origjinë shqiptare me banim në Itali, të cilët i shkruan një letër edhe më të ashpër se imja zotit Berluskoni.

Ftoni e kërkoni mendimin e njerëzve të mrekullueshëm të shoqërisë civile në Shqipëri. Le të bëjmë tryeza të rrumbullakëta në të mirën e vendit tonë e jo në të mirën e egos apo karriges apo lavdisë personale.

Në vend të rrekeni të zvogëloni apo përqeshni punën tonë, zotërinj, kthejuni me kurajë e jepini një përgjigje atij që fyen “për gallatë” një popull të tërë.

Tani po i kthehem kapelës së iluzionistit, ku gjeta të hedhura emra, koncepte thjesht të palidhura, ku ngatërroheshin njerëz të shenjtë të kulturës e artit. Kalojmë tek Roberto Benigni, “La vita è bella” lind nga një ide origjinale e mrekullueshme, kurajisht ikonoklaste.

Por Roberto Benigni, njeri i një ndjeshmërie dhe thellësie njerëzore të pashembullt nuk ka shkuar kurrë në Auschwitz duke treguar barcoleta e duke u shqyer gazit së bashku me gazetarët që e rrethonin nën ogurzezën parullë “Arbeit macht Frei”.

Ashtu siç jam dhjetëfish e bindur që Benignit nuk i shkon kurrë as në aneks të mendjes të rrëfejë barcoleta pa kripë në Bar Sportin e fshatit toskan ku jeton. Sepse, në këtë rast edhe Bar Sporti do të ishte, konteksti i gabuar.

Roberto Benigni ka ditur të zgjedhë kontekstin e duhur. (Ndaj, le të lëmë rehat – do të sugjeroja – Angelopuolos, Dario Fò e Leoncavallo: zakoni për të hedhur emra quhet në anglisht name dropping dhe është një zakon paksa fëmijëror i praktikuar zakonisht (e jo vetëm në Shqipëri) nga njerëz disi të pasigurt të cilët përpiqen të merren me përsiatje intelektuale mbi të cilat iu mungon një valixhe e mirë instrumentesh logjike.

Gjërat e hedhura e të shkundura së bashku në një kapele cirku, i krijojnë konfuzion lexuesit, dhe nuk e ndihin të përparojë në analizën e çështjeve që na rrethojnë.)

Pika e fundit: e ashtuquajtura indiferencë e botës së mençur të qytetëruar ndaj batutave karagjoze të një Berluskoni, madje argëtimi me to – bindje kjo e artikullshkruesit Gentjan Vyshka – është një informacion krejt i pavërtetë, që i shërbehet lexuesit të “Shekullit”. Dhe si i tillë, është dëmprurës.

Siç dëmprurëse janë rrekjet për të vënë epitete e për të kthyer në qesharake letrën e E. Dones drejtuar Kavalierit. Falsiteti është dashakeqësi, që nuk më prek aspak, as edhe një fije të vetme, por më shqetëson, sepse roli ynë është të informojmë e jo të keqinformojmë.

E pavërtetë pra, e ashtuquajtura indiferencë e botës së qytetëruar ndaj Berluskonit. Shqipëria është një vend i vogël e pa peshë të madhe në jetën politike ndërkombëtare (për arsye ekonomike e demografike), por batuta e freskët rreth “vajzave të bukura shqiptare” – si edhe indinjata e mijëra italianëve e shqiptarëve ndaj “lehtësisë së karagjozit” janë përcjellë dje në Britaninë e madhe nga “Daily Telegraph”, në Francë nga “Le Figaro”, në Gjermani nga “Tagesspiegel” e Berlinit, duke cituar vetëm disa prej tyre.

Një agjenci shtypi zvicerane e konsideroi berluskonatën e fundit: “për të ardhur për të vjellë” dhe vijoi duke thënë: “Nuk është hera e parë që Kavalieri del me profka shkatërruese e mosrespektuese ,por po bëhet, çdo herë që shkon, më i vështirë pranimi i një sjellje të tillë.”

Pra, në Perëndim gjejnë kohën dhe energjinë të indinjohen për fyerjet vulgare të një Kryeministri në kurriz të një populli të vogël dhe jo influent si Shqipëria. Dhe nuk kuptoj përse duhet të jemi pikërisht ne që duhet ta përligjim zotërinë në fjalë e të ulim kokën duke thënë: “Sa humor që ke, zoti Padron.”