Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve kryqëzon qeverinë: 2009-a, vit i sulmeve fizike mbi median

0
40

Nga Tema

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë e pavarur jofitimprurëse që mbështet lirinë e shtypit në botë, botoi raportin që fokusohet vetëm tek sulmet kundër gazetarëve gjatë vitit 2009 për vende të ndryshme.

Ajo çka bie në sy në këtë vit është se Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve ku gazetarët dhunohen. Gazeta Tema ka qenë kryefjala e raportit për Shqipërinë. Edhe pse liria e shtypit ishte në nivele të ulëta, sërish vendi ynë nuk listohej ndër vendet ku gazetarët dhunohen fizikisht dhe synohet eleminimi i tyre. Vitin që shkoi kemi hyrë në këtë listë të zezë.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e ka shpallur para disa vitesh kryeministrin aktual Sali Berisha si një ndër dhjetë armiqtë më të mëdhenj të shtypit në botë.

Më poshtë vijon pjesa e raportit për Shqipërinë.

“E përditshmja e pavarur Tema u dëbua krejt papritur e brutalisht nga zyra e saj në një godinë në pronësi të shtetit në Tiranë. Policia ndaloi stafin që të hynte në zyra më 8 janar me urdhër të Ministrisë së Brendshme, tha botuesi Mero Baze, që theksoi se gazeta kishte nënshkruar një kontratë qeraje 20-vjeçare në vitin 2007. Ai tha se besonte se qeveria kishte reaguar ashtu si mënyrë shpagimi ndaj artikujve të publikuar në vjeshtën e vitit 2008 për korrupsion në nivele të larta qeveritare. Në dhjetor, pasi këto artikuj ishin botuar, makina e zotit Baze mori flakë e shpërthye, raporton Instituti i Medias i Shqipërisë. Pas dëbimit nga redaksia, Baze vazhdoi ta botojë Temën në zyra të ndryshme, por ai përllogarit se gazeta ka humbur rreth 500 mijë euro pas përmirësimeve që i ishin bërë ambienteve të vjetra.

Disa persona sulmuan ashpër Bazen në një kafe në qendër të Tiranës më 2 nëntor, pasi ai kishte publikuar një seri raportesh kritike tek Tema dhe i kishte diskutuar ato në emisionin e tij televiziv “Faktori Plus”. Baze i tha KMG se ai kishte akuzuar Rezart Taçin, një drejtues në biznesin vendas të naftës, për evazion fiskal, dhe kishte kritikuar autoritetet për mosveprim. Baze i tha KMG se biznesmeni së bashku me truprojat e tij e kishin goditur në mënyrë të vazhdueshme, duke e lënë pa ndjenja. Sulmi kishte për dëshmitarë dy kolegë të Bazes. Në një deklaratë për KMG, Taçi mohoi që të ishte përzier në sulm dhe tha se akuzat e Bazes për taksat ishin të pabaza. Policia e arrestoi Taçin më 5 nëntor në lidhje me sulmin, raportoi Reuters.”