Përse do kemi zgjedhje të parakohshme

0
23

Bledar H. Prifti, 08.02.2010

Kriza politike, që ka mbërthyer sistemin politik Shqiptarë sa vjen dhe agravohet duke promovuar sa më shumë antagonizëm ndërmjet pushtetit (qeverisë) dhe opozitës socialiste. Nga njëra anë, Berisha me të tijtë vazhdojnë të ngulmojnë të mos lejojnë hapjen e kutive të votimit me pretendimin, se hapja e kutive do të ishte një veprim antikushtetues.

Berisha dhe pushteti i tij po bëjnë ditë dhe muaj me radhë, që kanë ngritur këtë pretendim dhe, çuditërisht, në asnjë rast ata nuk kanë cituar ndonjë nen apo dispozitë kushtetuese që e ndalon hapjen e kutive apo krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e procesit zgjedhor.

Edhe më keq, asnjë media nuk ka investiguar në vërtetësinë e pretendimit të Berishës dhe qeverisë së tij.

Në të vërtetë, Neni 77, pika 2, e Kushtetutës së Shqipërisë shprehet mbi kushtetutshmërinë e ngritjes së një komisioni hetimor nga parlamenti Shqiptarë.

Neni 77, pika 2, thekson se: “kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një të katrës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.”

Siç kuptohet qartë, në lidhje me komisionin parlamentar për hetimin e zgjedhjeve (dhe për çdo lloj komisioni tjetër të hetimit parlamentar), Neni 77, pika 2 e thekson shprehimisht se përfundimet e dala nga hetimi parlamentar për zgjedhjet nuk janë detyruese për gjykatën (Kolegjin Zgjedhor) dhe nuk influencon apo ndryshon vendimet e mëparshme të kësaj gjykate (shpërndarjen e mandateve). Ndaj, bazuar në Nenin 77, pika 2, të Kushtetutës, hetimi parlamentar për zgjedhjet është një e drejtë kushtetuese e opozitës socialiste.

Për më shumë, Gjykata Kushtetuese i ka bërë një interpretim këtij neni në lidhje me përkufizimin e konceptit “çështje të veçanta”. Interpretimi i gjykatës vijon si më poshtë: “çështje të veçanta” konsiderohen ato çështje, që hetohen në aspektin e kontrollit të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeve, apo veprimtarive dhe, që nxisin iniciativat për propozime, mendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.”

Ky interpretim i Gjykatës Kushtetuese mbi konceptin “çështje të veçanta”, përputhet me kërkesën e opozitës dhe synimin e saj.

Ashtu si Gjykata Kushtetuese, opozita ka si qëllim, që përmes hapjes së kutive të kontrollojë zbatimin e ligjeve të njohjes e verifikimit në thellësi të një “fenomeni, ngjarjeje, a veprimtarie” (manipulimi i zgjedhjeve), që nxit iniciativat për “propozime, mendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin a fenomeneve negative për shtetin dhe shoqërinë dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”, në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve dhe deformimin e vullnetit politik të popullit të shprehur në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Duke u bazuar në Nenin 77, pika 2, dhe interpretimit të këtij neni nga Gjykata Kushtetuese, ne mund të themi se hapja e kutive dhe hetimi i procesit zgjedhor të 28 Qershorit është një e drejtë e opozitës socialiste dhe mos hapja e kutive përbën një shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese, që buron nga ky nen dhe interpretimi i tij nga organet kompetente.

Ajo që është interesante për mbarë opinionin publik është fakti, që kryeministri Berisha ka përdorur një propagandë shumë agresive dhe të vazhdueshme duke përdorur strategjinë e tij të komunikimit “thjeshto dhe përsërit”.

Për muaj me radhë, vend dhe pa vend, Berisha ka propaganduar se gjoja ngritja e një komisioni hetimor dhe hapja e kutive është antikushtetuese, duke mos iu referuar asnjë neni apo dispozite kushtetuese. Tani ka ardhur koha, që kjo gjë të bëhet.

Arsyeja, që kjo strategji ka funksionuar deri më tani është fakti që Rama dhe opozita socialiste akoma përpiqeshin të fitonin kredencialet e tyre morale dhe politike përsa i përket kauzës së tyre për hetimin e plotë të procesit zgjedhor.

Protesta mbarëpopullore e 20 Nëntorit dhe rezoluta e sapo-votuar e KiE-së për hetimin parlamentar të zgjedhjeve i dhanë Ramës dhe opozitës socialiste kredenciale si morale dhe politike për të ndjekur kauzën e tyre dhe për të vazhduar këtë “betejë” politike.

