Gjykata që tradhton frymën anti-perëndimore të pushtetit

0
59

Mero Baze

Gjykata e Lartë i hapi dje rrugë çlirimit të Ilir Metës nga akuza për korrupsion aktiv, ngritur nga prokuroria bazuar në një video të regjistruar në prani të ish- Ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Me një plan të qartë dhe të pacipë për të qenë procedurë gjyqësore, Gjykata e Lartë shmangu dëshminë e Dritan Priftit si provë kryesore e këtij denoncimi dhe më pas hodhi poshtë dhe përforcuesin kryesor të kësaj prove, që ishte videoja e regjistruar prej tij. Çdo gjë u bë aq arrogante dhe jo profesionale, sa duket sikur më shumë bëhet kujdes të forcohet bindja se qeveritarët në këtë vend janë të paprekshëm, se sa të respektohet qoftë dhe formalisht një procedurë gjyqësore.

Por mesazhi më i qartë që jep ky gjyq është “tradhtia” që sjelljet e drejtësisë në Shqipëri i bëjnë frymës anti-perëndimore që ekziston në qeveri. Procesi penal në ngarkim të Ilir Metës ka refuzuar tri herë Perëndimin dhe është mbështetur në tre ekspertiza banale, të porositura nga i akuzuari. Gjykata e Lartë hodhi poshtë fillimisht ekspertizën amerikane, për të cilin ambasadori Arvizu theksoi se është një nga ekspertët më të njohur në SHBA. Më pas hodhi poshtë ekspertizën angleze, e cila ishte po ashtu e kualifikuar.

Kur gjyqi po hynte në spiralen e degradimit me ekspertë që kanë zyrat “tek Fushë e Druve”, Bashkimi Evropian theu heshtjen dhe bëri apel për të shpëtuar këtë proces në minutën e fundit. Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim i bëri thirrje drejtësisë shqiptare t’i drejtohej për të rritur besueshmërinë një vendi të Bashkimit Evropian për të bërë këtë ekspertizë. Deklarata e tij u shoqërua me një shpjegim të gjatë se problemi i drejtësisë është një nga arsyet e forta dhe të panegociueshme që mund të lërë Shqipërinë shumë kohë jashtë Bashkimit Evropian.

E projektuar në shembuj të ngjashëm, Bashkimi Evropian është duke i dërguar mesazh Shqipërisë se është “e dënuar” të kalojë nën shembullin e Kroacisë, e cila burgosi kryeministrin që futi vendin në NATO dhe që mori ftesën për vend anëtar në Bashkimin Evropian. Sanader, i cili u dënua për shumë më pak se Ilir Meta, dhe për shumë herë më pak prova, po i hap rrugën në Kroaci një tërmeti të drejtësisë ndaj politikës, duke vënë së fundmi në pozita të vështira dhe kryeministren aktuale për disa pare të padeklaruara gjatë fushatës elektorale për presidente në vitin 2005.

Por dhe ky apel u injorua. Pra, Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e cila ka shënuar rekordet më të zeza në mungesën e dinjitetit dhe profesionalizmit dhe varësisë politike nga pushteti, është në një farë mënyre lakmuesi i frymës anti-perëndimore që ekziston në qeverinë shqiptare lidhur me drejtësinë. Është kjo Gjykatë, që mbylli me procedurë çështjen e Lulëzim Bashës, pasi vajza e kryetares u emërua prej tij në një ambasadë në Perëndim, është kjo gjykatë që mbylli çështjen kriminale të Fatmir Mediut, pasi ai rimori mandatin e deputetit, edhe pse akuza nuk kish ndryshuar dhe asnjë përtëritje mandati nuk kish arsye t’i përtërinte imunitetin ndaj gjykimit.

Është po kjo gjykatë që mbylli të gjitha gjyqet ndaj Sali Berishës për shpifje dhe fyerje ndaj gazetarëve dhe politikanëve kundërshtarë, dhe që dënon me gjoba prej qindra mijëra euro gazetarë që nuk i ka qejf Sali Berisha. Është kjo Gjykatë që dënon një gazetë apo gazetarë 300 milionë lek, sa ç’është paga e dy jetëve, se ia ka prishur qetësinë një “Zengjineje” tjetër të korruptuar të Drejtësisë dhe fal ministra që kanë vrarë 26 vetë, apo të tjerë që kanë vjedhur mbi 200 milionë euro. Por mbi të gjitha është kjo Gjykatë, dhe ndoshta e vetmja gjykatë në botë, që përballë tri ofertave për ekspertizë nga Perëndimi, dy i hedh poshtë si jo të parregullta dhe të tretën nuk e pranon fare, ndërkohë që i jep fuqinë e ekspertizës një paçavureje të përgatitur nga diletantë që nuk dinë as ta lexojnë dhe jo ma ta shpjegojnë me fjalët e tyre.

Pra, kjo Gjykatë nuk vlen për të kuptuar kush ka të drejtë, por vlen vetëm për të kuptuar se më kë është pushteti në një çështje gjyqësore. Në rastin e fundit vlen të kujtojmë që pushteti është kundër frymës perëndimore në drejtësi dhe pro mbrojtjes së paprekshmërisë së zyrtarëve të lartë të shtetit. Pushteti është kundër ekspertizës së SHBA, Anglisë dhe propozimit të Bashkimit Evropian që kërkon një ekspertizë perëndimore për Ilir Metën, dhe gjykata është gati të mbështesë këtë version. Kjo do të bëjë që vendimi për shfajësimin e Ilir Metës të lërë përfundimisht Shqipërinë jashtë dyerve të Evropës dhe ndonjë ftese të mundshme ndaj saj. Nuk kanë rëndësi më as aktet dhe as paktet mes qeverisë dhe opozitës, as ligjet me dy të tretat dhe as kushtet formale të BE. Kushti themelor që është i pari ndër 12 kushtet është drejtësia e pavarur dhe fundi i kulturës së mosndëshkimit të zyrtareve të lartë.

Komisioneri për Zgjerim e tha fare qartë këtë javë që shkoi përmes zëdhënësit të tij. Shihej qartë që Bashkimi Evropian kërkonte që gjyqi ndaj Ilir Metës të ishte provë e fillimit të ndryshimit të drejtësisë shqiptare duke e çuar këtë njeri para drejtësisë. Gjykata e Lartë, kjo celulë besnike e pushtetit më të korruptuar në Evropë, vazhdon të dënojë denoncuesit dhe të mbrojë hajdutët, vazhdon të hedhë poshtë provat dhe faktet dhe tu japë fuqi gënjeshtrave dhe falsifikimeve, vazhdon të inkurajojë korrupsionin e trafikun dhe të dekurajojë denoncuesit e tyre, qofshin këta politikanë, gazetarë apo qytetarë të thjeshtë.

Dhe për ta kuptuar se sa e pafuqishme është kjo Gjykatë të ndëshkojë dikë nga pushteti, mjafton shembulli i Kryetares së saj, e cila poshtërohet familjarisht nga videoja e Ilir Metës, dhe në vend të ndëshkojë poshtëruesin dhe të vërë në vend se paku nderin e familjes së saj, ndëshkon provën, duke flakur ne kosh videon, që nuk do ta shikojë, ta dëgjojë dhe ta gjykojë.