Mbyte skllavin në veten tënde!

0
56

Vetëm ata që nuk dorëzohen – fitojnë. Rruga e fitores është protesta e pandërprerë kundër hajnisë dhe hajnave në pushtet – deri në burgosjen dhe dënimin e tyre…

Nga Enver Robelli, 20 Mars 2013

Mbyte skllavin në veten tënde.
Protesto kundër hajnisë.
Protesto kundër hajnave në (pu)shtet.
Duaje shtetin duke përbuzur kriminelët.
Përqafo ardhmërinë duke i pështyrë plaçkitësit.
Duaje lirinë duke larguar nga pushteti robëruesit e shoqërisë.
Mos pusho!
Mos harro: mbyte skllavin në veten tënde!
Tani!
Sot!
Përgjithmonë!
Kujto ditët e skëterrës.
Lufto skëterrën e re.
E ardhmja është vetëm në duart tua.
E ardhmja e fëmijëve të tu është në duart tua.
E ardhmja e më të dashurve të tu është në duart tua.
Kupto se liria është vetëm mundësi.
Ajo shndërrohet në robëri nëse ti hesht.
Kujto ditët në tenda mjerimi dhe rikthe atdheun brenda zemrës tënde.
Mos lejo që atdheun ta mbajnë peng kriminelët.
Banditët e kravatosur.
Dhunuesit e fjalës së lirë.
Keqpërdoruesit e resurseve publike.
Helmuesit e ambientit.
Dhunuesit që zgërdhihen.
Mos i paguaj faturat e shkruara nga pushteti i krimbur nga krimi dhe korrupsioni.
Paraqitja faturën këtij pushteti cubash.
Mos harro: mbyte skllavin në veten tënde!
Skllavërinë tënde do ta kuptosh vetëm kur të çlirohesh.
Hapi i parë drejt çlirimit është protesta.
E përditshme.
Kundër të keqes.
Hapi i radhës: kryengritja e të arsyeshmëve.
“Skllevërit e lumtur janë armiqtë më të ashpër të lirisë”, thoshte Marie von Ebner-Eschenbachu.
Është momenti që secili shqiptar – në Kosovë e Shqipëri, në Maqedoni e gjetiu ku jetojnë shqiptarët – të braktisë rolin e skllavit të lumtur.
Tani!
Sot!
Përgjithmonë!
“Askush nuk është më shumë skllav sesa ai që mendon se është i lirë pa qenë i tillë”, thoshte Johann Wolfgang von Goetheja, më i madhi shkrimtar gjerman.
Ik nga ky kurth.
Mos mendo se je i lirë.
Përqafo paqësisht lirinë tënde!
Bindu se nuk ia vlen të jetosh asnjë ditë në lirinë e rrëmbyer nga të tjerët.
Kjo është liria jote.
Jo e rrëmbyesve.
Këta (në pushtet) nuk ndalen së vjedhuri.
Ti duhesh t’i ndalësh.
Këta vjedhjen e shtetit e shohin si fisnikëri.
Këta plaçkitjen e ndërmarrjeve publike e shohin si bujari.
Këta ligjit s’i tuten.
Sepse janë mbi ligjin.
Sepse ligji është nën çizmet e tyre.
Sepse çizmet e tyre janë të përlyera me gjakun e atyre që sot janë nën dhé.
Sepse ata që sot janë nën dhé do të qeshnin hidhur me të gjithë të gjallët që heshtin.
Tepër gjatë ke heshtur.
Tepër ke duruar.
Tepër je turpëruar.
Tepër e ke poshtëruar veten.
Tepër ke lejuar të të poshtërojnë.
Mos harro: mbyte skllavin në veten tënde!
Zinxhirët e robërisë do t’i vëresh vetëm nëse i lëviz pak duart.
Përzierja e makiatos nuk është lëvizje duarsh.
As e mendjes!
Protesto!
Zbulo aftësinë njerëzore për t’u zemëruar!
Duhet ta mbrosh dinjitetin tënd!
Mos lejo më që pushteti të nëpërkëmbë të drejtat!
Të gjithë jemi pronarë të shtetit.
Edhe ti.
Mos u sill si lypsar, as si qyqar!
Angazhohu.
Indinjohu.
Shteti nuk është vetëshërbim!
Kërko drejtësi dhe liri.
Vetëm kështu do t’ua ndalosh plaçkitësve që lirinë ta shohin ashtu siç e shikon dhelpra lirinë kur hyn në kotecin e pulave.
Këtë porosi e la Stéphane Hesseli, luftëtar, eseist, aktivist politik, diplomat dhe i mbijetuar i kampit shfarosës nazist në Buchenwald.
Duhet ta mposhtësh frikën.
Frika është gëzimi i shkelëseve.
Mos lejo që grabitqarët të buzëqeshin më tutje me fatkeqësinë tënde.
Mbyte skllavin në veten tënde!
Angazhohu.
Kundër pabarazisë sociale.
Kundër krimit të organizuar.
Kundër nepotizmit.
Kundër mujshisë.
Kundër varfërisë së shkaktuar nga pasunarët e ndyrë.
Lufto!
Me fjalë.
Me vepra.
Me zemër.
Me qëllime të mira.
Emancipohu edhe më shumë.
Përvetëso vlerat e botës së përparuar!
Ruaj resurset e natyrës.
Mos lejo që këto resurse të shiten nga plaçkitësit!
Mos lejo që prona publike të trajtohet si gjah nga kalorësit e krimit!
Të drejtat tua janë të patjetërsueshme.
Dinjiteti yt nuk guxon të shkelet më tutje.
Nëse shkelet më tutje, mos kërko fajtorin gjetiu: ti je fajtor!
Përbuz çdo fanatizëm.
Përçmo çdo pisllëk pushteti.
Gjeje shpresën.
Braktis pashpresën.
Shpresa është në duart dhe mendjen tënde.
Ky është dheu yt.
Kjo është toka jote.
Kjo është e drejta jote.
Kjo është liria jote.
Ti ke të drejtë të jetosh në mirëqenie.
Mos jeto më në dëshpërim.
Mos i shtrëngo grushtet në xhepa.
Drejto grushtet kundër grabitësve.
Dhe kriminelëve në parlament.
Dhe kriminelëve në qeveri.
Dhe kriminelëve në ndërmarrjet publike.
Hija e tyre nuk duhet të bjerë më mbi jetën tënde.
Hija e tyre duhet të bjerë vetëm mbi turpin e tyre.
Mbi krimet e tyre.
Mbi marrëzitë e tyre.
Mbi pafytyrësitë e tyre.
Mbi keqpërdorimet e tyre.
Kurban nuk duhet të shkojnë kriminelët e vegjël.
Përgjegjësi duhet të japin kriminelët në kabinën e marinarit të krimeve.
Ata duhet të shkojnë në burg.
Bashkë me kryemarinarin.
Që liria të ketë kuptim.
Që liria të ketë përmbajtje.
Që liria të jetë e jotja dhe jo e kriminelëve.
Mos harro: mbyte skllavin në veten tënde!
Tani!
Sot!
Përgjithmonë!
Alternativa është në duart tua.
Lufta për mirëqenie po ashtu.
Për fitoret dhe humbjet je vetë përgjegjës.
Ti!
Duhet të jesh i vetëdijshëm se si qytetar ti bart përgjegjësi.
Kjo përgjegjësi nuk kufizohet vetëm në përtypjen e bukës dhe gëlltitjen e lotëve.
Kërko të drejtat tua qytetare, ekonomike, sociale dhe kulturore.
Ti je pronar i tyre.
Ti ke potencial.
Ky potencial fiton vetëm nëse beson në fuqinë për ndryshime.
Ndryshimi fillon tash.
Asnjë shans nuk duhet t’i lihet rastësisë.
Ky është çasti kur qytetari dhe qytetarja, fshatari dhe fshatarja, për herë të parë pas vitit 1999, pas Annus mirabilis (vitit të mrekullive), mund të njoftohet me lirinë e vërtetë.
Mos i nënçmo rreziqet.
Por, shanset janë më të mëdha se rreziqet.
Përherë.
Mos harro: mbyte skllavin në veten tënde!
Tani!
Sot!
Përgjithmonë!
Duke protestuar ti je në anën e ndritshme të historisë.
Kosova jote s’duhet të jetë burg qytetarësh, por vend i mundësive.
Jo i mundësive për të vjedhur, por i mundësive për mirëqenie.
Sundimtarët e tanishëm fitoret e tyre i shohin në dhimbjen e tjetrit.
Fitoret tua duhet të jenë pasqyrim i gëzimit të të gjithëve.
Thomas Bernhardi thotë për Austrinë e ne themi për Kosovën: “Një moçal pa mendje dhe pa kulturë, i cili shpërndan duhmë të rëndë nëpër gjithë Evropën dhe jo vetëm nëpër Evropë”.
Bernhardi klith:

