Zbardhen 3 orët e bisedës, batutat Berisha-Rama

0
57

ADI SHKEMBI, 14.02.2010

Tre vjet pas bisedimeve të mbajtura në presidencë për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një tjetër tryezë e të njëjtës rëndësi mbahet në këtë institucion. Këtë herë jo për të zhvilluar një palë zgjedhje, por për t’i hetuar ato. Edhe dje protagonistët ishin të njëjtët. Edi Rama, sërish në krye të PS-së, Bamir Topi, atëherë nënkryetar i PD-së dhe tani President dhe Sali Berisha, i cili në 2007 nuk ishte i pranishëm. Për rreth 3 orë nën moderacionin e kreut të shtetit është debatuar mbi kërkesat e dy forcave politike, të cilat edhe në këtë tryeza ishin diametralisht të kundërta. Gazeta ka mundur të zbardhë përmes të tre palëve në tryezë pjesë nga dialogu, duke e rindërtuar atë.

Në bisedime përveç përfaqësuesve të dy forcave politike, kreu i shtetit shoqërohej edhe nga dy këshilltarët e tij, Spiro Peçi dhe Arben Cici të cilët gjatë gjithë kohës kanë mbajtur shënime. Në tryezë kryeministri Berisha ka kërkuar që bisedimet të vazhdojnë në nivel ekspertësh, të cilët të përgatisin një draft me pëlqimin e të dyja palëve. Propozimi i kreut të qeverisë është pranuar parimisht nga Ruçi, por është kundërshtuar menjëherë nga Rama, i cili ka insistuar që edhe në tryezën e ardhshme niveli politik të jetë më i larti. Në këto kushte kreu i shtetit do të thërrasë një tjetër tryezë, kur palët të jenë afruar në qëndrime, në nivel kryetarësh.

Tryeza
Mësohet se rreth dy orë të takimit të djeshëm i ka marrë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili ka argumentuar gjerësisht përse hapja e kutive nuk shkel vendimin e gjykatave dhe nuk del mbi Kushtetutën. Zgjatja e kreut të opozitës në argumente të shumtë juridikë, por edhe teknikë, ka detyruar Presidentin Topi në një moment t’i kërkojë Ramës të mos flasë gjatë, pasi sipas tij harrohen çështjet e para dhe mbahen mend ato të fundit. Në 180 minuta bisedime, negociata dhe batuta ka pasur dy momente kur kreu i shtetit ka ndërhyrë, madje edhe duke ngritur zërin. Kanë qenë episode kur Berisha e Rama kanë shkëmbyer replika mes tyre, ndërsa Presidentit i është dashur të ndërpresë krerët e partive, edhe për të treguar se në atë tryezë ishin pikërisht për të gjetur zgjidhje dhe jo për të thelluar hendekun mes tyre.

Batutat
Gjatë tryezës së thirrur nga Presidenti kanë qenë të shumta batutat, ironitë dhe akuzat mes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreut të maxhorancës, Sali Berisha. Që në fillim të saj Rama ka akuzuar Berishën se ka dashur të përçajë opozitën duke tentuar të blejë deputetët e saj. Por menjëherë pas këtyre fjalëve ka ndërhyrë Topi, duke i rikujtuar Ramës se nuk është ky qëllimi i kësaj tavoline. Nga ana tjetër kryeministri Berisha, teksa ka sjellë shembuj se gjykatat i kanë marrë mandatet partisë së tij, nuk ka kursyer as aleatin aktual, ish kundërshtarin, Nikollë Lesi. Sipas Berishës zv.ministri aktual i uroi në vitin 2001 urime kandidatit të PD-së dhe më pas kreu i Gjykatës Kushtetuese i asaj kohe, Fehmi Abdiu ia dha botuesit mandatin e deputetit. Një tjetër moment batutash ishte ai në mesin e mbledhjes kur Rama ka thënë se ai është fituesi moral i këtyre zgjedhjeve, ndërsa Berisha i është përgjigjur “Urime, të përgëzoj, por unë jam Kryeministri i Shqipëri”.

