Përqeshja aktoreske për Gjykatën Kushtetuese

0
66

Myslim Pasha
(kolonel në lirim)

Ajo që ndodh me Ministrat e sotëm shqiptarë është një dukuri vartësie e rëndomtë dhe mjerane, vartësie prej një zëri unik të detyrueshëm që rrjedh prej kolonës zanore të Kryeministrit. Është një gjë tanimë e njohur, e një disipline tipike e Kryezërit, jashtë të cilit nuk mund të mbijetojë çdo mendim apo gjykim që lidhet me përgjegjësinë e detyrës, që mund ta mbrojë, aksh Ministër.

Në një intervistë të gjatë, por edhe ballafaquese me gazetarë, në “Ora News” Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pati disa ndryshime nga gjuha e Kryezërit të tij, ai u përpoq që nëpërmjet mjeteve shprehëse, të ishte pak më ndryshëm, për t’u dukur sa më origjinal, gatuar me gjeste aktoriale, por si kurdoherë… kur ai ka dështuar në kumtesat e tij edhe kësaj radhe jo vetëm që dështoi, por “pa dashje…” në pyetjen për Paktin Detar, u paraqit si me një habi, gjase “si mund të bëhet kjo pyetje…” duke treguar se sa poshtë kish rënë gjykimi i Kushtetueses… ai tha:

“ …Ëhë… Gjykata Kushtetuese!?” për të kuptuar ne të tjerët se …dihet se ç’katranosi ajo… Pastaj lëshoi frazën e Kryezërit: “Qeveria ka bërë mirë punën e saj!”

Kjo ishte edhe mbyllja, për të kuptuar, se ajo Marrëveshje ka qenë korrekte, dhe meqenëse ka qenë e tillë, do të mbetet po e kësillojtë, prandaj s’kemi se ku të shkojmë, po veçse në atë vijë fatale, të cilën e kish hedhur poshtë, ajo, Gjykata Kushtetuese.

E tëra, kjo, është e rrezikshme. Ulëritëse! Një kambanë alarmi. Prandaj, ka muaj me radhë, që lëvizin në rrethina, si nëpër vrima, për të gjetur specialistë; trokasin edhe së fundmi edhe në Akademinë e Shkencave, apo Institute të tjera për të pasur një ekip, i cili të mbrojë Projektin e Qeverisë…

Prandaj dhe Ministri me një indiferencë tha në intervistë me gjysmë zëri:

“ … ne do të çojmë specialistin tonë”

Po ç’bëhet vallë me Shqipërinë? Të kesh një Institut Kombëtar (Instituti Gjeografik Ushtarak i Shqipërisë), i cili si detyra parësore të tij, ka hartografinë e kufijve shtetërorë dhe për të përgjigjet, të kërkosh specialistë, kur ishte dashur që në këta tre vjet të bëheshin diskutime, analiza, trajtesa dhe argumente për t’i dhënë një përgjigje teknike dhe ligjore një Marrëveshjeje detare që solli aq shumë probleme, kjo është e papranueshme.

U botua një libër i gjatë dhe i hollësishëm, “Deti që nuk falet”, nga oponenti i Paktit dhe askush nuk u kujtua që t’i kundërvihej argumenteve që u sollën. Kjo do të lehtësonte punën në të ardhmen… U tregua se institucionet shqiptare e kanë ndarë mendjen që nuk do të merren me këtë problem, pasi “…nuk do të diskutohet me oponentin, sepse kur je kundër Qeverisë, s’mund të kesh tipizim tjetër veçse një armik…”

Këtu fillon krimi… ndërsa është kryer një vepër që nuk dihet se si u gatua, dhe u kalua nëpër duar, e ç’gjurmë la ajo në politikën dhe demokracinë shqiptare.

Pas një oponence dhe një diskutimi shumë të gjerë në opinion, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e hodhi poshtë. Pas kësaj edhe pse mund të mos jesh i bindur, ai është një vendim që do të të vërë në mendim dhe analizë, duke të të sjellë gërryerjen e ndërgjegjes, deri në hulumtim të hollësishëm se ç’ka ndodhi e si ndodhi? Aq më tepër, kjo nuk është një çështje, aq e thjeshtë, sepse ka të bëjë me interesa të mëdha kombëtare, politike, ekonomike, strategjike dhe gjeopolitike, gjithashtu.

Kësilloj, nëse ngrihesh kundër këtij vendimi (dhe Ministri pothuajse u ngrit në atë intervistë kundër Gjykatës) këtu fillon krimi.

Po për cilin krim jemi duke folur!? Se ne jemi mësuar me krime të epërme që ndodhin në Shqipëri, dhe që nuk ndëshkohen. Ato janë të shumta dhe shokuese, për shqiptarin e sotëm po edhe atë në nesërm, kur do të shkruhet historia e vërtetë e kohës që po jetojmë.

