“Shakaja” e Berluskonit me Berishën trazon mediat dhe politikën italiane

0
63

Berisha dhe Berlusconi

Nga Tema

Shakaja e kryeministrit italian, Silvio Berlusconi me homologun shqiptar, Sali Berisha në lidhje me atë që në Itali do pranohen si emigrantë klandestinë vetëm vajzat e bukura, ka lënë një shije të hidhur jo vetëm në Itali, por në mbarë botën. Mediat kanë raportuar për këtë ngjarje, duke e quajtur një skandal. Mediat e vendit fqinj, por dhe ato në Francë, Gjermani e Angli, thonë se Berisha u vu në pozitë nga kjo shaka, që është në fakt fyerje, por e kaloi atë moment.

Sipas mediave, opozita italiane ka reaguar menjëherë duke thënë se ky është një skandal, por nuk kanë mohuar zërat në politikën e vendit fqinj se Shqipëria po bëhet një kosh plehrash për Italinë, duke e quajtur Berishën një njeri të bindur të Berluskonit, që pranon çdo ofertë të tij. Kryeministri ynë pranoi në Itali që të ndërtojë një central atomik në Shqipëri. Në të vërtetë Italia tentoi të hedhë në publik tezen se do ndërtojë një central në zonën e Pulias, por reagimi i komunitetit ishte i menjëhershëm. Por, në skenë u shfaq i përuluri kryeministër që tha se mund të bëjnë në vendin tonë. Më poshtë gjeni të përkthyer një nga raportimet në lidhje me skandalin e Berluskonit gjatë konferencës për shtyp me Berishën.

Berluskoni mirëpret shqiptarët – por vetëm ata bukuroshet

Nga Nick PisaRome

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni tha se Italia do të pranojë vetëm emigrantët që janë vajza të bukura.

Zoti Berluskoni, 73 vjeç, i bëri komentet gjatë një takimi me homologun shqiptar, Sali Berisha, gjatë një takimi- dhe i ftuari i tij dukshëm u vu në pozitë nga kjo shaka pa kripë.

Të dy kishin bisiedime në lidhje me numrin e shqiptarëve që lejohen në Itali, dhe po flisnin gjatë një konference për shtyp në Romë kur zoti Berluskoni tha: Do të pranojmë vetëm vajza të bukura nga Shqipëria.

Kryeministri, i njohur për humorin e tij prej adoleshenti dhe që është divorcuar nga gruaja e tij e shumëvuajtur, Veronika bëri gjithashtu shaka gjatë momentit të fotografimit kur tha se: Ju e dini që tani jam beqar.

Deputetët e opozitës menjëherë dënuan komentet e tij. Paola Pelegrini reagoi ashpër: Berluskoni nuk po heq dorë nga humori prej burgaxhiu.

“Edhe në rastin e tragjedive siç është emigrimi nga njerëz të dëshpëruar, në këtë rast nga Shqipëria, kryeministri përsërit fiksimin e tij për femrat, duke e reduktuar atë në mish të freskët për konsum.”

Zonja Pelegrini shtoi: Ai është një plak krejt i pacipë që pretendon të drejtojë një vend, që ka qenë subjekt i propagandës së televizioneve dhe gazetave të tij.

Nuk është hera e parë që zoti Berluskoni shkakton debat me komentet e tij. Në vitin 2003 ai shkaktoi shumë zemërim kur i tha eurodeputetit Martin Shulz, se i dukej si një roje e kampeve të përqëndrimit.

Vitin e shkuar sërish ishte në qendër të vëmendjes kur tha se presidenti Barak Obama dhe gruaja Mishele ishin shumë të nxirë nga dielli, e më pas gjatë udhëtimi në SHBA ai u tha biznesmenëve se Italia ishte një vend i mirë për të investuar sepse kishte më pak komunistë, e më shumë sekretare të bukura.

Gjatë një takimi me kryeministrin danez Anders Fogh Rasmussen në vitin 2002, zoti Berluskoni e përshkroi atë si kryeministrin më të bukur në Europë dhe sugjeroi se ai duhet të kishte një aferë me Veronikën.

Në vitin 2005 atij iu kërkua shpjegim nga Helsinki pas deklaratës se ai kishte përdorur “taktika playboy” për të bindur presidenten finlandeze Tarja Halonen për të mbështetur Italinë për Autoritetin për Mbrojtjen e Ushqimit në Europë.