Dëmi i pariparueshëm i Berishës në drejtësi

0
83

Nga Mero Baze, 6 Shkurt 2012

Gjykata e Lartë e Shqipërisë u vu nën dyshime të besueshme se ka qenë në lidhje me një grup sekserësh, të cilët kërkonin të ndryshonin një vendim gjykate duke paguar. Sipas prokurorisë, gjithçka u shmang falë faktit që gjyqtari ishte në dijeni të përgjimit. Ky fakt hap një debat të ri thelbësor për fatin e shtetit ligjor në Shqipëri, pasi është dëshmia më e pakundërshtueshme e ekzistencës së një linje politike brenda drejtësisë, që ka kapur shtetin.

Kjo linjë politike merr në mbrojtje çdo zyrtar të drejtësisë që është politikisht korrekt dhe dekonspiron çdo veprim apo procedurë ligjore të një institucioni që tashmë konsiderohet armik i shtetit dhe që për fatin tonë të keq është prokuroria. Ajo na tregon të gjithëve fytyrën tribale të shtetit shqiptar dhe funksionimin e linjës politike të pushtetit brenda shtetit.

Unë personalisht nuk e paragjykoj gjyqtarin Gani Dizdari dhe do të doja ta shikoja se ai do t’i rezistonte ofertës së sekserëve pa e ditur që po përgjohet. Mënyra e të sjellurit të tij si në një “Big Brother” me leje, është një dëm i shumëfishtë për drejtësinë shqiptare.

Dëmi kryesor vjen nga fakti se brenda sistemit të drejtësisë inkurajohet ajo që do ta quaj pa mëdyshje banda e pushtetit, të cilët kuptojnë se po shërbeve politikisht je i mbrojtur nga ligji dhe kur e shkel atë.

Dëmi i dytë është personal pasi ky gjyqtar edhe mund të mos i kish marrë ato pare, por fakti që e ka ditur që po përgjohet tregon që e ka ditur dhe pse po përgjohet dhe kjo e bën atë shumë pis.

Por kryedëmi mendoj se ka të bëjë me modelin që prodhohet për gjykatat shqiptare. E kam thënë dhe më parë se modeli me të cilin Sali Berisha ka futur nën kontroll drejtësinë është i pazakontë. Ai nuk është tipi i kryeministrit apo pushtetarit që shpërndan dhurata, para apo privilegje direkte për gjyqtarët që i shërbejnë politikisht. Ai është shumë larg skenarit të përfytyruar se Argita ka thirrur Sashenkën në zyrë, apo Halimi ka thirrur Ndrecën në Selanik dhe i ka dhënë kaq apo aq pare.

Sali Berisha nuk parapaguan askënd. Ai pret vullnetarë në procesin e rekrutimit dhe gjunjëzimit të drejtësisë dhe ata i shpërblen me gjënë më të shëmtuar në botë, me heqjen dorë nga profesioni, me shkeljen mbi betimin e gjyqtarit. Gjyqtarët që dalin vullnetarë për t’i bërë shërbime politike Sali Berishës, janë ata që më pas mund të bëhen milionerë me gjyqe ordinere, gjoba marramendëse, ryshfete dhe çdo gjë tjetër që nuk ka lidhje më me drejtësinë. Dhe kjo ka nisur qysh në vitin 1992.

Shikoni gjyqtarët dhe prokurorët që futën në burg Fatos Nanon, sot i keni ose avokatë të familjes Berisha, ose pjesëtarë të studiove të Familjes. Shikoni ata që i rishërbyen pas vitit 2005 si tolerohen kur bëjnë skandale me kriminelë, trafikantë droge apo çështje pronësish. Shikoni kush ka liruar nga akuza Fazlliçin, kush ka mbyllur dosjen e Rrëshen- Kalimash, kush ka mbrojtur Fatmir Mediun, kush ka liruar trafikantin turk që kërkohej për gjysëm toni droge dhe do të kuptoni se çfarë privilegji u jep Berisha atyre që i shërbejnë politikisht.

Linja e gjyqtarëve në shërbim të tij nga shkalla e parë deri në Gjykatë të Lartë është tërësisht e lexueshme dhe e hetueshme.

Dëmi në këtë pikë është më i madh edhe për faktin se Berisha këtë racë gjyqtarësh apo avokatësh nuk e zgjedh vetë, por i ofrohen. Mos mendoni se ata janë të majtë apo të djathtë. Ata janë thjesht të korruptuar. Shumë prej tyre kanë qenë beniaminë të së majtës, biles mund të jenë akoma, dhe plot të tjerë janë të së djathtës, por ata nuk i bashkojnë idealet politike, pasi dhe ato i kanë pazar. Ata i bashkon thjesht kapja e sistemit të drejtësisë për interesa personale.

Ata që mbrojnë sot çështje shumë të ndjeshme të pushtetit, biles dhe çështje që kanë të bëjnë me familjen Berisha siç është ajo e Gërdecit, janë ish-prokurorë të cilët janë anatemuar nga Berisha si mafiozë. Ata që janë në Gjykatë të Lartë, në Apel apo Shkallë të Parë si grup i gatshëm për të shpëtuar Berishën nga çështjet kundër tij, janë në shumicë të emëruar nga koha kur socialistët ishin në pushtet, por kjo s’i pengon ata të jenë ushtarë të Berishës.

Është pikërisht leja që Berisha i jep gjithkujt për të vjedhur dhe abuzuar pa u ndëshkuar nëse i shërben atij, ajo që ka trimëruar këtë bandë që mban peng drejtësinë shqiptare. Janë ata që mua dhe kolegët e mi na dënojnë me qindra- mijëra euro për një fjalë goje dhe nuk çojnë në qeli Komandantin e Gardës që vret, janë ata që bëjnë shërbime duke mbyllur çështje të Berishës dhe pastaj hyjnë në pazare me trafikantë, janë ata që lirojnë trafikantë droge pasi janë lavdëruar tek Berisha se kanë gjobitur kundërshtarë të tij. Ky është virusi më i rëndë që po shkatërron sot drejtësinë shqiptare.

Gani Dizdari është formalisht pa faj, siç është pa faj formalisht Ndreca, Sashenka, Gjoni, dhe shumë gjyqtarë të tjerë që kanë bërë gjeste të qarta të shërbimit politik dhe pastaj askush nuk ka dashur të shikojë se ç’kanë bërë më pas. Disa javë më parë ky gjyqtar shpalli të pafajshëm Sali Berishën, edhe pse ky i fundit kishte akuzuar liderin e opozitës se “kishte zbuar nga krevati gruan e një miku të vet dhe kishte fjetur me të”, ndërkohë që ka ngritur dorën për dënime të rënda ndaj gazetarëve kritik me pushtetin.

E ritheksoj se gjyqtari Dizdari ka pasur vetëm një shans të pastrojë veten e vet, të refuzonte si gjyqtar ryshfetin dhe jo si gjyqtar në përgjim. Ai nuk e ka bërë këtë, dhe kjo e bën atë një fajtor ‘pa faj’, i cili ilustron faktin se brenda sistemit të drejtësisë paprekshmëria nuk buron nga imuniteti i gjyqtarit, por nga afërsia me pushtetin. Dhe në këtë rast pak dhe më e trishtë, më tribale dhe më krahinore! Nga afërsia me Tropojën!