Ndërkaq, ky krim i përgatitur, ishte ndaj kombit, se këtu, more tungjatjeta, nuk ke bërë një matje të gabuar, të pronës të ish-pronarit, që ia dhe padrejtësisht një tjetri, në mënyrë antiligjore (siç ka ndodhur rëndom), por ke bërë një vepër, me pasoja të mëdha, në shpërfilljen kombëtare, duke cenuar gjeohapësirat iliro-arbërore.

U bë një nder i madh, shpëtues, prej Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo vepër nuk shkoi në ratifikim, në Athinë. A nuk mjaftoi kjo, për të marrë frymë të lehtësuar, edhe pse si aktor, e patët harruar tekstin dhe nuk po dëgjohej as sufleri në vrimëzën e tij!?

Kushtetuesja solli liri zoti Ministër i Mbrojtjes, por edhe për atë pararendësin tuaj, i cili nuk u ndodh në fazën, kur jepej shfaqja e fundit e tragjedisë, Gazmend Oketës. Ai gjeti një shprehje matematike për qesëndi, ndaj oponentëve duke iu thënë atyre se “nuk dinin se kush ishte rrënja katrore e “1”.

Ndaj jush dhe një zinxhiri të tërë pas tij: ministra, gjeneralë, diplomatë të lartë, nuk i zuri asnjë erë e asnjë shenjë ndëshkimore, por përkundër, të gjithë ju, ecët, u ngritët dhe u ngjitët në shkallë të epërme nderimi dhe karriere, siç e di gjithë opinioni shqiptar, e ashtu pa zë, por vetëm ndën simbole prepotence, keni lënë të nënkuptohet, se “Kushtetuesja ka bërë punë e saj, por ama edhe Qeveria ka bërë punën e saj me pikë e me presje…”, për të kujtuar se kjo Qeveria juaj nuk ka gabuar.

Atëherë kush ka gabuar? Këtu qëndron edhe drama e turpit të madh, brenda humbellës, që është hapur ndaj interesave kombëtare. Se siç mund të kuptojmë ne të tjerët, që nuk jemi në ato lartësi, nëse Qeveria do të pranonte se kish gabuar, s’kish rrugë tjetër, veçse të nesërmen e vendimit të Gjykatës, ky Kryeministri, duhet të kish dhënë dorëheqjen dhe pas kësaj do të vinin njëra pas tjetrës edhe përgjegjësitë që ju të tjerët mbanit… Pastaj, në kronika do të shfaqeshin njollat e turpit që s’mund të fshiheshin kurrë. Mirëpo, ju, mesa duket, edhe me thonj do të mbaheni tek “…drejtësia e veprës suaj…” dhe për këtë jeni gati që të sillni avokatë nga Jashtëtokësorë, që t’u nxjerrin ballëhapur në “performancën” tuaj. Deri këtu keni arritur!!

Si nuk u kujtuat që të shihnit, në heshtjen tuaj hulumtuese dhe aktoreske, që në kronikën e asaj dite dështuese, kur jepte vendim Gjykata Kushtetuese, të dëgjonit se ç’thosh një Admiral Shqiptar, por edhe një Juriste e së Drejtës Ndërkombëtare. Do të çaplonit sytë dhe nuk do t’u besonit ndijimit tuaj dhe po ashtu zërit të regjistruar, kur Admirali deklaroi në sy dhe veshë të Gjykatës Kushtetuese se “Greqia meritoi më shumë det, se ajo ka një Flotë detare më të madhe…”

Gjyqtarët u shkrehën dhe u skandalizuan në këtë përgjigje, e cila u përsërit edhe nga Juristja, çka tregoi se në ç’derexhe kish arritur Qeveria, të mbronte veprën e turpit. Kurrkujt nuk ia merrte mendja që do të binte në këtë “gjiriz” të madh.

(Kërkojeni kronikën… dhe do ta gjeni në Procesverbalet e Gjykatës Kushtetuese ose në mediumet e asaj dite…)

Si mund të ndodhë kështu !? Në hark të tre vjetëve që ndodhi ai Pakt Detar famëkeq dhe ju vijoni Ministër, sikundër dhe Lulëzim Basha firmëtari, vijon të “ndrijë’ në karrierën e tij politike, dhe Ilir Meta edhe pse “i dh..rë” njëmijë herë, llapashit sërish në ujëra, për të dalë në lartësitë e qeverisëse…si vallë mund të luani kaq lirshëm me dinjitetin kombëtar që e mbrojti Gjykata Kushtetuese? Ju në vijën e mullirit tuaj të prishur e çoni ujin në hauzin e kujt vallë!? Ju, sot e kësaj dite nuk doni t’ia dini, dhe filloni të çelni gjethe të reja në secilën pranverë, po ato janë “Lule të së keqes” po të perifrazojmë poetin Sharl Bodler. Pala greke (në këtë rast e pafajshme) pret ratifikimin në Athinë.

Historia e atij Pakti Detar, nuk është thjesht një dëshmi tekniko-ligjore-diplomatike e ushtarake, por një vepër, e cila nxori në dritë të diellit, një doktrinë qeverisjeje antikombëtare, si kurrë ndonjëherë tjetër.