Aleatët përballë Ramës dhe votuesve

0
33

Nga Mero Baze, 20 Mars 2013

Aftësia për të ndërtuar një koalicion, është e vetmja vlerë për të cilën sistemi ynë zgjedhor vë në provë Edi Ramën dhe Sali Berishën. Vlerat e tjera ata i përfitojnë nga sistemi, kurse aftësinë për të bërë koalicion e kanë “gjobë” nga sistemi që ndërtuan vetë. Për këtë shkak dhe mënyra se si ata sillen në procesin e ndërtimit të koalicionit, rrezaton shumë në opinionin publik aftësinë e tyre për të qenë lider apo marifetçinj elektoralë.

Për këtë arsye, çdo formulë që mbështetet mbi një parim dhe që nuk persekuton aleatët e vegjël, por u jep atyre atë që u takon, do të jetë një vlerë jo vetëm sa i përket mbledhjes së votave, por dhe drejtësisë me të cilën Rama dhe Berisha demonstrojnë në raport me ta. Brenda Partisë Socialiste, si partia më e madhe në vend, por dhe brenda PD-së si një parti e madhe, ka boll bezdi për aleatët. Ata shikohen si njerëz të bezdisshëm, që kërkojnë të përfitojnë prej tyre, që shpeshherë janë si gjahtarë vendesh pune dhe përftimesh pushteti pa u shtuar vlera politike, morale apo identitete profileve të koalicionit. Nuk është se nuk kanë të drejtë për shumë nga këto cilësi, por pikërisht për këto cilësi ata kanë mbetur parti të vogla. Problemi që kanë përpara dy partitë e mëdha tani, është si të jenë dinjitoze dhe parimore në ofertat për koalicion, pasi ata nuk gjykohen vetëm nga aleatët e pakënaqur apo shumë të kënaqur, por dhe nga publiku.

Kemi tre raste ndaj të cilave të dy palët duhet të bëjnë kujdes. Rasti i parë është kur PD dhe PS krijojnë idenë se kanë nevojë për LSI, rasti i dytë është mënyra e sjelljes ndaj partive të vogla respektive, dhe rasti i tretë është eficienca e polit të tretë.

Konkretisht në rastin e parë, pritshmëria që LSI të bëjë koalicion parazgjedhor me PD apo PS, ka rëndësi për të dëshmuar moral. Koalicioni i LSI me Partinë Socialiste, teorikisht duket sikur i mbyll zgjedhjet pa filluar me fituese të majtën, por realisht ngjall aq shumë reaksion dhe acarim tek kampi opozitar, sa nuk jam i sigurt të them nëse jemi duke bërë matematikë apo tektonikë elektorale. Mundet t’u kthehet dhe kundër.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për PD. Thirrjet e Berishës, apo Imamit dhe të tjerëve për LSI që ta shikojë qëndrimin me PD “si interes kombëtar”(?!!!) është shumë fyese për elektoratin e djathtë, i cili ndjehet i përdhunuar nga një forcë politike që ka kidnapuar pushtetin e tyre dhe sillet si një qeveri tribale brenda pushtetit.

Pra, kur PS apo PD i bëjnë thirrje LSI të shkojë me të, nuk duhet të kenë parasysh vetëm numrat fizikë që i zhvendosin si dollapë, por dhe popullin. Të sjellurit sikur populli nuk ekziston dhe sikur nuk ka parë çka ndodhur në këtë vend, është fyes dhe mund t’u kushtojë palëve.

Rasti i dytë, ai i sjelljes ndaj partive të vogla, ka shumë rendësi për të dëshmuar lidership. Koalicioni opozitar duhet të ndërtohet me transparencë dhe punë të përditshme, me debat publik dhe argumente të palëve, me qëllim që qytetarët të jenë të qartë ditën e fundit të mbylljes së këtij debati kush kishte të drejtë. E vërteta është që Partia Socialiste ka nevojë për vagonët e gjatë të koalicionit, por mbi të gjitha elektorati opozitar ka nevojë të ndihet i sigurt dhe i drejtë në aleancën që do të bëjë. Qytetarët shqiptarë, të cilët po ndeshen nga zgjedhjet në zgjedhje me pushtete që merren peng shpesh dhe nga pakica, duhet të ndjehen të përfaqësuar në këtë debat, para se të mbyllet. Kjo do ta bëjë koalicionin frymëzues dhe nuk do të lërë dyshime për pazare apo klientelizëm personal.

