Sindroma e firmës tek zonja Topalli

0
45

Nga Mero Baze, 25 Mars 2013

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Elbasan rezulton se është pjesë e peticionit kolektiv të organizuar nga Jozefina Topalli dy muaj më parë për votimin e tre ligjeve në parlament. E kemi të freskët histerinë e atij peticioni, firmat kolektive, rektorët, dekanët, drejtorët e estradave dhe teatrove, drejtuesit e institucioneve që vendosnin njerëzit në rresht për të hedhur firmën. Në shpjegimet e saj, Evis Kushi, thotë se mban mend që rektori i universitetit i ka thirrur për të firmosur një peticion pro integrimit të Shqipërisë në BE dhe e ka hedhur firmën.

Në gjithë perceptimin tim për këtë gjest ka dy qëndrime ekstreme. Qëndrimi ekstrem negativ ndaj zonjës Kushi është se ajo nuk është njeri politik dhe nuk e ka menduar politikisht ndoshta deri ditën që Edi Rama e ka thirrur të angazhohet në Partinë Socialiste. Pra, kemi të bëjmë me një pedagoge, e cila vendimi i parë politik që ka marrë në jetë është t’i bashkohet opozitës dhe jeta e saj politike nis këtu. I vetmi që ha debat në këtë mes është fakti, a duhet të kandidojmë vetëm njerëz politikë, apo dhe nga shoqëria civile apo bota akademike.

Perceptimi më pozitiv, nëse duam të kemi një të tillë për këtë rast, është se Edi Rama po ofron në Partinë Socialiste individualitete që nuk janë ashtu siç është koncepti i zonjës Topalli apo Berisha për intelektualët, disa njerëz në rresht, por njerëz të lirë, të cilët nuk kanë komplekse nga biografia e tyre. Dhe nuk di pse mërziten shumë socialistë, kur ata kanë deputetë socialistë që kanë kauzë të tyre votimin e tre ligjeve, biles dhe kur atë nuk e kërkon Stefan Fyle. Dhe janë pikërisht ata që ankohen më shumë nga prurjet e reja të Edi Ramës.

I mirëkuptoj shumë socialistë të përvuajtur që u duket çudi që në lista tashmë ka dhe njerëz që nuk kanë qenë socialistë. Por secili është në vend të vet. Partia Socialiste nuk është parti e gjithë popullit, kurse fryma e pushtetit duhet ta tejkalojë frymën e Partisë Socialiste. Për mua, nëse Edi Rama po bën një gjë mirë në këtë fillim procesi, është zgjerimi i gardhit përtej Partisë Socialiste, biles dhe tek vetë njerëzit e PD-së, siç po bën në disa takime në Dibër dhe rrethe të tjera. Është interesant fakti se Berisha feston kur merr dikë që ka qenë afër me opozitën, kurse opozita vajton kur kupton se dikush nga ata që i bashkohen asaj nuk paska qenë socialist në pozita të forta. Kjo është logjikë më jopolitike se firma e zonjës Kushi në një peticion paçavure.

Por ajo që është turpëruese në gjithë këtë histori, është qëndrimi i Jozefina Topallit. Kandidimi i kësaj zonje për listën e opozitës është një shembull që tregon se deri ku ka shkuar përpjekja e pushtetit për të rrënuar intelektualët dhe për t’i inkriminuar ata. Një njeri që zonja Topalli mendon e ka poshtëruar dy muaj më parë duke e kërcënuar me bukën e gojës, në të vërtetë as ka idenë se çka firmosur, përveçse ka qenë e qartë se po firmoste diçka të kërkuar nga pushteti përmes rektorit.

Duke firmosur në male dhe fusha një peticion qesharak, duke vënë në rresht fabrika, uzina, kantiere, estrada, universitete, etj, në mendjen e zonjës Topalli dhe të pushtetit të saj duket se është rikthyer sindroma e firmës së Sigurimit të Shtetit, që kush firmos, nuk ka ku të shkojë më. Topalli ndoshta ka shembuj të hidhur nga jeta e saj dhe familjes se saj në këtë drejtim. Plot të tjerë në Partinë Demokratike po ashtu. Ideja se ata mund të hakmerren për firmat e jetës së tyre me firma peticionesh qesharakë, dëshmon më shumë se sa thellë brenda tyre ka shkuar komunizmi dhe mungesa e lirisë.

Unë nuk di nëse Jozefina e ka gjallë operativin e Sigurimit që mbikëqyrte shtëpinë e tyre apo atë vetë, nuk di në e sheh në rrugë apo ndërron rrugë, nuk di në i ka bërë ndonjë nder pas 90-ës siç i ka bërë shumica e njerëzve të poshtëruar gjatë komunizmit, por e kuptoj qartë se epshi i saj i fundit në pushtet është të bëhet dhe ajo një herë një njeri që mbledh firma, pa le të vdesë. Në logjikën e saj ajo kërkon të jetë një njeri që do të sundojë duke inkriminuar njerëz, që sipas logjikës së saj komprometohen duke hedh firma apo duke shkuar nëpër aktivitetet e saj. Mbaj mend se të njëjtën gjë bëri dhe katër vjet më parë me një deputete të opozitës në Durrës duke hapur fjalë se ka qenë një herë në një veprimtari për gruan ku kish qenë dhe ajo. Të njëjtën gjë po tenton duke banalizuar dhe këtë rast.

Në të vërtetë nëse ka një njeri që duhet t’i vijë turp për ato peticione dhe atë aksion maoist është Jozefina Topalli. Aq në ekstrem shkoi me atë lëvizje maoiste, sa donte t’i bënte karshillëk dhe gjithë Partisë Demokratike, e cila në atë kohë ishte angazhuar të mbronte çdo ditë Argitën për pazaret që kish bërë me biznesmenin me origjinë nga Pakistani që i kërkonte 3 milion euro për një firmë. Ndërsa Berisha dhe zëdhënëset e tij u torturuan gjithë ditën duke mbrojtur Argitën, Jozefina për t’i bërë karshillëk Argitës (nënkupto Lulit), ndërmori këtë peticion qesharak, rezultati qesharak i të cilit është dhe kjo firmë e zonjës Kushi.

Pra, sot, në vend që të ulë kokën Jozefina dhe të fshehë atë paçavure që na e ka treguar si peticion, mendon se mund të turpërojë një dekane fakulteti, që ka vendosur t’i bashkohet opozitës si intelektuale për të shtuar një energji më shumë në të.

Unë nuk e di sa mirë apo keq është ndjerë zonja Kushi, por njeriu që sot duhet të ndjehet e turpëruar duhet të jetë Jozefina Topalli. Ajo është kthyer sot si gruaja e Mao Ce Dunit, Çian Çin, e cila u emërua zyrtarisht si drejtuese e Revolucionit Kulturor në vitin 1966. Nuk di si do të përfundojë zonja Topalli, por di që Çian Çin nuk përfundoi mirë.

Sipas saj, të gjithë ata që kanë firmosur paçavuren e saj, duhet të votojnë PD-në dhe të mos dalin nga rreshti ndryshe ajo i diskrediton. Në të vërtetë ky është test për të kuptuar sa prej tyre janë njerëz të lirë dhe sa vuajnë nga sindromi i Çian Çinit, siç vuan zonja Topalli. Biles më keq akoma, ajo vuan dhe sindromin e Çian Çinit dhe sindromin e viktimave të poshtëruara të saj, pasi tenton njëkohësisht të jetë shemra e Mao Ce Dunit tonë të mbyllur në shpellë dhe shërbëtorja e tij.