Frika nga Qoftëlargu

0
53

Mentor Nazarko

Mentor Nazarko, 09.02.2010

Gjetja e eshtrave të 13 personave, me shumë gjasa të pushkatuar në malin e Dajtit në periudhën komuniste, është një ngjarje që kërkon një lloj reflektimi shoqëror. Duhet një përpjekje për të rritur në mënyrë të fundme ndjeshmërinë e të gjithë shoqërisë, në veçanti e të rinjve apo më të vjetërve të lidhur me regjimin, ndaj historive të dhimbshme që krijoi diktatura. Ky diskutim edhe për të nderuar të vdekurit, kushdo qofshin ata, pavarësisht statusit të tyre, armiq ose jo të regjimit, apo mbështetës të tij. Të dënuar ordinerë apo politikë qofshin. E bëra këtë saktësim të fundit, nisur nga një thashethemnajë që qarkullonte pasditen e djeshme, se eshtrat e gjetura, i përkisnin të dënuarve ordinerë.

Jam i prirur të mos e besoj një thashethemnajë të tillë për disa arsye. Arsyeja kryesore lidhet me pabesueshmërinë e burimit të mundshëm të kësaj thashethemnaje. Burimet potenciale të informacionit do të mund të ishin autoritetet, ekzekutorët, familjarët, apo njerëz që i njohin viktimat. Nëse do të ishin autoritetet, atëherë ata do të kishin informacion më të plotë se ku ishte vendi i ekzekutimit dhe s’do kishte nevojë të bëheshin kërkime kaq të gjata. Gjithmonë në rastet kur kanë mbetur gjurmë në aktet zyrtare për vendin e ekzekutimit. Familjarët nuk duhet të jenë shprehur në terma të tillë, sepse do ta kishim dëgjuar publikisht në një formë apo në një formë tjetër. Mbeten vetëm ekzekutorët që kanë filluar të bëhen të gjallë vetëm tani për veprën e tyre, të ligjshme sipas ligjeve të kohës, por të paligjshme sipas gjyqit të historisë. Pse ata flasin tani? Këtu mbërritëm tek ai që është problemi kryesor, që provokon këtë shkrim.

Jo politika, por shoqëria.
Ku është ndjeshmëria njerëzore e këtyre individëve që kanë marrë pjesë në ekzekutime qofshin për krime politike, qofshin për krime ordinere? Po e bëj edhe njëherë këtë saktësim, sepse dihet se ka akoma dhe mjaft viktima të pushkatuara nga të dyja kategoritë, të cilëve nuk i dihet varri. Ka plot, madje dhe viktima të famshme, mes të cilëve duhet përmendur ish gjenerali komunist Teme Sejko, i cili pati me të vërtetë një fat tragjik, jo thjesht individual, por dhe familjar. Mbarë familja e tij, me përjashtim të një djali, u zhduk si pasojë e një krimi imagjinar, që më në fund shërbeu dhe për ngrënie të tjera kokësh në radhët e udhëheqjes së lartë komuniste. E pra, këta individë të lidhur me regjimin, që kanë marrë pjesë në krim me statuse të ndryshëm, si dërgues apo porositës, si gjyqtarë, prokurorë, ekzekutorë materialë, ushtarë apo policë, përse nuk flasin për të shpëlarë ndërgjegjen e tyre, dhe për të nderuar thjesht si të vdekur çfarëdo, viktimat e periudhës komuniste?

I referohem këtu më shumë viktimave politike, që meritojnë jo thjesht nderim njerëzor si çdo i vdekur, por dhe nderim shoqëror. Kanë frikë nga ndëshkime të mundshme të familjarëve të viktimave? Nëse do të ishte kështu, ka plot rrugë për të bërë një akt drejtësie pa nxjerrë emrin e tyre. Mund të shkruanin letra pa emër, drejtuar qoftë autoriteteve, qoftë të afërmve të viktimave. Frika nga ndëshkimet, nuk është argument i qëndrueshëm, sa kohë që ne nuk kemi dëgjuar, me ndonjë përjashtim, raste hakmarrjeje të bijve ndaj ekzekutorëve të prindërve. Ky madje është shembull humanizmi i skajshëm i familjeve të viktimave të komunizmit. Mbetet të kenë frikë nga Zoti. Por nëse do të kishin frikë nga Zoti, kjo do të përbënte motivim të fortë për të zbuluar gjurmët e fundit të krimeve, në të cilat ata kanë qenë pjesëmarrës me shkallë të ndryshme përgjegjësie apo implikimi.