Rasti i tretë është i eficiencës së polit të tretë. Për rrethanat e krijuara, poli i tretë mund të jetë një rrjedhje e pushtetit, por kurrsesi një pozicion i partive që kërkojnë ndryshim të pushtetit. Shqiptarët gjenden përballë zgjedhjeve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë nga viti 1992, dhe vota për ndryshim duhet të jetë e përqendruar, e qartë dhe frymëzuese. Edhe në këtë pikë unë i kuptoj të gjitha dilemat e Bamir Topit për të mos qenë në një koalicion opozitar që dominohet nga e majta, por nuk kuptoj se si shqiptarët të motivohen dhe për të hequr Berishën, dhe për të mbështetur një forcë që jashtë koalicionit opozitar humbet fuqinë reale të misionit të saj.

Unë jam një votues teorik i Bamir Topit. Jam mik dhe mbështetës i tij, por do ta votoja atë vetëm nëse vota ime fuqizon idenë e ndryshimit të pushtetit. Si mua, që jemi opozitarë të ashpër, por jo socialistë, ka me mijëra. Për të gjithë ata që e kanë ndarë mendjen se Sali Berisha duhet të ikë, disa fraksione të së djathtës brenda koalicionit opozitar do të ishin lehtësim dhe alibi për t’ua dhënë votën dhe për të qenë të sigurt se kanë votuar për ndryshimin. Rasti më konkret ndodhi në Dibër para disa ditësh. Rreth 300 e ca anëtarë dhe drejtues të lartë të Partisë Demokratike në atë qark, përfshi themelues të PD-së dhe njerëz të rangjeve të larta në pushtetin e saj dhe deri para një viti, u mblodhën në një sallë dhe u takuan me Edi Ramën.

Ishte një nga takimet më entuziaste që kam parë, me më shumë fjalime të vërteta dhe optimizëm. Teorikisht ata njerëz duhet të votojnë Bamir Topin, pasi është elektorati që partia e tij pret të ikë nga PD-ja. Por problemi i njerëzve që duan që Berisha të ikë nuk është një ide që ka lindur nga dalja e Bamir Topit në opozitë, por një vendim personal dhe për ta është lider ai që garanton ndryshimin e pushtetit. Për këto arsye qenia e Topit brenda koalicionit opozitar ka për të fuqizuar valën e votave anti-PD që rrjedhin nga vetë PD-ja, më shumë se sa nga qëndrimi më vete duke rrezikuar gjithçka, deri dhe mosnumërimin e votës në këtë sistem të pamoralshëm hienash.

Pra, dhe në këtë rast, pra në rastin e polit të tretë, liderët duhet të shikojnë jo vetëm ofertat e Ramës dhe Berishës, por dhe pragmatizmin e elektoratit që kërkon ndryshimin. Shoqëria është polarizuar aq shumë, sa njerëzit duan ndryshimin dhe rreshtimin e qartë pro apo kundër regjimit. Nevoja që brenda koalicionit opozitarë të ketë profile të së djathtës si Topi, Ngjela, Zogaj, Kola, Gumeni, etj, u jep atyre më shumë dinjitet, se sa do t’i jepte një garë e pasigurt, më vete. Në këtë pikë, aleatët e majtë, të djathtë apo të qendrës, që kërkojnë ndryshimin, nuk janë vetëm përballë “pazarit” me Edi Ramën, por dhe përballë çmimit që publiku iu vë në varësi të qëndrimit dhe sigurisë që japin për të qenë pjesë e koalicionit anti-regjim apo jo. Përqindjet ekzistojnë se ndryshojnë nga vota e qytetarëve, pasi po të ishin gjithmonë njësoj, nuk do kishim nevojë për zgjedhje.