Politikë, 20 Mars 2013
Mbi 30 parti rreth PS-së për formulën e koalicionit
TIRANË – “Titaniku i Berishës e ka goditur tani ajsbergun”- tha sot në studion e tv “A1Report!”,- avokati i njohur Spartak Ngjela. Si kryetar i partisë “Ligj dhe drejtësi”, ai ishte i pranishëm sot në takimin e organizuar në selinë e PS-së me aleatët e saj dhe, i ftuar për të komentuar atë takim dhe përshtypjet e përgjithshme, tha: “Në zgjedhjet e shkuara ka pasur manipulime, si në Fier, por këtë radhë, PS-ja nuk do lejojë vjedhjen e votave. Duket se Rama e ka situatën shumë mirë. Unë di votën e popullit, që kësaj radhe do të jetë hakmarrëse, do të hidhet sikur do të qëllohet me gurë”.
“Fjala “Rilindje” është pak, por mendoj se Rama duhet të jetë i ekuilibruar me votën që do të marrë, sepse forca e tepërt, fitorja e madhe pas zgjedhjeve, administrohet me vështirësi, kurse e vogla, shumë rehat”, – shtoi ai.
Lidhur me deklaratat e Berishës se ka marrë bekimin e Papës për fitore, Ngjela ironizoi se “deri dje, Berisha ka folur përmes hoxhës e sot, përmes priftit! Lerëni atë në punën e tij, se nuk e beson më njeri! Ai duhet ta kuptojë se Zoti nuk është kamarier”.
Përsa i përket ngjarjeve kriminale të ditëve të fundit, Ngjela theksoi:
“Krimi me vdekje nuk lejohet, sepse është makth shoqëror”, – theksoi ai.- “Bota e ka provuar me kohë, e ka hequr, e ka vënë, derisa ka dalë në këtë konkluzionin e fundit. Duhet të funksionojë ligji, dënimet e ashpra, jo që kriminelët të dalin lehtë nga burgu”.
“Krimi është si lepuri, është frikacak: po pa që shteti është i fortë, ai nuk bën gjë”, – përfundoi avokati. -“Ajo që ndodhi ditët e fundit është pak, sepse Shqipëria drejtohet nga krimi i rrugës. Ai që ndodhi është krimi i vogël, që do qëndrojë kështu sa kohë që s’kemi shtet shqiptar. Që të kemi shtet, duhet të Kryeministri të jetë i ndershëm. Gjeni, pra, një Kryeministër me moral!”
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)