Nga Mustafa Nano, 6 shkurt 2012
Të enjten e fundit isha në programin “Top Story”. Isha tok me Ed Palokën, Artur Zhejin dhe Blendi Klosin. Tema e debatit ish 21 janari dhe zhvillimet e fundit lidhur me këtë ngjarje; konkretisht, një qëndrim shumë i ashpër i ambasadorit amerikan kundër atyre që ushtrojnë presion mbi Prokuroren e Përgjithshme, një qëndrim medemek i ri i Lulzim Bashës në lidhje me ngjarjen e një viti më parë dhe një qëndrim i ambasadorit mbi Lulzim Bashën (‘yll në ngjitje’, e quante në intervistën e tij në televizionin “ABC News”).
Folëm për 21 janarin dhe secili iu mbajt optikës së vet. Por ajo që më bëri më së shumti përshtypje atë mbrëmje ish një gjë tjetër. Në një moment nisi një garë mes të ftuarve kush e kush ta përmendte më shpesh ambasadorin, duke iu referuar thënieve të tij e duke ballafaquar qëndrimet e veta me këto thënie, a thua se Arvizu-ja nxjerr në çdo çast nga goja pohime, përballë të cilave versetet kuranike, psalmet biblike apo – po zbres pak në tokë – përcaktimet kushtetuese, janë ca mufka banale. E dini? Nëse keni konstatuar se ka një budallallepsje kolektive këtyre anëve, e nëse nuk keni gjetur një fakt që ta ilustrojë më mirë se çdo gjë tjetër këtë budallallepsje, nuk do bënit keq të ndaleshit tek kjo ngasje e secilit për të matur e vlerësuar opinionet e veta me opinionet e Arvizu-së.
Është një idiotësi e qartë; të gjithë e kuptojnë, e prapëseprapë të gjithë i janë dorëzuar kësaj ngasjeje. Në çdo studio dëgjon të thuhet “ambasadori amerikan tha kështu”, “ambasadori amerikan tha ashtu”, “ambasadori Arvizu është mik i madh i shqiptarëve” etj., etj. Duket sikur është një garë për t’i rënë në sy, për t’iu vardisur e për t’i dhënë prova besnikërie e luajaliteti Arvizu-së, për t’i përcjellë mesazhin atij se “hej, unë jam me ty”, e në ndonjë rast për t’i dhënë të kuptojë se “hej, për mua ti je autoriteti i vetëm në këtë vend, dhe unë e njoh këtë fakt dhe unë po bëj çmos që edhe të tjerët ta njohin të njëjtin fakt, dhe unë jam gati të ndeshem me ata që nuk duan ta njohin këtë fakt”.
Antagonizmi e dialektika demokratike në Tiranë vërtitet mbi një mori çështjesh, por po bëhet e qartë gjithnjë e më shumë se ndarja më e parë, më kryesore e më domethënëse mes shqiptarëve përcaktohet nga qëndrimi ndaj Arvizu-së, apo nga qëndrimi që Arvizu-ja mban ndaj nesh. Është bërë aq mainstream kjo sjellje dhe është aq shtypës ky mainstream, sa më duhet të them se unë që po bëj këtë vëzhgim si kofini pas të vjelit, ndonëse e kisha në majë të gjuhës frazën më adekuate që momenti e lypte, nuk gjeta dot forcën për ta thënë: Na hapët barkun me gjithë Arvizu-në tuaj! Diçka thashë, por jo të një vrazhdësie të tillë.
