Corriere della Sera*, 13.02.2010
Në pallatin Chigi, kryeministri bën shaka mbi klandestinët. Partia Komuniste Italiane: Shakatë e Berluskonit, shaka rekrutësh. Partia Italia e Vlerave (IDV): “Shqipëria, koshi i plehrave i Italisë”
ROMË – Në Pallatin Chigi është firmosur marrëveshja e partneritetit strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë. Mes kryeministrave Berluskoni e Berisha është më se e dukshme një klimë konfidenciale. Berisha e ka quajtur Berluskonin “mik të madh të shqiptarëve” dhe i shprehu “mirënjohje të thellë për ndihmën që iu dha gjatë përmbytjeve që goditën vendin”. Ai shtoi se “pilotët italianë ishin shumë të zotë dhe shpëtuan shumë jetë”.
VAJZA TË BUKURA: Berisha, duke folur në italisht (“E ka mësuar në mënyrë perfekte nga televizioni”, – ka komentuar Berluskoni) nënvizon numrin e konsiderueshëm të sipërmarrësve shqiptarë në Itali, nga 5 mijë në 2005 në 22 mijë aktualisht, sipas tij, dhe ka ngritur lart neoliberalizmin shqiptar që ka bërë që ekonomia t’u rritet shqiptarëve me 4% edhe pse gjithë bota po kalon një krizë të thellë ekonomike.
Kryeministri i Tiranës këmbëngul se është bërë progres në procedurat me BE-në dhe sjell në kujtesë bllokimin që i është bërë emigrimit të paligjshëm drejt brigjeve italiane: “Nuk duam më flukse kriminale drejt Italisë”.
Por, bën një gabim të vogël gjuhësor, duke folur për moratoriumin (i thotë: “moratorio”). Berluskoni e korrigjon: “Duhet të thuhet “moratoria”, në italisht është në femërore, por Berisha është mashkull…”.
Menjëherë pas kësaj, kryeministri ka gjetur një batutë për trafikantët e klandestinëve: “Do të bëjmë një përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura…”.
Dhe gjatë fundit të takimit me shtypin, duke kaluar nën blicet e fotografëve bashkë me Berishën, Berluskoni ka thënë një tjetër batutë, duke parë nga disa gazetare (femra) shqiptare në delegacion: “Tashmë dihet që jam singëll…”.
PO PLAKEM – Në momentin e firmosjes së marrëveshjeve, Berluskoni ka bërë ironi dhe për moshën: “Nuk e di në do jem në gjendje të firmos. Shihet qartë që po plakem, jam bërë shumë i ngadaltë në të shkruar…”. Berisha ka përfituar për t’i bërë një kompliment: “Shumë të rinj do ta kishin zili energjinë tuaj…”
Partia Komuniste Italiane: shaka rekrutësh – Ka nga ata që nuk e pëlqejnë shumë humorin e kryeministrit: “Klandestine vetëm vajzat e bukura? Berluskoni nuk i lë kurrë mënjanë shakatë e tij prej rekruti kazerme – sulmon Paola Pelegrini – Edhe përballë një tragjedie, siç është emigracioni i njerëzve të varfër në vendin tonë, në këtë rast nga Shqipëria, kryeministri do të nxjerrë në pah fiksimin e tij për gratë, të cilat i ka kthyer në mish të freskët për konsum: është një plak i paskrupullt, që pretendon se drejton një vend thjesht duke bërë propaganda nga televizionet dhe gazetat e tij”.
Kurse Partia Italia e Vlerave (IDV) e Paolo Brutti, thekson se “Berluskoni dhe Berisha kanë vendosur t’ia japin Shqipërinë Italisë, ashtu siç ndodhi në fund të viteve ’20”.
“Ideja është ajo e të bërit Shqipërinë kosh plehrash të Italisë, ku mund të bëhet lirisht ajo ç’ka në Itali nuk mund të bëhet, – thotë Brutti, – të vendosin impiante gazi, të ndërtojnë centrale bërthamore dhe ndoshta të shkarkojnë dhe mbetjet radioaktive të Palermos”.
*Gazeta më e madhe në Itali. Shkrimi mund të lexohet në origjinal online në corriere.it / Titulli në origjinal: “Berluskoni pret Berishën: Nga Shqipëria, vetëm vajza të bukura”