Mbetet të kenë frikë nga Qoftëlargu, i cili është gjallë dhe vërtitet në gjirin e shoqërisë sonë, që i dominon ata, që i bën të mendojnë akoma, megjithëse me moshë duhet të jenë të pjekur apo në fund të jetës, se ajo çka bënë ishte plotësisht e drejtë. Kjo është në fakt frika ime. Këta njerëz nuk dëftejnë varrin e të ekzekutuarve, pasi ata edhe sot besojnë se, nëse asokohe kanë vrarë dikë në emër të diktaturës kanë bërë diçka të drejtë, dhe se është plotësisht e drejtë edhe ajo që po bëjnë sot, duke mos treguar varret apo vend-ekzekutimet e viktimave. Këta njerëz duket se kanë një frikë të pashpjegueshme, ndoshta nga eprorët e tyre të hershëm që janë gjallë, dhe këta eprorë personifikojnë Qoftëlargun.

Është pikërisht ky Qoftëlarg që merr forma të ndryshme e që pengon shumë njerëz të përfshirë në një mënyrë ose në një tjetër në regjimin komunist që të dëftejnë edhe ngjarje të tjera, që do të na zbulonin shumë rreth diktaturës. Në këtë frikë, apo në këtë bindje ndaj Qoftëlargut, sigurisht jo të gjithë këta individë të mbetur gjallë kanë të njëjtën shkallë përgjegjësie. Më të madhen, sigurisht e kanë ata që kanë qenë në pozita drejtuese, anëtarët e Byrosë, apo drejtuesit e lartë të regjimit, që kanë dijeni për vend-ekzekutimet apo vendvarrimet e viktimave të komunizmit.

Ndërsa shkruaj këto rreshta, në të vërtetë nuk po i referohem ndonjë fuqie të mbinatyrshme negative që e quajta Qoftëlargu për konvencion. Po i referohem mbetjeve ideologjike të komunizmit shqiptar, që janë akoma të pranishme dhe marrin formë të ndryshme në shoqërinë shqiptare të shekullit të 21-të. Janë pikërisht këto mbetje që diku marrin formën e inercisë së disa studiuesve për të mbrojtur teza historike justifikuese të regjimit. Diku marrin formën e pozicioneve të individëve me peshë në jetën publike që reflektojnë vese, prirje apo sjellje si të kohës së diktaturës. Ato gjenden kryesisht në mendjet e atyre individëve, jeta e të cilëve është shënjuar fort nga ajo kohë. Ndihet pra, e fortë nevoja e dekomunistizimit të një shoqërie që nuk i ka dhënë akoma varre viktimave të komunizmit, proces që nuk ka marrë formë të fundme.

Por ky dekomunistizim nuk mund të vijë prej politikës së sotme, ku ndihen akoma shenjat, të cilat i përmenda më lart. Ndaj nuk e quaj të arsyeshme që për këtë temë të hapet ndonjë diskutim politik. Politika ka boll tema apo kriza aktuale me të cilat duhet të merret. Kam frikë se ajo prapë do dëshirojë të humbë energji në këtë front të së shkuarës. Që dje, pamë se njeriu çdo gjë që prekte, e shndërronte jo në ar, por politikë dhe filloi të fliste me kompetencë për ngjarjen, duke parathënë përdorimin e saj të mundshëm për politikën e ditës.

E bëri këtë, megjithëse kishte 5 vjet në dispozicion gjatë mandatit të parë dhe 4 tani, kur duhet të kishte çuar para përgjegjësive, të gjithë ata që kanë dijeni për vend-varrimet e viktimave të komunizmit dhe nuk e bënë. Edhe krahu tjetër, e majta në pushtet, për 8 vjet nuk arriti ta bënte. Duhet pra diskutim shoqëror. Kur shoqëria të arrijë sukses në çuarjen deri në fund të këtyre lloj diskutimesh që do ta mbyllnin me humanizëm një kapitull të tillë, atë të desaparecido-ve të komunizmit shqiptar, atëherë dhe politika që përdor në formë banale ngjarje të tilla të së shkuarës, nuk do të ketë më të drejtën e qytetarisë.