Një impasse i rrezikshëm

0
54

Mustafa Nano

Nga Mustafa Nano

Pas takimit të parë në zyrat e Presidencës së Republikës midis kreut të pushtetit e kreut të opozitës, të gjithë kanë zënë të pyesin përherë e më shumë se çfarë do të ndodhë, se a do të ketë takim të dytë, se cila palë do të hapë rrugë, se a mund të dilet nga ky cul-de-sac me kompromis, se cili mund të ishte kompromisi etj., etj. Mirëpo këtë nuk e di askush. Lojtarët lëvizin nga t’i shpjerin erërat e konjukturave, të cilat varen kryesisht nga qëndrimet e ndërkombëtarëve. Edhe Berisha, s’ka gjë se nga jashtë duket sikur i ka në dorë gjërat, nuk e ka idenë se cila do të jetë lëvizja e vet e radhës.

Ja, një a dy muaj më parë, ishte ky njeri që shpërfillte kërkesat e opozitës, që sulmonte egërsisht këtë të fundit, sidomos kreun e saj, që linte të kuptohej se qielli me tokën mund të bashkohen, por ai me Ramën nuk mund të ulej në një tavolinë bisedimesh mbi çështjen e zgjedhjeve. Dhe në fakt, nuk është se ka thënë ndonjë gjë që s’e ka menduar. Përkundrazi, ai ka qenë i qartë e i sigurt, se me Ramën nuk do të ulej. Mirëpo, puna erdhi që u ul e që gjuhën ka zënë ta përdredhë. Nuk flet më si më parë. Po përmend gjithmonë e më shumë talentin e gatishmërinë e tij prej njeriu kompromisesh.

Po përgatitet të bëjë atë që kërkon opozita? Jo, një ide e tillë ende nuk është futur në kokën e tij. Ai thjesht po bën një copë herë burrin babaxhan, me shpresën se ndërkombëtarët do impresionohen prej tij e do lodhen nga Rama mistrec dhe i pabindur. Por nuk përjashtohet mundësia që në momentin e fundit ai të bëjë ndonjë lëvizje të beftë. Nuk ka gjasa që të bjerë dakord për hapjen e kutive e për rinumërimin e votave, por mund të bjerë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në të cilat ai mund të hyjë i avantazhuar, për shkak të dhuratës së pritshme të Brukselit (ai shpreson që të realizohet në muajt e ardhshëm liberalizimi i lëvizjes së lirë për shqiptarët nëpër Europë). Nëse Brukseli nuk do ta hedhë këtë hap (dhe nuk është çudi të mos e hedhë në këto kushte), ai do të mendojë ndonjë lëvizje tjetër. Hëpërhë, nuk e ka idenë se ç’do të jetë kjo lëvizje, por rrethanat do t’ia mësojnë.

Nga karriera e vet duhet të ketë mësuar (ka mësuar vallë?), se situata e gjatë konfliktuale mes palëve politike penalizon atë që është në pushtet, pasi të gjithë njerëzit me buon sens do të pyesin në fund: Po pse pushteti u soll kështu? Pse nuk u tërhoq? Ç’të keqe do të kish hapja e kutive, xhanëm? Edhe kutia e Pandorës do të ishte hapur më kollaj sesa këto kuti, brenda të cilave rri – çfarë? Ndonjë virus që të kall datën? Jo, ç’është ajo fjalë – rezultati elektoral, mbi bazën e të cilit Berisha është në pushtet. Kryeministri ynë, pra, në kundërshtim me atë që mund të mendohet, nuk di ta zgjidhë ekuacionin e krizës. Ai njeh veç një të dhënë të pandryshueshme për të: kutitë nuk kanë për t’u hapur.

Në krahun tjetër, Rama di edhe më pak, sesa Berisha. Por ai ka shpresa më shumë. Ca muaj më parë, ai ishte njeriu i rrethuar i politikës shqiptare. Madje, në një moment u duk sikur rrethi iu ngushtua sa s’kish ku të shkonte më shumë. Ndërkombëtarët u bënë kor në kërkesën drejtuar atij për t’u futur në parlament, pushteti zuri të sulmojë sipërmarrjet e njerëzve të opozitës, rebelët brenda partisë u shfaqën me tërsëllëm në debatin publik, e më në fund, anchor-men-ët, manjatët e publicistët nuk po i jepnin paqe. Negociatat e filluara me Berishën sikur po e lënë të marrë pak frymë. Të kuptohemi, situata politike është ende plot kurthe e mistere për të, por ky moment po e lejon të marrë pak frymë. E ndërsa ai po relax-ohet, të tjerët janë duke riparë e llogaritur qëndrimet e tyre.

Një gjë mbetet e qartë për Edi Ramën, dhe ai jep përshtypjen se e di mirë: ai nuk mund të futet në parlament pa u bërë rinumërimi i votave. Nuk është puna se në rastin e humbjes së kësaj beteje ai rrezikon të humbë përgjithmonë (ky është hesap që i takon atij); nuk është gjithashtu se pa rihapjen e kutive duhet t’i qajmë zgjedhjet normale në këtë vend (kjo tezë e Ramës nuk është pa gjë, por të tjerët kanë arsye ta marrin për një sendërgji të shpikur në nevojë e sipër). Çështja është më e thjeshtë: Edi Rama nuk ka pse të heqë dorë nga kërkesa për rinumërimin e po atyre votave, që kanë rikonfirmuar në pushtet Sali Berishën. Me fjalë të tjera, ai nuk po kërkon çudira.

Ai po bën kërkesën më normale të botës, e cila nuk ka sesi e pse t’i refuzohet. John Stuart Mill e John Locke, të cilët kanë njohur dhe të drejtën për të organizuar një kryengritje të përgjithshme kundër një pushteti që ngrihet mbi abuzime (i pari ka thënë se populli ka të drejtën për të organizuar një “general rebellion”, ndërsa i dyti i ka njohur popullit “the right of revolution”), do i kishin parë rrethanat aktuale, kur establishment-i sundues nuk bie dakord të rishohë verdiktin elektoral, si një casus belli për t’i treguar vendin me forcë njerëzve që kanë uzurpuar pushtetin. Por në ditët e sotme nuk mund të flitet për një revolucion demokratik këtej nga anët tona. Për disa arsye.

Së pari, janë të huajt që vigjilojnë. Së dyti, Shqipëria është një zgëq i botës ku nuk mund të ndodhin gjëra të tilla “të fisme” (e shumta, mund të ndodhin nga ato lloj trazirash, që gjetkë ndodhin pas një katastrofe natyrore). Së treti, opozita politike duhet të ketë një motivim moral dhe kulturor të caktuar për ta bërë këtë punë. Afërmendsh nuk e ka. Kështu që karta e me demek revolucionit bie.

Shtrohet përsëri pyetja: Çfarë do të ndodhë, megjithatë, në ditët, javët e muajt e ardhshëm? Me sa duket, gjithçka do të ndodhë, me përjashtim të dy gjërave: kutitë nuk do hapen, dhe opozita nuk do futet në parlament. Kriza mbetet e pazgjidhur. Jam pesimist? Shpresoj që koha të më nxjerrë gabim.