Dialogu në tryezën e Presidentit

Topi: Unë në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kërkesës së Faktorit Ndërkombëtar kam thirrur këtë tryezë të gjejmë një zgjidhje për ngërçin politik.
Berisha: Unë jam i gatshëm për çdo zgjidhje për çdo lloj kompromisi çfarë kërkon opozita që ta zgjidhim, përjashtuar shkeljen e vendimit të Gjykatave dhe Kushtetutës.
Rama: Ti ke dashur të blesh deputetë e Partisë Socialiste dhe të përçash PS-në. Nuk je kaq luajal sa thua.
Topi: Nuk është kjo çështja që ne jemi mbledhur. Ne jemi mbledhur për të diskutuar Rezolutën e Këshillit të Evropës.
Berisha: Jo s’ka problem unë mund të diskutoj për çdo gjë. Këto janë çështje tipike që mund t’i zgjidh unë dhe zoti Rama. Le të bëjë një listë ai me problemet e tij dhe të diskutojmë çfarë duhet të zgjidhim.
Rama: Këto janë sa për hyrje, por kërkesa ime kryesore është që të hapen kutitë. Në bazë të Kushtetutës, kërkojmë transparencën e zgjedhjeve, nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kërkesa jonë për hapje kutish nuk shkel asnjë vendim gjykate dhe nuk e shkel Kushtetutën. Faktin që s’duam pushtet në tavolinë e shprehim edhe në memorandumin që ju kemi dërguar edhe juve, ku garantohet kjo gjë dhe kërkojmë vetëm transparencën e zgjedhjeve. Ne nuk duam të kemi zgjedhje si ato të 2009.

***

Berisha: Kutitë mos m’i kërko mua se nuk është çështja ime. Është çështja e jote me gjykatat. Unë nuk kam në dorë as të hap as të mbyll kutitë.
Rama: Edhe ti ke deklaruar që po të hapeshin kutitë të takon një mandat në Fier, kështu që hajde të hapim kutitë, të verifikojmë këto pretendime që kemi. Ne e njohim rezultatin, por kërkojmë hetim të zgjedhjeve duke përfshirë materialet zgjedhore, votat dhe çdo gjë që kanë kutitë brenda.
Berisha: Është problemi yt me gjykatat. Edhe unë jam i penalizuar nga gjykatat. Partisë Demokratike Fehmi Abdiu i ka marrë mandatet që kishte fituar. Ne s’na kanë pëlqyer por s’kishim çfarë të bënim, I kemi pranuar. Nikollë Lesi i tha kandidatit tim urime dhe pastaj ia dha Fehmi Abdiu mandatin.
Rama: Hapja e kutive nuk shkel asnjë vendim gjykate, as Kushtetutën.
Topi: Mos e zgjat kaq shumë se harrojmë ato që ke thënë në fillim dhe mbajmë mend këto që thua në fund.

***

Rama: Unë jam fituesi moral i këtyre zgjedhjeve.
Berisha: Urime, të përgëzoj, por unë jam Kryeministri i Shqipëri.

***

Pas 2 orë e 50 minuta bisedime
Berisha: Ne nuk kemi ca të bisedojmë më, unë them që biseda të vazhdojë në nivel ekspertësh, ose një përfaqësues politik dhe një ekspert ose dy ekspertë. Unë propozoj zotin Patozi dhe një ekspert.
Ruçi: Bisedimet mund t’i vazhdojmë me nivel politiko-ekspertë.
Rama: Kjo nuk është çështje ekspertësh. Ne s’jemi për pazar, ne jemi këtu që të na jepet e drejta jonë për të hapur kutitë dhe për të hetuar zgjedhjet. Kjo është çështje vullneti politik, kështu që tryeza duhet të vazhdojë në këtë nivel politik që është.
Berisha: Presidenti të eksplorojë pika takimi mes argumenteve tona dhe të na njoftojë nëse ka ndonjë formulë që na afron.
Topi: E mbyllim mbledhjen, për t’u takuar sërish pasi të afrojmë qëndrimet.

Pritja në Presidencë, vetëm kafe e ujë në tryezë

Protokolli i Presidentit parashikon se personalitetet përpara se të hyjnë në takim me kreun e shtetit, duhet të priten në derën kryesore të këtij institucioni. Shefi i Protokollit të Presidencës, Enkes Shundi priti dje fillimisht kreun e PS-së, Edi Rama i shoqëruar nga Gramoz Ruçi dhe më pas kryeministrin Sali Berisha i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Pjesë e përgatitjeve për tryezën ishin edhe vënia në dispozicion të pjesëmarrësve të një blloku shënimesh dhe një stilolaps. Si për koincidencë ngjyra e bllokut ishte blu, që përkon me ngjyrën e forcës politike ku Bamir Topi ka qenë anëtar deri në momentin e marrjes së postit më të lartë. Ndërkohë gjatë bisedimeve prej 3 orësh, pjesëmarrësve u është shërbyer kafe dhe ujë, ndërkohë që kamerierit të Presidencës i është dashur të hyjë vetëm një herë në fillim të mbledhjes për t’iu shërbyer krerëve të shtetit.