Jam përpjekur vazhdimisht të thellohem në këtë dukuri. Dhe kam arritur në disa përfundime. Afërmendsh, e gjithë kjo fabulë nuk ka lidhje me Arvizu-në si person. Nuk ka lidhje as me Ambasadorin e SHBA-ve. Është avaz i vjetër i yni. S’mbahet mend qyshkur ekziston. Është një pafuqi e jona për t’u vetëqeverisur, për t’u besuar ca rregullave të përbashkëta të bashkëjetesës e të organizimit socio-politik, për t’u besuar ca institucioneve që janë të të gjithëve e nuk mund të jenë të palëve, për të rënë dakord e për t’u bërë tok rreth një numri vlerash, apo dhe rreth një common sense; është kjo pafuqi pra që na bën të mos ndërtojmë dot qoftë dhe një autoritet të vetëm, të cilit t’i japim konsensus e mbështetje (që në një rast mund të jetë Kushtetuta, në një rast tjetër institucionet shtetërore, në një rast tjetër akoma morali publik etj., etj.), e rrjedhimisht na bën të vihemi në kërkim të një autoriteti tjetër alien, i cili të na ndajë shapin e nga sheqeri e të na tregojë se ku është kufiri e çfarë pasojash kemi, nëse e kalojmë këtë kufi. Normalisht, duhet të kishim ca entitete lokale, që duhet t’na tregonin se cilët janë kufijtë që s’duhen kaluar, dhe t’na e tregonin vendin kur do guxonim t’i kalonim këta kufij, por në rrethanat që entitete të tilla lokale nuk mund t’i ndërtojmë dot, gjejmë ngushëllim e marrim garanci tek entitete të tjera.
Sapo kam rikaluar nëpër duar një ditar të Justin Godart-it, politikan i rëndësishëm francez i periudhës së paraluftës së dytë botërore. Ka vizituar disa herë Shqipërinë, sidomos në periudhën 1920-1924. Është kohë tjetër? Sigurisht, por Shqipëria në thelb është po ajo, është një vend ku tributë maskohen si parti, ku ai që vjen në pushtet pushton gjithçka, ku s’ka asnjë kontroll ndaj atyre që marrin vendime, ku ideologjia e vetme janë plaçkitja e pasurisë publike dhe gjakimi i pushtetit për këtë synim, ku tjetri, bash për shkak të kësaj ‘ideologjie’, nuk është rivali për t’u mundur në një garë e për t’u respektuar, por armiku për t’u asgjësuar, ku morali i funksionarëve publikë ngrihet mbi bindjen se “ky vend nuk bëhet”, dhe ku bash për këto arsye të mësipërme, autoriteti i vetëm i besueshëm janë të huajt.
Justin Godart-i lë të kuptohet, apo rrëfen, se si, me të vënë këmbët në Shqipëri, ai ndihej si një Zot. Rrethohej me vëmendje kudo që shkonte. Ministrat, kryeministrat, anëtarët e Regjencës, opozitarët, intelektualët, etj., zinin radhën kush e kush ta priste e ta vizitonte më parë, i premtonin shërbime (Godart-i vinte këtu për të shtrirë ndikimin francez e për t’u shërbyer interesave konkrete të Francës), por edhe e sillnin vërdallë me hile e me prapaskena, i qurraviteshin, por dhe ia fusnin pas krahëve, e në të gjitha shënimet e tij nënvizohej një kompleks nënshtrimi e adhurimi që shqiptarët kanë ndaj të huajve me bole.
Deri dhe sherret e tyre shqiptarët donin t’i zgjidhnin duke futur në lojë Godart-in. Ja, si sot, me fare pak ndryshime, që merren me mend. Personazhet shqiptarë të asaj kohe kanë qenë të një kalibri më të rëndë (apo duken kështu prej amortizimit që koha i bën të ligës e të ligut?), si Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Lef Nosi, Luigj Bumçi (nuk di a ka lidhje me Bumçin e këtyre kohëve). Ndërsa Godart-i i sotëm e ka emrin Arvizu dhe vëmendja e qurravitja më shpesh i bëhet studiove televizive e faqeve të gazetave, e më rrallë tête-à-tête.
Dy gjëra në fund. Dy gjëra të njohura. Dy gjëra të thëna e të stërthëna (e dyta jo dhe aq, në të vërtetë). Së pari, në këtë mes nuk është faji i të huajve; është tërësisht faji ynë; është pafuqia jonë. Madje, sikur t’mos ishte për të huajt, ky vend as do krijohej, as do të ekzistonte. Së dyti, të huajt, sido që luajnë (dhe kanë) rolin e të plotfuqishmit, nuk mund të zgjidhin asgjë; ata thjesht mbajnë një lloj ekuilibri. E prandaj, kështu ka për të qenë gjithmonë për sa kohë që ne të tjerët do jemi me mendje se vetëm të huajt do t’na i zgjidhin problemet.







