Vështirësitë për realizimin e propozimit të Lubonjës

0
59

Nga Eduard Zaloshnja, 3 shkurt 2012

Në një shkrim në gazetën Panorama, Fatos Lubonja i rikthehet propozimit tij të preferuar: “Pa Berishën dhe pa Edi Ramën!” (Vite më parë, Lubonja trajtonte të njëjtën temë, me ndryshimin se emri i Fatos Nanos ishte në vend të emrit të Ramës). Sipas Lubonjës, shqiptarët janë bërë të vetdijshëm se është mirë që të dy udhëheqësit konfliktualë të zëvendësohen me të tjerë, por janë të pafuqishëm për ta kthyer në akt këtë vetëdije.

Dhe kjo, argumenton Lubonja, kryesisht për shkak të faktit se rreth këtyre dy udhëheqësve janë mbështjellë interesat e shumicës së atyre që sot diktojnë drejtëpërdrejt apo tërthorazi opinionin në Shqipëri, shumë prej të cilëve u intereson kjo luftë e egër mes të dy palëve jashtë kontrollit të institucioneve, pasi kështu interesat personale i mbrojnë në sajë të lidhjes e besnikërisë ndaj udhëheqësit, apo pse nuk janë në gjendje të bëjnë punë tjetër veçse atë të mercenarit në njërën apo tjetrën ushtri, pa qenë në gjendje të kuptojnë se në terma afatgjata ajo është edhe kundër interesave të tyre.

Por a është ky koagulim rreth udhëheqësve të fortë i kufizuar vetëm tek një grup mercenarësh të korruptuar, që kanë interes për të mbajtur kryekomandantët aktualë në krye të ushtrive përkatëse? A mos ka diçka më të thellë në zhvillimin tonë historiko-kulturor, që e bën shumicën e shqiptarëve të pajtohen me njërin apo tjetrin udhëheqës? Dhe më tej akoma, a mos ka edhe diçka gjenetike këtu?

Për t’ju përgjigur kësaj pyetjes së fundit, le të shikojmë se çfarë na thonë studimet psikologjiko-gjenetike.

Ngaqë u dihet saktësisht përqindja e gjeneve të përbashkëta, binjakët konsiderohen në psikologji si “kaviet” më ideale për të verifikuar hipoteza të ndryshme rreth rolit që kodi gjenetik luan në krijimin e profilit psikologjiko-moral të njeriut. Është kjo arësyeja pse shumica dërrmuese e studimeve rreth këtij roli bazohen në testime të binjakëve.

Në të tilla studime, zakonisht, krahasohen rezultatet e testeve psikologjike-morale të binjakëve identikë me të atyre joidentikë. Nëpërmjet këtij krahasimi synohet të verifikohet hipoteza se profilet psikologjiko-morale të binjakëve identikë, ngaqë i kanë gjenet 100% të njëjta, duhet të jenë më të ngjashëm me njëri-tjetrin, ndërsa binjakët joidentikë, të cilët kanë të njëjta vetëm 50% të gjenve, duhet të jenë më pak të ngjashëm.

Ky lloj krahasimi, sidoqoftë, ka një problem — ai vuan nga “papastërtia” statistikore. Binjakët joidentikë, ndryshe nga ata identikë, kanë prirjen që të mos rrijnë shumë bashkë. Pra, diferencat që mund të vihen re mes dy binjakëve joidentikë mund të jenë pasojë e rretheve të ndryshme shoqërore të secilit, e jo të faktit se ata ndajnë vetëm gjysmën e gjeneve me njëri-tjetrin.

Por në analet e shkencës së psikologjisë, është regjistruar edhe një studim binjakësh që ka arritur të realizojë krahasimin më të pastër statistikor të mundshëm — atë mes binjakëve identikë të rritur veças. Duke filluar nga viti1979, profesori Thomas Bourchard dhe kolegët e tij në Universitetin e Minesotës identifikuan dhe ndoqën zhvillimin psikologjiko-moral të 60 çiftesh binjakësh identikë, të cilët, për arsye të ndryshme, ishin ndarë nga njëri-tjetri që në lindje. Nga bateritë e testeve të zhvilluara me ta, grupi studimor konstatoi se, edhe pse të rritur në mjedise të ndryshme historiko-mentalitare, sjellja, personlaiteti, dhe vlerat morale kishin ngjashmëri tek binjakët e çdo çifti.

Ndër rezultatet e publikuara nga profesori Bourchard, i një rëndësie të veçantë është ai i seksionit të vlerave morale të testeve. Në këtë seksion, ngjashmëria mes binjakëve të ndarë që në lindje kapte shifrën mbi 50%. Po të aplikohet ky rezultat në një shembull nga jeta e përditshme, mund të thuhet se një zyrtar i pandershëm është i tillë ngaqë ka predispozicion gjenetik për të mos qënë i ndershëm, ose sepse është ndikuar nga mjedisi historiko-mentalitar në të cilin jeton. Dhe gjasat që predispozicioni gjenetik të jetë shkaku i pandershmërisë së tij janë të barabarta me gjasat që mjedisi rrethues ta ketë bërë atë të pandershëm. Ose, thënë më thjeshtë, i bie që gjysma e asaj që jemi varet nga gjenet që kemi.