Tashmë, që opozita socialiste arritën të fitojnë kredencialet morale dhe politike, i vetmi kredencial i mbetur për tu fituar në këtë “betejë” politike është kredenciali ligjor, të provojë që pretendimet e Berishës janë fallco dhe se hetimi parlamentar i zgjedhjeve dhe transparenca e procesit zgjedhor është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe mbarë popullit.

Për opozitën socialiste, çdo gjë sa vjen dhe thjeshtëzohet. Strategjia e saj e komunikimit në ditët në vazhdim duhet të jetë e njëjtë me atë të Berishës, “thjeshto dhe përsërit”.

Nëse Berisha e ktheu këtë strategji në një soj propaganda alla-komuniste për të gënjyer popullin, Rama dhe opozita duhet të nxjerrin të vërtetën në shesh dhe të sjellin të gjitha argumentet ligjore, duke iu referuar Nenit 77, pika 2, dhe ligjeve të tjera, që kanë të bëjnë me të drejtën kushtetuese për transparencë dhe të drejtën e informimit. Shpalosja për publikun e ligjeve dhe dispozitave kushtetuese duhet të jetë refreni politik i opozitës.

Nëse opozita socialiste arrin, që ta bëjë këtë me efikasitet, atëherë Berisha dhe të tijtë nuk do të kenë as më të voglën kredo politike, si brenda dhe jashtë vendit, për të bërë transparencën e procesit zgjedhor të 28 Qershorit

Por, mos mendoni se kjo do të sjellë hapjen e kutive apo zgjidhjen e krizës politike. Kutitë, përsëri nuk do të hapen, edhe nëse Berisha do të ngelte politikisht si “peshku pa ujë”, madje edhe nëse ndërkombëtarët do të sugjeronin apo kërkonin hapje të kutive.

Për më shumë, asnjë nuk duhet të mendojë se Rama do të futej në parlament pa hapur kutitë e votimit. Ky do të ishte shkatërrim politik i Ramës dhe i opozitës (ndaj edhe LMN-ja kërkon hyrje në parlament të opozitës).

Nga ana tjetër, hapja e kutive do të kishte një kosto të lartë politike për Berishën, do ta turpëronte atë, dhe do të shërbente si një argument për të ngritur thellësisht kredencialet politike të Ramës dhe opozitës socialiste.

Më e keqja do të ndodhte nëse provat e gjendura brenda atyre kutive do të vërtetonin manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të popullit nga ana e qeverisë Berisha-Meta. Kjo do të bënte, që qeveria Berisha-Meta të rrëzohej keqazi dhe Berisha do të shkonte në zgjedhje të parakohshme i “turpëruar” dhe i dërrmuar politikisht. Berisha asnjëherë nuk do t’ia jepte Ramës këtë privilegj.

Nëse Berisha e ndjen që ato kuti fshehin diçka, ai nuk do të guxonte t’i hapte ato por do të zgjidhte zgjedhje të parakohshme si zgjedhjen e tij më optimale dhe racionale. A do të fitonte Berisha ndonjë betejë politike në të ardhmen, qofshin këto zgjedhje të parakohshme, nëse vërtetohej se ai ka manipuluar dhe tjetërsuar vullnetin e popullit në zgjedhjet e 28 Qershorit? Unë do të thosha, “Kurrë”!

Bazuar në analizën e mësipërme, besojë fuqimisht që zgjedhjet e përgjithshme janë të paevitueshme dhe më afër se kurrë.

Kësaj mund t’i shtohet dhe deklarata e sekretarit të përgjithshëm të KiE -së, i cili theksoi se nëse parlamenti Shqiptarë nuk fillon të funksionojë së shpejti, atëherë funksionet e parlamentit do t’i marrin “të tjerët”.

Ligjet ndërkombëtare dhe parimet demokratike të ndjekura nga zyrtarët Evropian nuk do të lejonin futjen në punët e brendshme të Shqipërisë (edhe pse Shqipëria ka obligime dhe detyrime si anëtare e KE-së). Gjithashtu, sistemi politik i Shqipërisë është i ndërtuar bazuar në principin e ndarjes së pushteteve dhe të “kontrollit dhe balancës”.

Në një situate normale, funksionet e parlamentit (legjislativit), nuk mund të kryhen nga asnjë degë tjetër e pushtetit. Ajo do të binte ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. I vetmi rast kur parlamenti humbet funksionet e tij është kur shpallen zgjedhjet e parakohshme. Mbase kjo ishte ajo që donte të deklaronte edhe sekretari i përgjithshëm i KiE-së, kur theksoi se funksionet e parlamentit do t’i marrin “të tjerët”, POPULLI.