“Nuk është e vërtetë se kundër këtyre ndodhive kobzeza / nuk thuhet asgjë dhe nuk shkruhet asgjë / për çdo ditë kundër tyre thuhet diçka dhe diçka shkruhet / por kjo e thënë kundër dhe kjo e shkruar kundër / nuk dëgjohet dhe nuk lexohet”.

Pushtetarët e kriminalizuar do të pyeten se çfarë Republike ëndërrojnë njerëzit e ndershëm të Kosovës?
Këtë ua thotë Friedrich Dürrenmatti: “Një Republikë të pavarur, të lirë, demokratike, ekonomikisht përparuese dhe njëkohësisht një Republikë të drejtë sociale, shkurt një Republikë njerëzore, e cila i shërben njeriut dhe për këtë arsye shpreson se edhe njeriu do t’i shërbejë asaj”.

Sot të gjithë njerëzit e Kosovës mund t’i shërbejnë lirisë vetëm nëse luftojnë skllavin brenda vetes.
Mbyte skllavin në veten tënde.
Protesto kundër hajnisë.
Protesto kundër hajnave në (pu)shtet.
Duaje shtetin duke përbuzur kriminelët.
Përqafo ardhmërinë duke i pështyrë plaçkitësit.
Duaje lirinë duke larguar nga pushteti robëruesit e shoqërisë.
Mos pusho!
Mos u ndal!
Mos harro: mbyte skllavin në veten tënde!
Tani!
Sot!
Përgjithmonë!
Për një Republikë njerëzore.