Takimi
Spastrohet rruga pranë Presidencës

Rreth 60 minuta përpara se të mbahej në Presidencë takimi më i rëndësishëm i këtij fillim viti, forcat e rendit përmes një aksioni të shpejtë kanë pastruar të gjitha ambientet pranë këtij institucioni. Megjithëse trotuari përballë hyrjes veriore shërben për parkimin e makinave të punonjësve të Presidencës, dje ai nuk mund të ishte i tillë, pasi blutë e kryeqytetit nuk e lejonin një gjë të tillë. E njëjta situatë ishte edhe në trotuarin përballë hyrjes lindore, e cila është me drejtim nga Pallati i Kongreseve. Disa forca policore njoftonin gjatë gjithë kohës shoferët të mos parkonin në atë zonë. Takimi u zhvillua në ambientin ku zakonisht mbahen mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë zyrë, e cila ndodhet në katin e parë të ndërtesës është e vendosur një tryezë në formë drejtkëndëshi dhe në krye të saj, mbrapa karriges së Presidentit është një pikturë dhe në krahun e djathtë flamuri ynë kombëtar.

Në tryezë ishin 7 vetë, Rama e nis me Memorandumin

Aristir Lumezi & Adi Shkëmbi

Kryetari socialist Edi Rama u paraqit dje para presidentit me një Memorandum për zgjidhjen e krizës. Në një tekst prej pesë faqesh, kryetari socialist argumenton arsyet politike dhe ato kushtetuese që mundësojnë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit.

Atmosfera
Reshjet e shiut të cilat ranë gjatë gjithë mëngjesit të djeshëm, detyruan punonjësit e Presidencës të pastronin edhe njëherë pjesën përpara ndërtesës, ku do të ndalonin me radhë Presidenti, Kryeministri dhe kreu i opozitës. Ndonëse mikpritësi i takimit, kreu i shtetit u fut në zyrën e tij vetëm 12 minuta përpara se ajo të fillonte. Por ndryshe nga herët e tjera kur një eskortë e madhe shoqëronte kreun e shtetit, këtë herë ai kishte zgjidhur të hynte në Presidencë me vetëm dy makina shoqëruese. Në orën 10.55 në selinë e Presidencës ndaloi makina me targa Tiranë e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama i cili doli prej saj së bashku me kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Dy minuta më vonë në mesin e bulevardit “Dëshmorët e kombit” u pa eskorta e Kryeministrit Berisha, ku së bashku me të ishte edhe nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi.

Megjithëse protokolli i shtetit parashikon që Kryeministri të hyjë nga dera kryesore e Presidencës dhe zyrtarët e tjera nga hyrja dytësore, kreu i shtetit nuk ka dashur të bëjë diferencime në këtë pikë, teksa edhe Berisha por edhe Rama janë pritur nga dera me drejtim nga Pallati i Kongreseve. Pas hyrjes në zyrën ku do të mbahej takimi, krerët e shtetit kanë pritur jo më shumë se 48 sekonda derisa operatorët e televizioneve të bënin plane për të nisur më pas maratonën e diskutimit prej tre orësh. Por Presidenti Topi, Kryeministri Berisha me Patozin e Rama me Ruçin nuk ishin të vetmit në tryezën e thirrur për zgjidhjen e ngërçit politik që pas 28 qershorit. Në cepin e tryezës nga krahu ku rrinin përfaqësuesit e majtë ishin edhe dy këshilltarët e Presidentit, Spiro Peçi, ish deputet i PBDNJ-së gjatë kohës kur kjo parti ishte në koalicion me PD-në dhe ish ministër i Drejtësisë në kohën e PS-së, tani këshilltar ligjor, por edhe Arben Cici, ish shefi i protokollit të shtetit, tani këshilltar diplomatik i Presidentit.
Memorandumi
Në Memon e paraqitur në Presidencë dhe dorëzuar edhe Berishës, PS dëshmon vullnetin për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike që siç theksohet në tekst, i ka rrënjët në deformimin e votës së popullit dhe jep garancinë në një dokument të shkruar se nuk tenton marrjen e pushtetit në tavolinë. Sipas dokumentit të Partisë Socialiste, “objekti, gjetjet dhe raporti i komisionit hetimor të kërkuar nga PS nuk synojnë ndryshimin, rishikimin apo modifikimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili është i formës së prerë dhe i njohur nga PS me të gjitha efektet juridike”. Pas tre orë bisedimesh në fillim Berisha dhe më pas Rama lanë zyrën e kreut të shtetit, për t’iu drejtuar mediave, siç kanë bërë më shumë se kurdo gjatë këtyre tetë muajve që nga mbajtja e zgjedhjeve.

Takimi

10:48- Makina e Presidentit Topi me targë TR 001 Z e shoqëruar nga dy autovetura të tjera futet në Presidencë.
10:55- Në institucionin e kreut të shtetit hyn makina e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili ishte së bashku me Gramoz Ruçin.
10:58- I fundit në tryezë mbërrin Kryeministri Berisha me kreun e grupit të PD-së, Astrit Patozi.
14:07- Kreu i Qeverisë del së bashku me Patozin nga Presidenca dhe flet për mediat
14:09- Rama largohet në drejtim të PS-së së bashku me Ruçin.

