Nga Mimi Kodheli
Ministria e Financave njoftoi për emetimin e Eurobonove me një vlerë prej 300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për shlyerjen e një borxhi të mëparshëm, ndërsa pjesa tjetër për të financuar nevojat e buxhetit. Ministria e Financave e ka quajtur këtë operacion të huamarrjes publike të Shqipërisë një sukses, që do të ndihmojë ekonominë shqiptare, por në fakt ky borxh i ri provon edhe njëherë keqmenaxhimin e vazhdueshëm që i ka bërë ekonomisë së vendit qeveria e Sali Berishës. Së pari, qeveria nuk ka pse ta konsideroje si sukses marrjen e një borxhi, në një moment kur nuk është në gjendje të na argumentoje se si do ta ndihmojë ekonominë shqiptare ky borxh i ri, që po i bëhet dhuratë nga qeveria e Sali Berishës; një borxh i cili nuk do të shlyhet nga xhepi i Berishes, por nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Nëse investimet për të cilat flet Ministria e Financave janë të shëndetshme për ekonominë, perse nuk akomodohen nevojat për këto investime nga mbledhja e te ardhurave? Sepse Sali Berisha ka deklaruar se të ardhurat pritet që te rriten jo vetëm si pasojë e mrekullive ekonomike që po na bën, por edhe sepse ka hyrë në fuqi deklarimi i TVSH për biznesin e vogël me xhiro mbi 5 milion lekë në vit. Me pak fjalë, marrja e një borxhi për të financuar nevojat e buxhetit do të thotë ose që qeveria gënjen për rritjen e të ardhurave, ose që organet tatimore nuk po i realizojnë të ardhurat, për shkak të allishverisheve elektorale të qeverise Berisha me paratë e shqiptarëve.
Perse nuk na sqaron Ministri Bode se sa është parashikimin i kostos se këtij borxhi? Me ç’interesa do të merret ai? Ka gjasa qe këto te jene me te larta sesa interesat e ofruara brenda Shqipërisë për kreditimin ne euro, atëherë perse duhet marre medoemos nga jashtë?
Së fundi, sipas Deklaratës se Mininistrisë së Financave rreth 2/3 e këtij borxhi do te shkojnë për shlyerjen e një borxhi tjetër, me interesa marramendëse, te marre nga kjo qeveri vitin qe kaloi. Dhe pavarësisht se kjo po na shitet si një sukses, në fakt marrja e këtij borxhi është provë e qartë e keqmenaxhimit politik që i është bërë ekonomisë së vendit nga kjo qeveri. Praktika e marrjes borxh për te lare borxhe te mëparshme është një praktike pa logjikë ekonomike, një praktikë e pastër piramidale që tregon se qeveria po sillet si Sudja me buxhetin e shtetit.