Berisha po ringjall skenaret e vitit ’97

0
87

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Dy ditë para tryezës së Presidentit për zgjidhjen e krizës, qeveria shqiptare po heziton të paraqesë projektin e saj për zgjidhjen e kësaj krize. Opozita ka kohë që ka bërë publike projektin e saj për zgjidhjen e kësaj krize. Ajo kërkon hetimin e zgjedhjeve duke përfshirë hapjen e kutive dhe kthimin e saj në parlament, ndërsa qeveria deri më sot nuk ka dhënë asnjë plan për zgjidhjen e krizës. Berisha deri më sot ka bërë betejë publike vetëm duke mohuar kërkesat e opozitës dhe duke shantazhuar atë me djegie mandatesh, por nuk ka bërë asnjë ofertë të tij për zgjidhjen e krizës. Ky është dhe handikap më i madh, me të cilin po shkohet në tryezën e së shtunës.

Nga një anë kemi opozitën, e cila e ka publik planin e saj dhe po e negocion me faktorin ndërkombëtar, nga ana tjetër kemi shumicën, e cila nuk ka bërë deri më sot asnjë ofertë për zgjidhjen e krizës. Ky qëndrim ka shqetësuar dukshëm faktorin ndërkombëtar, i cili po përsërit thirrjet e tij për nevojën e një plani të qeverisë për zgjidhjen e krizës. I pari që ka kërkuar një plan për zgjidhjen e krizës ka qenë ish-Komisioneri për Zgjerim Olli Rehn që në muajin shtator, kur kërkoi prej Berishës një plan për të zgjidhur krizën me opozitën.

Ai e përsëriti disa herë qëndrimin e tij derisa qëndrimi i BE-së u bë tashmë qëndrim ndërkombëtar, i pasqyruar edhe në rezolutën e KiE. Por pavarësisht këmbënguljeve ndërkombëtare, Berisha nuk po jep asnjë shenjë se ka ndërmend të japë një plan të tij për zgjidhjen e krizës. Kjo do të thotë që ai më shumë se sa për zgjidhjen e krizës është i interesuar për të shantazhuar deri në fund opozitën, duke e kërcënuar atë me djegie mandatesh me shpresë se kështu do të gjunjëzojë kundërshtarin e tij.

Kështu, dita-ditës Berisha po i referohet më shumë 4 marsit si ditë kur opozita mund të gdhihet pa mandate, se sa tryezës të së shtunës, kur Shqipëria ka shanse të mbyllë një ditë pa krizë politike. Por të gjithë e dimë se skenari i 4 Marsit, ka vetëm një shans të zgjidhë krizën, duke e radikalizuar atë dhe duke e rikthyer Berishën në pozitën e tij të vitit 1997. Për fatalitet është një datë, 4 marsi, kur Shqipëria u gdhi nën gjendje të jashtëzakonshme me një president të rizgjedhur mes plumbash pa opozitë në parlament.

Kjo datë fatale duket se e po e ndjell sërish Berishën drejt të njëjtit skenar. Por ndryshe nga viti 1997, shumë gjëra janë ndryshe. Ka ndryshuar Shqipëria, kanë ndryshuar institucionet, dhe ka ndryshuar raporti i Shqipërisë me Perëndimin. I vetmi që s’ka ndryshuar, duket se po mbetet zoti Berisha, i cili po kërkon sërish të njëjtën datë, të njëjtën arsye dhe të njëjtin skenar për t’i mbijetuar krizës.