Argumentet
PS: Pse duhen hapur kutitë

Memorandumi i hartuar nga Partia Socialiste i është dërguar Kryeministrit Berisha dhe ambasadorëve më të rëndësishëm në Tiranë. Me Memorandumin janë njohur ambasadori amerikan Xhon Uidhërs, ambasadori i KE, Helmut Lohan si dhe ambasadori i Spanjës, Manuel Montobios, vend që mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Përmes tij, socialistët argumentojnë se hapja e kutive të votimit dhe hetimi i tyre përmes një komisioni hetimor parlamentar nuk pengohen nga Kushtetuta, madje është një e drejtë kushtetuese e opozitës parlamentare.

Memorandumi

Argumentet kushtetues për hapjen e kutive

Sqarojmë se hetimi parlamentar parashikohet nga Kushtetuta, ligji dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, si një atribut i pakicës parlamentare që realizohet brenda funksionit të kontrollit parlamentar

Pengimi i hetimit parlamentar përmes vendimmarrjes së shumicës parlamentare përbën shkelje të së drejtës kushtetuese të opozitës parlamentare

Objekti, gjetjet dhe raporti i komisionit hetimor për të kërkuar nga PS nuk synojnë ndryshimin, rishikimin apo modifikimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili është i formës së prerë dhe i njohur nga PS me të gjitha efektet juridike

Përcaktimi i objektit të hetimit është një e drejtë që disponohet nga pakica parlamentare. Kufizimi i objektit të hetimit deri në atë masë sa të bëjë të pamundur kryerjen e veprimtarisë hetimore të komisionit është ndaluar në mënyrë absolute nga Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese

Qeveria nuk mund të marrë atribute të Gjykatës Kushtetuese e të gjykojë mbi kushtetutshmërinë e kërkesës së pakicës mbi objektin, mjetet, veprimtarinë dhe raportin e hetimit parlamentar

Truprojat lëvizën dy herë makinën e kryeministrit
“Dolën… s’dolën”, lojë me operatorët jashtë gardhit të Presidencës

Takimi i parë në rang kryetarësh për daljen nga kriza që pas zgjedhjeve të fundit, në fakt nuk ka pasur vetëm anën politike. Për më shumë se tre orë mediave u është dashur të qëndrojnë përballë institucionit të Presidencës nga ana e Pallatit të Kongreseve për të pritur rezultatet e bisedimeve. Një urdhër i policisë bëri që trotuari pranë daljes së këtij institucioni të ishte i boshatisur, çka detyroi edhe qytetarët e thjeshtë të kalonin në rrugë nëse destinacioni i tyre ishte në drejtim të Universitetit Politeknik. Por më e vështirë kjo ishte për operatorët e televizioneve dhe gazetarët të cilët duhet të ndiqnin nga afër çdo lëvizje të badigardëve të Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste. Pas rreth një ore nga momenti kur kishin nisur bisedimet në tryezë, një prej shoqëruesve të tij hapi derën kryesore të Presidencës, çka u duk sikur takimi ishte mbyllur, por brenda pak sekondash u kuptua se ishte një alarm i rremë. Një orë më vonë, një tjetër fenomen i ngjashëm krijoi përshtypjen sikur palët po linin takimin. Shoferi i Kryeministrit Berisha lëvizi pak metra makinën, çka mobilizoi menjëherë operatorët, të cilët u zhgënjyen sërish se do të rrinin edhe për më shumë kohë në pritje të përfundimit të bisedimeve.

Qëndrimi prej tre orësh para Presidencës koinçidoi edhe me zëvendësimin e truprojave të nderit që janë pjesë e protokollit të shtetit në këtë institucion. Por kohëzgjatjes së takimit iu shtuan edhe temperaturat e ulëta dhe në disa momente edhe reshjet, çka duket se detyroi operatorët ta merrnin më me nge atë, teksa thërrisnin herë pas here “dolën, dolën”, për pjesëmarrësit në bisedime. Pavarësisht drejtimit që morën këto bisedime të para, në orën 14.05 pa dyshim që ishin pikërisht përfaqësuesit e medias njerëzit më të lumtur kur i pari Kryeministri Berisha iu drejtua makinës së tij me targë TR 0007 Z dhe doli nga Presidenca për të folur për mediat, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mori drejtimin nga selia e forcës që ai kryeson. Megjithatë puna e tyre nuk përfundoi në këtë moment pasi disa shkuan në selinë e PS-së, ku kreu i opozitës do të flisni mbi punimet e tryezës dhe pjesa tjetër priti orën 15.30 kur në një deklarim për shtyp do të dilte Presidenti.