“Ndrea Prendi qëlloi i pari, pas tij Llupo dhe ‘grupi i zjarrit’”

0
68

TemA Online, 5 Shkurt 2012

Prokuroria vijon hetimet për katër vrasjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011. Verifikimet e fundit po përqendrohen te personat që kanë qëlluar të parët apo urdhëruesit. Ka dyshime, të lindura nga raportet mjekoligjore të viktimave, se i pari është qëlluar Faik Myrtaj nga pistoleta “Beretta” e Ndrea Prendit. Ndërkohë, i vetmi që ndodhet në qeli, Agim Llupo, ka kundërshtuar zgjatjen e hetimeve të prokurorisë.

Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i pezulluar me urdhër të Kryeministrit Berisha nga detyra, pas nisjes së hetimeve për vrasje me dashje të Faik Myrtajt, ka qëlluar i pari me armë zjarri më 21 janar. Prokuroria ka dyshime se kryegardisti ka shprehur i pari të gjithë karikatorin e pistoletës së tij “Beretta” ndaj turmës. Prokuroria e akuzon Prendin vetëm për vrasjen e Myrtajt, ndërsa dyshohet se ai mund të ketë plagosur të tjerë persona që ishin në protestë.

“Nga hetimet e deritanishme kemi dyshime se Komandanti i Gardës së Republikës, në detyrë më 21 janar 2012, Ndrea Prendi, ka qëlluar i pari drejt turmës. Ai ka qëlluar 11 plumba në distancë të ulët nga toka. Nga ekspertimi i armëve dhe predhave në laboratorin e FBI-së në SHBA ka rezultuar se me armën e tij është vrarë shtetasi Faik Myrtaj” thanë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se do të vijojnë hetimet edhe me të paktën tre muaj deri në zbardhjen e plotë të vrasjeve më 21 janar.

/Shqip