Megjthëse i bazuar në një mostër relativisht të vogël statistikore, studimi i Universistetit të Minesotës është shumë e fuqishëm statistikisht, ngaqë bën krahasimin më të pastër statistikor të mundshëm. Për këtë arsye, rezultatet e studimit, sadoqë vlejnë drejtpërdrejt vetëm për shpiegimin e problemeve psikologjiko-morale të individëve të veçantë, tërthorazi, mund të përdoren për të hedhur dritë mbi vështirsitë që hasin shoqëritë e pazhvilluara demokratike në rrugëtimin e tyre drejt demokracisë liberale funksionale.

Le të bëjmë këtë silogjizëm: Që të funksionojë demokracia liberale, shumica dërrmuese e zyrtarëve publikë duhet të jenë të ndershëm. Duke ndjekur logjikën e rezultateve të nxjerra nga ekipi i drejtuar nga profesori Bourchard, i bie që, në vendet ku numri i zyrtarëve të pandershëm është shumë i ulët (Danimarkë, p.sh.), të kenë ndikim si rrethanat historiko-mentalitare, ashtu edhe mbizotërimi i gjeneve pozitive ndër anëtarët e shoqërisë. Pse? Sepse, sipas asaj logjike, po të mbizotëronin gjenet negative, pavarsisht nga mjedisi pozitiv historiko-mentalitar, niveli i korrupsionit nuk do të ishte aq i ulët sa ç’është.

Ndërsa duke ndjekur të njëjtën logjikë, i bie që, në një vend si Shqipëria, për shembull, të mos jetë vetëm mjedisi negativ historiko-mentalitar shkaku i përhapjes së gjërë të korrupsionit, por edhe mbizotërimi i gjeneve negative. Pse? Sepse, sipas asaj logjike, po të mbizotëronin gjenet pozitive, pavarsisht nga mjedisi negativ historiko-mentalitar, niveli i korrupsionit nuk do të ishte aq i lartë sa ç’është (Me një gjuhë më të thjeshtë, mund të themi se një zyrtar që e ka ndershmërinë në gjak do të bëjë atë që është e drejtë të bëjë, pavarësisht se kolegu i tij i pandershëm mund ta shtrembërojë të drejtën).

Po të pranohet ekstrapolimi i rezultateve të studimit të Universitetit të Minesotës nga niveli individual në atë të një bashkësie të madhe njerzish (në këtë rast, të popullsisë së një shteti), mësimi që mund të nxirret për Shqipërinë është se përpjekjet për ndryshime institucionale dhe mentalitare duhet të dyfishohen. Pse? Për faktin e thjeshtë se këtyre ndryshimeve u bie edhe barra e rëndë e balancimit të negativitetit që, sipas rezultateve të ekipit Bourchard, mund të jetë i skalitur ndër shekuj në kodin gjenetik të shumë shqiptarëve.

Për ta vënë në perspektivë magnitudën e përpjekjeve që kërkojnë ndryshimet institucionalo-mentalitare në Shqipëri, mjafton të mbahet parasysh se të tilla ndryshime u arritën në Europën Perëndimore si rezultat i disa zhvillimeve të rëndësishme historike siç ishin Rilindja Europiane, Iluminizmi, dhe forcimi I shtresave të mesme qytetare pas maturimit të kapitalizmit. Por a do të thotë kjo se edhe Shqipërisë do t’i duhen shekuj për të realizuar ndryshime të ngjashme? Përgjijgjia, falë Zotit, është: “Jo domosdoshmërisht”.

Duke qënë një vend i vogël, Shqipëria nuk ka nevojë ta shpikë rrotën nga e para. Trysnia dhe ndihma e Bashkimit Europian, i cili synon të na përfshijë eventualisht në gjirin e vet, ka gjasa të mëdha që ta përshpejtojë procesin e emancipimit intitucionalo-mentalitar të Shqipërisë. Trysnia e tij mund të shërbejë si një darë shtrënguese që do ta detyrojë klasën tonë politike të kryej gradualisht reforma institucionale të ngjashme me ato që janë përfunduar me kohë në Europën Perëndimore. Ndërsa ndihma e Bashkimit Europian mund të shërbejë si një katalizator për ndryshimin gradual të mentalitetit të sëmurë shqiptar.

Duke u kthyer te propozimi i Lubonjës, mund të thuhet se ai, përveç arsyeve që Lubonja parashtron, është praktikisht i parealizuaeshëm edhe për arsyet e parashtruara në këtë shkrim. Prandaj, gjëja praktike që mund të shpresojmë e urojmë është që të kemi rotacione paqësore pushteti, të cilat, hap pas hapi e hap pas hapi, do të na afrojnë tek demokracia liberale funksionale.